Koncerti “Për ty atdhe” në TOB

Kultura

Koncerti “Për ty atdhe” në TOB

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:11

Me rastin e festave të Çlirimit dhe të Pavarësisë Teatri i Operës dhe Baletit do të zhvillojë nesër në mbrëmje koncertin “Për ty atdhe”.

Për herë të parë në këtë koncert vjen një pjesë simfonike titulluar “Rapsodi e shqiptarëve Nr. 1” nga kompozitori shqiptar Anesti Nova si premierë botërore. Festat dhe vënia e kësaj pjese në skenën e TOB bënë që të rikthehet në vendin e tij pas më shumë se 70 vitesh pasi ka emigruar në Turqi e Amerikë kompozitori i njohur shqiptar Anesti Nova. Koncerti është i ndërtuar gjithashtu me pjesë muzikore, këngë të ndryshme patriotike, që janë shumë të njohura dhe të vlerësuara nga publiku, ndërsa disa prej tyre prej disa vitesh i kishin munguar skenës. Me pjesëmarrjen e solistëve të operës si Eva Golemi dhe Ylber Gjini, Korit dhe Orkestrës së TOB nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, ky koncert do të jetë falas për të gjithë nostalgjikët e këngëve më të bukura të kompozitorëve më të njohur shqiptarë si Avni Mula, Thoma Gaqi, Çesk Zadeja, Mustafa Krantja, Kujtim Laro e Pjetër Gaci. Dirigjenti Edmond Doko shprehet se koncerti që do të vijë nesër në mbrëmje për publikun është një gërshetim i muzikës simfonike me veprat e autorëve të vlerësuar shqiptarë. Sipas tij të gjitha këto vepra i përshkruan i njëjti evokim ndaj festave. Për dirigjentin Doko e veçanta e koncertit është “Rapsodi e shqiptarëve Nr.1”. “Premiera botërore është më e veçanta e këtij koncerti, ku kompozitori Anesti Nova vjen enkas në Shqipëri për këtë premierë. Sot ai është 92 vjeç dhe ka më shumë se 70 vjet i larguar. Ka shkruar dhe shumë vepra të tjera që janë të njohura, por që të gjitha kanë intonacione të muzikës sonë popullore. Ka shkruar vepra për trombon dhe orkestër. Ndërsa djali i tij sot është një nga trombistët më të mirë në Amerikë”, tregon dirigjenti Doko. Sipas tij, të gjitha veprat e tij shquhen për koloritin shqiptar. “ Veprat që ai ka shkruar dhe nuk janë të pakta, shquhen për koloritin shqiptar si dhe përdorimin e temave popullore shqiptare të përdorura mjeshtërisht”, shprehet më tej dirigjenti Edmond Doko mbi krijimtarinë e kompozitorit Anesti Nova, i cili nesër në mbrëmje do të jetë prezent në koncertin ku do të luhet dhe “Rapsodi e shqiptarëve Nr.1”. Programi i koncertit Në koncertin “Për ty atdhe” sipas dirigjentit Doko, janë vepra dhe pjesë muzikore të cilat i bashkon ideali i lirisë. Disa prej tyre dekada më parë janë kënduar nga mjeshtrit e këngës lirike shqiptare, përmendim kështu edhe këngë që janë kënduar nga i madhi Mentor Xhemali. “Në program janë valle me motive simfonike popullore, si “Vallja me dajre” e Thoma Gaqit, apo kënga “Për ty atdhe” kompozuar nga Pjetër Gaci. Janë në program edhe “Agimet shqiptare” kompozuar nga Avni Mula. Një suitë me këngët partizane kompozuar nga Çesk Zadeja, që ka 40 vjet që nuk luhet”, shprehet dirigjenti Edmond Doko. Ndërkaq që TOB njofton se festimet për Natën e Bardhë do vazhdojnë në datën 29 nëntor në ora 20.30 edhe në sheshin para TKOBAP, me pjesëmarrjen e trupave të ndryshme artistike, numra baleti, koncert me këngë dhe valle nga Ansambli Popullor, koncert me muzikë dhome, koncert i Korit të TOB. Ndërsa nesër për publikun vjen koncerti “Për ty atdhe” sonte në skenë do të organizohet një koncert premierë nga Ansambli Popullor titulluar “Rrugëtim”, koncert me këngë dhe valle popullor të përzgjedhura nga të gjitha trevat shqiptare. Ky është koncerti i fundit, që organizohet nën drejtimin e Sulejman Baltëzës, i cili prej disa vitesh është drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar dhe largohet në fund të nëntorit nga TKOBAP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat