Drama “Kandili i Argjandit” i regjisorit Smaja, në 5-6 dhjetor në Teatrin Eksperimental

Kultura

Drama “Kandili i Argjandit” i regjisorit Smaja, në 5-6 dhjetor në Teatrin Eksperimental

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 13:54

Drama “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe vënë në skenë nga regjisori shkodran, Fatbardh Smaja, me trupën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë në datat 5 dhe 6 dhjetor.

Regjisori Smaja u nda nga jeta në 7 nëntor 2015 në Shkodër, gjatë kohës që punonte për vënien në skenë të kësaj vepre. “Kandili i argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e Kandilit të Argjandit në kohën më të volitshme të tij. Kandili, dritëprurësi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik, që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist.

Drama u shkruajt rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten. Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes Kandilit të Argjandit.

Në dramë interpretojnë Nana – Rita Gjeka ; Leka – Jozef Shiroka ; Besa- Merita Smaja ; shkrimtari- Agron Dizdari; Dora – Eliona Shkreli; Prendi – Enver Hyseni; Njeriu i huaj – Nikolin Ferketa ; Katundari- Simon Shkreli.

Regjisori Fatbardh Smaja lindi në 2 shtator 1956 dhe ndërroi jetë në 7 nëntor 2015 në Shkodër. Ai mbaroi Universitetin e Arteve në Tiranë. Punoi si aktor dhe regjisor në vitet 1980-1999 në teatrin “Migjeni”, në 1998-1999 ishte drejtor i televizionit “Shkodra tv1”; në 1999-2002 drejtor i Radio Shkodrës; në 2002-2015 aktor e regjisor në teatrin “Migjeni” 2015- drejtor e regjisor i teatrit “Migjeni”. Smaja interpretoi mbi 50 role në teatër disa role në kinematografi, ka marrë pjesë në shumë festivale kombëtare mbarëkombëtare e ndërkombëtare me shumë vepra shqiptare e të huaja e ka fituar disa çmime si regjisor e si vepra më e mirë, si dhe çmime për aktorët më të mirë. Ai mori pjesë në shumë veprimtari muzikore si instrumentist në shumë vende të botës, ka dhënë mësim në Universitetin “Luigj Gurakuqi, ishte formulues muzike i shume shfaqjeve, si dhe skenograf në disa shfaqje që ka vënë në skenë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat