Në Viti u promovuan tri vepra të prof.dr. Isak Shemës

Kultura

Në Viti u promovuan tri vepra të prof.dr. Isak Shemës

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 17:40

Në kuadër të shënimit të festave të nëntorit, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Vitisë, respektivisht Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe Drejtorisë për Arsim, u mbajt promovimi i veprave të prof.dr. Isak Shema. Ky promovim iu përkushtua edhe 75 vjetorit të lindjes dhe 55 vjetorin e veprimtarisë së prof Isak Shemës.

Në emër të organizatorit të këtij aktiviteti, kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti ka shpallur të hapur këtë promovim, duke vlerësuar kontributin e profesor Shemës dhe ka theksuar se Vitia është e nderuar që po promovon punën e palodhshme të intelektualëve të saj, të cilët një jetë të tërë ia kushtuan shkencës, letërsisë e publicistikës.

“Si kryetar komune ndihem i nderuar dyfish, për shkak se prof.Isakun e kam edhe bashkëfshatarë por edhe si bashkëveprimtarë. Personaliteti i tij i takon plejadës së ajkës së mendimit intelektual e cila mund të them se e ka kthyer Kosovën për së mbari në fund vitet e 80-ta, viteve të 90-ta e që vazhdon edhe më tutje me krijimtarinë dhe veprimtarin e vet”, tha kryetari Haliti.

Në këtë aktivitet është lexuar biografia dhe veprimtaria e prof.dr.isak Shemës, kurse për veprat e tij folën prof.dr Sedat Kuqi dekan I fakultetit Filologjik dhe prof. dr. Liman Matoshi. Në emër të familjes Shema ka folur e bija e profesorit zonja Besa Luzha Shema, kurse për organizimin e promovimit të sotëm, vet autori i veprave të promovuara prof.dr. Isak Shema ka falënderuar Institucionet komunale në veçanti Drejtorin për Kulturë Rini e Sport në Viti që po vazhdon të mbështes aktivitetet që kanë për qëllim promovimin e vlerave dhe zhvillimin e kulturës në përgjithësi.

Veprat e promovuara sot nga prof. dr. Isak Shema ishin: Identitete letrare I dhe II, Kultura letrare bashkëkohore, si dhe Studije Albanski Knjizevnosti” në gjuhën kroate. Në shenjë respekti dhe për kontributin e dhënë, kryetari i komunës Sokol Haliti ka nderuar prof. Shemën me mirënjohje, si dhe një fotografi të para 25 viteve së bashku në grup me ish presidentin Ibrahim Rugova. Në fund u shfaqën disa pika muzikore nga orkestra e “Oktet Plus”, si dhe u shtrua një koktej për mysafirët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat