2016-ta, vit i promovimit të kulturës së Kosovës në Turqi

Kultura

2016-ta, vit i promovimit të kulturës së Kosovës në Turqi

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 16:44

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka pritur sot në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilicim Kiliç, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e Kosovës dhe Turqisë në fushën e kulturës, me theks në programin e aktiviteteve kulturore të sivjetme që pritet të zhvillohen si në Turqi ashtu edhe në Kosovë në kuadër të përzgjedhjes së vitit 2016 si viti i Kosovës.

Gjatë takimit, Hoti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin që po jep Republika e Turqisë në Kosovë përmes përkrahjes dhe bashkëpunimit sidomos në fushën e kulturës.

Gjithashtu, Hoti ka theksuar rëndësinë që ka përzgjedhja e shtetit të Kosovës për përkrahje të aktiviteteve dhe projekteve dhe tha se MKRS-ja është e gatshme për bashkëpunim në këtë projekt me rëndësi të veçantë për Kosovën.

Po ashtu, ai ka shtuar se MKRS do t’i shqyrtoj hapat e konkretizimit të bashkëpunimit në këtë projekt të investimeve nga ana e Turqisë për Kosovën, qoftë në aspektin e promovimit apo lansimit të projekteve dhe aktiviteteve nga ana e MKRS-së.

Ndërsa, Ambasadorja Kiliç ka falënderuar Hotin për gatishmërinë që ka shprehur MKRS-ja për të bashkëpunuar dhe lehtësuar realizimin e programit të sivjetmë.

Më tutje, ajo ka thënë se pas përzgjedhjes së viti 2016 si viti i Kosovës në kuptimin e investimit në projekte të ndryshme, pret që me sukses të realizohen aktivitetet të cilat promovojnë kulturën e Kosovës në Turqi si dhe elementet e përbashkëta kulturore që ka Kosova e Turqia.

Ndër të tjera, ambasadorja turke është shprehur se marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, edhe me projekte dhe nisma tjera konkrete.

Pas përzgjedhjes së vitit 2016, nga Republika e Turqisë si vit i Kosovës, pritet të realizohen projekte të cilat promovojnë kulturën e Kosovës në Turqi, përmes aktiviteteve të ndryshme të cilat do të organizohen në koordinim të dy vendeve./A.M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat