Teatri vlerë nacionale e Kosovës

Kultura

Teatri vlerë nacionale e Kosovës

Më: 3 shkurt 2016 Në ora: 15:31

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, zhvilloi sot një vizitë pune në Teatrin Kombëtar, ku u takua me Agim Sopin, drejtor i ri të këtij institucioni.

Ministri Shala e uroi drejtorin Sopi për detyrën, duke i premtuar bashkëpunim dhe përkrahje në fuqizimin e rolit të teatrit dhe vlerës që përfaqëson ai në shoqëri.

Në funksion të mbështetjes dhe fuqizimit të rolit të teatrit në shoqëri, sivjet është rritur buxheti për këtë institucion, u shpreh Shala, dhe premtoi rritje të mëtejmë të mbështetjes për këtë institucion të rëndësishëm të kulturës së Kosovës.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja po punon intensivisht për konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të institucioneve të kulturës, duke investuar në infrastrukturë, mbështetje financiare dhe legjislacion modern.

Ndërsa drejtori i Teatrit Kombëtar Agim Sopi e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen dhe mbështetjen.

Ministri Shala dhe drejtori Sopi u shprehën se Kosovës i duhet një teatër i fuqishëm, me vlera dhe reprezentues.

Po ashtu, ministri Shala dhe drejtori Sopi u dakorduan që sa më shpejt të hartohet një projekt i tërësishëm për renovimin e TK-së.

Në projeksionet buxhetore për 2016-të, MKRS-ja ka ndarë 330 mijë euro për renovimin e Teatrit Kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat