Aktorët shkrimtarë

Kultura

Aktorët shkrimtarë

Më: 2 shkurt 2016 Në ora: 19:52

Aktori i njohur Geri Oldmen ka vendosur të ndjekë gjurmët e disa prej kolegëve të tij hollivudianë dhe t’i përkushtohet letërsisë. Së shpejti, Oldmen, i njohur për rolin e Drakulës në prodhimin me të njëjtin titull, si dhe për rolin e komisionerit Xhejms Gordon në trilogjinë “Batman”, ka paralajmëruar botimin e romanit të tij të parë, “Kalorësit e gjakut”, njëroman fantazi me vampirë kauboj.

Siç e thamë, Oldmen nuk është i pari që e ka provuar, madje disa nga librat e aktorëve të kthyer në shkrimtarë kanë pasur sukses financiar dhe janë pritur mirë nga kritika.

Përpjekja letrare e Stiv Martin mund të duket e tepruar, duke marrë parasysh profilin e aktorit, komedian i njohur. Por këmbëngulja e tij është për t’u lavdëruar, përveç eseve, librave për fëmijë dhe një biografie, Martin ka publikuar edhe dy romane që janë pritur mjaft mirë (njëri prej tyre është adaptuar edhe në film).

Fituesi i dy çmimeve Oskar, Xhin Hakman, ka shkruar tre libra në bashkëpunim me arkeologun Daniel Lenihan. Të tre librat janë të zhanrit triller. Ndërsa promovonte librin e fundit, Hakman njoftoi edhe shkëputjen përfundimtare nga aktrimi.

Aktori ekscentrik Viggo Mortensen është një poet profilik, i cili shpesh i publikon krijimet e tij në ekspozita fotografike dhe ndonjëherë në spanjisht dhe danisht, dy gjuhë që i njeh shumë mirë.

Xhejms Franko është një artist në plot kuptimin e fjalës. Përveçse aktor, regjisor, skenarist, moderator, Franko u diplomua për gjuhë angleze, duke u profilizuar në shkrimin letrar. Libri i tij debutues me tregime “Palo Alto” u prit shumë mirë nga kritika.

Edhe pse më së shumti është i njohur për personazhin e tij alla Sherlok Holms në serialin “House”, Hugh Laurie e nisi karrierën si aktor komik në shfaqje televizive. I diagnostikuar me depresion, Laurie tha dikur se leximi i letërsisë angleze i shpëtoi jetën. Romani i tij debutues “Shitësi i armëve” u botua në disa vende të botës dhe pati një sukses modest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat