U miratua repertori i Teatrit Kombëtar

Kultura

U miratua repertori i Teatrit Kombëtar

Më: 2 shkurt 2016 Në ora: 19:49

“Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit e regji të Vladimir Milcin, “Pasardhësi”, tekst i Ismail Kadaresë me dramatizim të Goran Stefanovskit, “Përtej kufijve të pushtetit”, nga Albri Brahusha, “Grafitet”, me tekt të Mehmet Krajës dhe “Tregtari i Venedikut”, nga William Shakespeare janë këto pesë shfaqjet e miratuara nga menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës për vitin 2016. Në një konferencë të mbajtur sot për medie, udhëheqësit e teatrit deklaruan se ky është repertori i këtij vitit për skenën e madhe të TKK-ës, edhe pse, sipas tyre, ka pasur ngecje, dhe janë vonuar në lidhje me këtë miratim për shkak të përzgjedhjes së drejtorit të këtij institucioni, ata thanë se besojnë që do të hasin në mirëkuptim tek publiku, e poashtu thanë se ky do të jetë një vit i suksesshëm për teatrin.

“Kemi bërë përpjekje që në mënyrë intensive ta bëjmë një repertor të qëndrueshëm dhe cilësorë për teatrin. Këtë vit kemi 70 vjetorin e teatrit dhe karshi këtij 70 vjetori jemi përpjekur që ti krijojmë një hapësirë më të madhe dramës kombëtare, natyrisht që kjo hapësirë do të ketë gjithmonë prioritet karshi dramës kombëtare, sepse kemi edhe obligime ligjore, por këtë vit e kemi bërë pak më të madhe, sepse nga pesë projektet që i kemi propozuar katër janë të dramaturgjisë shqiptare dhe vetëm një i dramaturgjisë botërore”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i TKK-ës Agim Sopi, i cili vazhdoi të thotë se këtij repertori mund ti shtohet edhe një shfaqje tjetër, pasi që, këtë vit përpos 70 vjetorit të teatrit dhe 400 vjetorit të vdekjes së William Shakespeare është edhe 50 vjetori i dramës së parë moderne shqiptare “Erveheja”, dramë kjo e Ahmet Qirezit, e me regji tw Muahrrem Qenes, pritet të riinskenohet edhe njëherë në TKK.

“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që ta rikthejmë “Ervehenë”, jo ta bëjmë një shfaqje të re por ta bëjmë një remake shfaqjen që ka qenë dhe ta rikthejmë si një kujtim për fillet e teatrit modern shqiptar të dramës së parë moderne. Ky nuk është projekt definitiv, sepse këto kanë qenë synimet tona, meqë jemi në bisedime me autorin e tekstit, me familjarët e Qenes se duhet të jetë një mirëkuptim i dyanshëm, ne jemi të gatshëm të tkurrim buxhetin tonë për këtë shfaqje, por nëse nuk arrijmë atëherë nuk arrijmë dhe ky është repertori”, theksoi Sopi.

Ndërsa kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Jeton Neziraj tha se këto ide janë shumë të qëlluara, dhe se pret që ky vit të jetë i suksesshëm. “Unë pres se ky do të jetë një vit i suksesshëm me të gjitha turbulencat dhe telashet që na kanë përcjellë vitin e kaluar, tanimë gjendja është e sanuar dhe është kthyer në normalitet”, tha ndër të tjera Neziraj.

E sa i përket repertorit të skenës së vogël të Teatrit Kombëtarë të Kosovës, ai pritet të miratohet që nga java e ardhshme, ku kështu do të nisë edhe realizimi shfaqjes së parë për vitin 2016 “Eshtrat që vijnë vonë”, me regji të Vladimir Milcin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat