Nobeli si “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient

Kultura

Nobeli si “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 07:37

Obsesioni i shqiptarëve për ta fituar Çmimin Nobël, i izolon ata më shumë. Janë të paktë ata popuj, ku diskutohet aq shumë për ta fituar atë se sa në Shqipëri.

Po e rras lugën direkt e në çorbë, dhe po konkludoj: Obsesioni i shqiptarëve për ta fituar Çmimin Nobël, i izolon ata më shumë. Janë të paktë ata popuj, ku diskutohet aq shumë për ta fituar atë se sa në Shqipëri. Për të flet edhe çobani, marangozi, lopçari; prej tij, përpiqen të thithin pak dritëz krenarie të gjithë ngaqë në profesion ose në jetë janë të dështuar. Në tetor, ka shumë njerëz që ndezin qirinj dhe i falen Zotit që një shqiptar ta fitojë atë.

Më pas, duan të rrahin gjoksin dhe thonë: Hë, e patë? Edhe ne dimë të bëjmë art të madh. Duket, se mbasi ta kemi shtjerë atë në dorë, morali dhe shpirti ynë i infektuar, do të shpëtojë. Një iluzion mjaft i cekët ky. Nobeli e shpëton një komb, vetëm në rast se ai komb e sjell në jetë vizionin nobelisto-human në jetën praktike. Nënë Tereza e fitoi Nobelin, por ne nuk e kultivuam humanizmin e saj në jetë…

Përpara se të tentoj të shpjegoj përse obsesioni i Nobelit na izolon, po shpjegoj sipas botëkuptimit tim, Nobelin përballë botës që atë e rrethon.

Çmimin Nobël e meriton ai artist i cilitdo fushe qoftë, që sakrifikon për popujt që kanë rënë në rrjetat e diktatorëve, merr në mbrojtje vlerat e rrezikuara universale, si dashuria, liria e mendimit, ndërton ura miqësie midis dy popujve të armiqësuar nga politikat ekspansioniste, ose i rifreskon njerëzimit kujtesën, duke tretur në kallupin artistik papushim dramat ose luftërat që janë zhvilluar në të kaluarën, me qëllim që ato të mos ripërsëriten në të ardhmen. Shkurt, Nobelin për mua le ta fitojë ai artist që artin e konsideron si një “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient.

Nobelin për fat të keq, e kanë komercializuar shtëpitë botuese, që në fakt janë subjekte private që kanë si qëllim kryesor fitimin duke tregtuar letërsi. Janë shumë të paktë ata botues që janë idealistë. Pjesa më e madhe e tyre, janë oportunistë. Ata lobojnë në lloj-lloj mënyrash, që shkrimtarët që kanë botuar ta fitojnë atë. Ata e bëjnë këtë, edhe kur shkrimtari nuk e meriton Nobelin. Në rast se ai nuk e gllabëron Nobelin, ata hakmerren duke shpifur lloj-lloj teorish konspirative. Kësisoj, një botues i etur vetëm për para dhe famë, e dëmton imazhin e Nobelit. Nobelin e kanë politizuar edhe qeveritë e dështuara. Ato, e shohin atë si një produkt kombëtar dhe komercial, makineri marketingu në tregjet ndërkombëtare. Pra, këtu, ata e ngjizin artin e madh humanist-nobelist me shpirtin tregtar. Ndërkohë që qeveritë duhet të bëjnë punën e tyre, duke ndërtuar shtete të konsoliduara, dhe jo ta përdorin Nobelin, si një pasqyrë krenarie. Krenarë, mund të jenë vetëm ato qeveri që e respektojnë qytetarin dhe vënë humanen mbi komercialen ose vlerat dritëshkurtëra.

Në Perëndim, mbas Luftës së Dytë Botërore, po dominon gjithnjë e më shumë letërsia e pambuktë, që bazohet mbi stilin, madhështinë ose lojën e fjalëve. Përkrah kësaj letërsie dominon edhe letërsia policore, e cila spekulon barbarisht me ankthin që na shkakton vrasja e dhunshme. Kjo ndodh kur një kontinent nuk e njeh luftën për një shekull. Atëherë, arti, ose letërsia humb thelbin e saj madhor, dhe shndërrohet një art ku eksperimentohet me gjuhën, trajtohen tema të cekëta, dhe stili shihet si Mbreti i saj!!

Botuesve, nuk u bëhet vonë, nëse X shkrimtar, historinë e vendit të tij, e kthen përmbys, shkrimtari gënjen, ose i këndon diktatorit, apo loz me fjalët si macja me miun Ai, të boton, nëse proza ka një stil të veçantë dhe është e lexueshme. Nuk e vë pra, ujin në zjarr, nëse proza në fjalë, nuk i shërben lirisë së popullit të tij, apo nuk shndërrohet në ilaç të plagëve të tij. Të përkthehesh në 50 gjuhë, nuk është sukses i vërtetë. Sukses i vërtetë, është të përkthehesh në 50 gjuhë dhe njëkohësisht, të jeshë përballur me dinjitet dhe guxim të madh ndaj plagëve të vendit dhe shekullit tënd.

Por, ne shqiptarët nuk kemi arritur ende në këtë stad, ngaqë nuk kemi larë hesapet me të kaluarën. Në Europën perëndimore, kjo u bë mjaft mirë. Edhe sot, po dënohen bashkëpunëtorët nazistë, edhe pse po i trokasin moshës njëshekullore. Prandaj edhe letërsia është shndërruar në një lodër të fjalëve groteske, dhe stilistikës së shumëllojshme. Aty, nuk thuhet asgjë e re. Nuk hapet asnjë dritare e re. Nuk rrezikohet me zjarrin, as dilet në duel me errësirën dhe pjellat e saj. Rëndësi ka, atë që është stërthënë mijra herë, ta shprehësh ndryshe. Kjo ndodhi gjatë 40 viteve të fundit në letërsinë e vendeve skandinave, prandaj edhe kohët e fundit, po shtohen zërat që letërsia të zgjohet, të braktisë manastirin e saj stilistik dhe këndin e lojërave të fjalëve pompoze, dhe të thotë fjalën e saj të artë, përballet me populizmin luftnxitës që po lind e forcohet kohët e fundit ndaj fobisë së bashkëjetesës shumëkulturore.

Po le të rikthehemi te pyetja: përse na izolokërka Nobeli dhe si ndodh kjo?

Unë mendoj se burimi kryesor është mungesa e humanizmit, depresioni por edhe narcizmi ynë stërshekullor. Narcizmi u fuqizua gjatë pushtimit të diktaturës hoxhiste. “Shqipëria është vendi më i bukur në botë”; “Gjuha jonë, më e rralla dhe e vjetra”; “Na ka zili bota se jemi trima”, etjer. Këto pra, janë fenomene narciste, që rrëshqasin në shenjtërim, dhe kur artin e shenjtëron, e ke vrarë në mes të ditës me një plumb në lule të ballit. Arti, është shërbëtor i shpirtit të lirë. Ai, e ka frikë shenjtërimin, sepse ashtu, i mbyllet rruga shkrimtarëve të rinj, për të hapur dritare të reja, ose të rihapin dritaret ekzistuese, që i mbyllin ose tentojnë t’i mbyllin çdo shekull diktatorët e ardhshëm.

Ne jemi krenarë për Nënë Terezën dhe Nobelin e saj, por në praktikë ne e reflektojmë atë shumë shumë pak, ose fare. Jemi zemërmirë ndaj mikut brenda shtëpisë sonë, jo sepse e duam atë me gjithë shpirt, por për të treguar sa të kamur dhe të aftë jemi për të gatuar. Kanë ndodhur shumë përmbytje në Shqipëri, por ne nuk kemi reaguar siç reagojnë popujt e rritur duke dhuruar gjithçka, ndërsa për mikun, apo turistin, therim edhe gjelin e fundit që kemi, dhe fëmijët i lëmë me barkun bosh. Poetët ankohen se tek ne nuk lexohet, ndërkohë ata nuk abonohen vetë në revistat poetike, ama për t’u botuar duan të jenë të parët.

Shpesh arti qëndron më lart se morali dhe shpirti i popullit që ai përfaqëson. Shqipëria politikisht, mund të krahasohet me Rusinë. Artistikisht, kurrsesi jo! Po marr si shembull artin e letërsisë, meqenëse edhe bëj letërsi. Edhe populli rus është depresiv dhe lëngon nga mungesa e humanizmit dhe vetreflektimit. Por, letërsia të paktën gjatë dy shekujve të fundit, atje, e ka bërë detyrën e saj: ka ngritur lart ndjenjat humane të njeriut nëpërmjet Gorkit, nëpërmjet Tolstoit, tregoi fytyrën e vërtetë të Luftës si dhe ndikimin pozitiv dhe negativ që lot populli ndaj saj; nëpërmjet Dolstojevskit reflektoi mizerjen e skamjes, si dhe raportet e së keqes me të mirës, ia vizatoi fytyrën e egër të Diktaturës staliniste, nëpërmjet Solzhenjicinit, e të tjerëve. Shkurt, në Rusi, politika është diktatoriale, populli i saj, depresiv, përveç letërsisë ruse. Ajo nuk është kurrsesi as depresive, as anti-humane, ndërsa në Shqipëri, si populli, si arti janë pacientë, dhe ky është një problem mjaft serioz.

Dhe tani le t’i rikthehemi Nobelit, që po e ëndërrojmë, dhe sa herë që ëndrra na zhgënjen ne, në vend që të kërkojmë arsyet e refuzimit tek vetvetja, mallkojmë botën. E quajmë atë dashakeqe dhe të pasinqertë ndaj gjuhëve të vogla. Justifikohemi duke thënë se Nobeli është industri komerciale dhe se aty ndikojnë interesat e ngushta politike, etjer. Siç e thashë edhe më sipër, ne shqiptarët, vuajmë prej një depresioni të trefishtë. Atë e maskojmë me kozmetikë, duke u veshur e pispillosur si mos më mirë dhe gishtin ia drejtojmë gjithmonë të tjerëve. Për fat të keq, të njejtat simptoma i shfaq edhe letërsia shqipe. Duke përjashtuar rilindasit, letërsia e mëvonshme, kultivoi një urrejtje sistematike ndaj fqinjve, të huajve, iu shmang qëllimisht plagëve sociale të kohës/shekullit të saj, dhe përveshi mëngët si asnjëherë tjetër të imitojë kollosët e mëdhenj të letërsisë botërore. Njeriu depresiv, siç e dimë të gjithë, ashtu si fukarai ekstrem, bën planet më të bukura dhe të parealizueshme në jetë. Po, kështu edhe letërsia jonë. Në vend, që t'ia pastronte trurin shqiptarit nga tumorët vrasës diktatorialë, ajo u mor me mizerjen e luftërave që u zhvilluan jashtë kufijve të saj, dhe mohoi ose heshti barbarisht ndaj krimeve që kreu diktatura hoxhiste. Arti shqiptar këtu, sipas mendimit tim, e humbi betejën dyfish: materializmi hoxhist e groposi akoma më thellë humanizmin tonë mikroskopik.

Edhe në fushën e dashurisë, letërsia jonë ka dështuar katërcipërisht. Nuk njoh ndonjë roman që të himnizojë dashurinë e një harixhiu me një shqiptar të bardhë, apo me zezak ose serb a grek. Nuk njoh asnjë roman, që t’i paqësojë viktimën me xhelatin, ose tentojë ta bëjë këtë, duke i studiuar ata fillimisht sa më sinqerisht, zbuluar plagët dhe afruar ata drejt njëri-tjetrit, për të ardhur ai mirëkuptimi i madh që viktima e ka nevojë ta shohë/dëgjojë prej xhelatit, por edhe të kuptojmë/zbulojmë shkaqet, përse një foshnje më vonë u bë xhelat, dhe përse foshnja tjetër, viktimë? Xhelati, dikur ka qenë një foshnje e pafajshme, me të cilin ne kemi lozur, qeshur engjëllisht dhe puthur, sikur kemi puthur foshnjën tonë.

Diktaturat më shumë i tremben Dashurisë se sa Lirisë së popullit të saj. Dashuria është më e rëndësishme se sa vetë Liria. Liria ka kuptim kur e ngjiz me dashuri. Për të dashuruar nuk është gjithmonë e domosdoshme të jeshë i lirë. Diktatura shqiptare si çdo diktaturë, e vrau dashurinë jo vetëm duke i shfarosur rebelët e disidentët, si edhe mbjellë urrejtje ndaj familjeve të tyre, por edhe martuar Atë me politikën vrastare. Kjo lloj dashurie është totalisht kombshfarosëse. Këtë e vërejmë jo vetëm në marëdhëniet erotike dhe familjekrijuese të rrangjeve të larta politike, por edhe tek shtresat më të ulëta. Çdo lloj ëndrre që në fakt do të thotë një lloj dashurie, në Shqipëri realizohet nëpërmjet mullirit politik. Arti, në vend që ta merrte në mbrojtje Dashurinë shqiptare, duke i krijuar asaj një qiell të sigurtë, të ngrohtë dhe human, (shembujt i dhashë pak më sipër) ajo u bë pjesë e haremeve politike, ashtu siç e konstatoi aq bukur edhe një studiues Italian këtë vit, kur tha se letërsia shqipe ka lindur dhe është bashkërritur në një djep me politikën shqiptare.

Pastaj, përse përpiqemi që Nobelin ta marrim vetëm nëpërmjet letërsisë? A nuk do t’ishte mirë që ta merrnim atë edhe për Paqe, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës? Fatkeqësisht, siç e thashë më lart, ne nuk e reflektojmë fare zemërgjërësinë e saj. Numërojmë me mijëra fëmijë të pastrehë, që jetojnë në skamje, ose në qendra rehabilitimi, ku shpesh grabiten edhe ato pak para që ndodhen në arkë.

Nobelin për Paqe, mund ta merrnim edhe duke zbutur marëdhëniet armiqësore me Serbinë dhe Greqinë, pa harruar krimet e tyre ndaj nesh. Për fat të keq, politika jonë, ashtu si ajo greke dhe serbe, vetëm se i hedhin zjarr armiqësisë së ndërsjelltë.

Letërsia, si çdo art tjetër, ka të paktën, dy frytshmëri ose funksione. Ajo shërben si ushqim shpirtëror apo busull. Dhe si burim argëtimi. Ne shqiptarët, e anashkaluam fazën e letërsisë edukuese siç e quajnë gjermanët, holandezët, apo orientuese, dhe u hodhëm në letërsinë argëtuese, ose kozmetikën. Ose letërsinë edukuese e kultivuan rilindasit, por ajo nuk mjaftoi, sepse me ardhjen e diktaturës, ajo u bë edukuese e shpirtit të verbër dhe idiotizues.

Shembullin më të mirë, si letërsia përballet/ballafaqohet me popujt pacientë, e gjejmë në letërsinë gjermane të dy shekujve të fundit. Gëte u përkujdes që gjermanët të fitojnë një individualitet më të madh dhe jetojnë në harmoni me natyrën. Nice, iu kundërvu diktaturës fetare. Por letërsia humano-nobeliste e këtij populli fenomenal shkëlqeu fill mbas rënies së diktatorit Hitler. Shkrimtarët gjermanë humanistë, e dinin, se letërsia duhej të groposte forcërisht krimet çnjerëzore të Hitlerit. Gunter Grass e bëri këtë në një mënyrë të pashoqe, duke iu skuqur fytyra prej përkrahjes minimale që i ofroi Hitlerit në romanin e tij të famshëm: “Daullja e llamarintë” Rrjedhimisht, ndjenja e tij e turpit u rrënjos në çdo gjerman. Dhe ai turp i shenjtë letrar, e shpëtoi këtë komb prej monstrës me emrin Hitler. Këtë e bëri edhe Herman Hesse. Ai, nuk tentoi të imitonte gjenitë e mëparshëm letrarë. Nuk bëri letërsi pompoze, as u bë hija e kryeveprave të tjera letrare. Por, në një gjuhë mjaft depërtuese për turmat, bëri letërsi të ngjizur me dashuri për njeriun e lirë, theu tabutë seksuale si edhe ndaj ciganëve tek Gojëarti duke ngritur aty në tempullin hyjnor, miqësitë e pastra midis racës me ngjyrë dhe asaj të bardhë. Këto miqësi, u bënë model i miqsisë së popullit gjerman në jetën e përditshme. Edhe Hajnri Bel, e zhveshi lakuriq epokën e turpshme hitlerike.

E gjithë kjo letërsi, e ndihmoi popullin gjerman, të shkarkojë helmin hitlerik, e t’i skuqet faqja edhe sot e kësaj dite prej marrëzisë së paparë hitlerike.

Cila vepër letrare, muzikore, skulpturore, pikturore, e arriti këtë në Shqipëri? Një vepër, e cilitdo fushe artistike qoftë kjo, që ta bëjë shqiptarin t’i skuqet faqja prej regjimit hoxhist dhe krimeve të tij barbare, sot, totalisht ende të pandëshkuara? Kam frikë, se një të tillë nuk e kemi.

Vërtetë letërsia gjermane, nuk dallohet për koncepte të reja letrare, apo fabula gjeniale, si “Metamorfoza” e Kafkës, por ajo dallohet për ndjenjën e turpit, nivelin e lartë të vetreflektimit, dashurinë për njeriun e lirë, thyerjen e tabuve fetare, racore, seksuale, etjer.

Steinbek, përtej oqeanit Atlantik, na dha në romanin e tij, “Njerëz dhe minj”, një tablo shpirtrëqethëse të varfërisë së kontinentit amerikan si dhe ëndrrën e përjetshme të njeriut për të pasur një copë tokë, një çati mbi kokë dhe një strehë të ngrohtë njerëzore. Ëndrrën e Steinbeck, e bëri realitet më vonë politika amerikane me moton e famshme “American dream”. Ja, pra, edhe një fakt mjaft i bindshëm, rreth ndikimit pozitiv të letërsisë ndaj fatit të njeriut.

Tani po jap disa shembuj, kur disa shkrimtarë nuk e kanë marrë Nobelin, jo sepse e mbaj veten për kritik. Jo, aspak! Por nëpërmjet këtyre shembujve, krijohet një tablo e plotë e letërsisë nobelisto-humaniste dhe asaj luksoze, argëtuese ose të pa-ekuilibruar.

Unë mendoj, se Kazanxaqis nuk e mori, Atë, ngaqë bëri dy gabime të pafalshme: 1) e teproi me kritikën ekstremiste ndaj kishës greke (siç e pësoi edhe Rushdiu me antislamizmin e tij terrorizues) 2) Urrejtjen e grekëve ndaj turqve e fuqizoi edhe më shumë, nëpërmjet romanit të tij, Kapidan Mihalis. Në vend që të krijonte një urë miqësore me turqit, ai e prishi atë. Kazanxaqis pati edhe një shans tjetër. Ai mund ta kishte marrë Nobelin, nëse përshembull do të kishte shkruar një roman për gjenocidin çam, ashtu siç ndodhi me Pamukun që letrarizoi gjenocidin armen.

Shkrimtari holandez Harry Mulisch, një jetë të tërë u ankua me të madhe, sepse sipas tij, i hynë në hak, kur nuk ia dhanë Nobelin. Ai, sipas meje, nuk e fitoi, ngaqë i mungoi humanizmi, sakrifica. Ai mund ta kishte marrë, nëse do të kishte shkruar një roman të sinqertë, rreth mizorive që kryen holandezët në Indonezi, të cilën e mbajtën të pushtuar 500 vjet, apo shitblerjes së skllevërve gjati 400 vjet.

Në Shqipëri, ka drama jo për një Nobel, por për dhjetë. Mjafton një roman i sinqertë dhe i madh ndaj krimeve të diktaturës hoxhiste. Një roman për gjenocidin çam. Ose një roman që afron shqiptarët me serbët dhe grekët. Ato nuk u shkruan, dhe sa kohë që nuk do të shkruhen, Nobelin do ta shohim me dylbi.

Po ta kalonim letërsinë në sitën kronologjike, atëherë do të zbulonim dy lloj letërsish: atë afatshkurtër, ( ose, siç t’i ofrosh një varkë shpëtimi njerëzve që janë duke u mbytur në detin diktatorial apo atë të luftës) dhe atë afatgjatë, ku trajtohen problemet e përjetshme, si mundja e frikës ose ankthit, zbythja e pasigurisë ndaj njëri-tjetrit, përqafimi i dashurisë së thjeshtë, zmbrapsja e babëzisë materialiste, etjer.

Popujt depressive, si shqiptarët, kanë nevojë për letërsi nobeliste, ose siç e quaj unë, afatshkurtër. Njeriu depresiv, këshillohet prej psikologut ose psikiatrit që të jetojë ditë për ditë, dhe të shmangë planet afatgjata. Në artin shqiptar, tentohet të kapet përjetësia. Por si mund të arrihet kjo, kur Arti nuk ia ka vënë gishtin plagëve të kohës së tij?

Shkrimtarët e sotëm gjermanë, e kanë të hapur rrugën për t’u marrë me letërsinë afatgjatë, sepse me letërsinë afatshkurtër, u morën paraardhësit e tyre. Ata, i dorëzuan atyre, një popull që di të vetreflektojë, që ka gjetur baraspeshën shpirtërore dhe është në gjendje të përfaqojë lirinë e një niveli të lartë. Shkurt, ata sot, ndodhen në një pozicion luksoz.

Ajo, që në sytë e mi e bën Gjermaninë e sotme, një vend të bukur është se Arti dhe Politika kanë ecur krah për krah. Të dyja palët ndoqën një qëllim madhor: lirinë shpirtërore të ngjizur me dashuri, zgjimin e ndjenjës së turpit ndaj krimeve njerëzore dhe mirëqënien ekonomike të çdo gjermani. Në këtë vend, sotpërsot, sipas meje, të “bekuar”, Politika dhe Arti sillen si motër e vëlla.

Ndërsa në Shqipëri, letërsia mbas Luftës së Dytë botërore, e shmangu nevojën e letërsisë afatshkurtër, nevojave urgjente, pra, të bëhet ushqimi shpirtëror ose ilaçet kuruese të shekullit të saj, - siç e bënë mjeshtërisht dhe me shumë dashuri e sakrifica, rilindasit, - dhe u hodh në atë afatgjatë.

Pasojat negative janë të mëdha. Ajo dështoi ta vërë shqiptarin përballë dritëshkurtësisë, artificialitetit estetik/kozmetik. Nuk e përballi atë me krimet e diktaturës. Kultivoi një urrejtje të paparë ndaj Perëndimit, por edhe ndaj pushtimit Osman, ndërkohë, që gjatë atij pushtimi, oportunizmi vetvrasës shqiptar lulëzoi në kulm. Pesë familje shqiptare e mbajtën të pushtuar Shqipërinë 400 vjet, paçka se ne e letrarizuam si përbindëshe turqinë osmane, dhe shmangëm për të satën herë bashkëpërgjegjësinë tonë. Diktatura hoxhiste, e përkrahur edhe prej artit të saj, e bëri këtë, për të rritur nevojën tek shqiptari, për t’u vetizoluar. Në fytyrën e pushtimit osman, u identifikua armiqësia fiktive e fiqinjve tanë, ose të tërë Perëndimit. Rrethimi i Skënderbeut prej osmanëve, u risoll në jetë, me rrethimin e Shqipërisë, telat me gjemba, që krijoi Enver Hoxha. I urrej keqkuptimet, prandaj edhe po e bëj të qartë: pushtimi osman, na dëmtoi mjaft, ashtu siç dëmtoi të tërë Ballkanin. Por, ne, ashtu siç po rezulton edhe sot, u dëmtuam më shumë, prandaj edhe jemi të fundit në Ballkan. Arsyet, janë, mercenarizmi ynë, pabesia e udhëheqësve shqiptarë në kohë pushtuese, dobësia e inteligjencies shqiptare, e cila në kohë kolere, ia mbath drejt Perëndimit, ose bëhet bori e politikës vrastare shqiptare, etjer. Fenomenet e kësaj traume, vërehen edhe tek diaspora. Jasht kufinjve shqiptarë, ne nga njëra anë, jemi të artë për punëdhënësin e huaj, ndërsa ndaj shqiptarit vazhdojmë të jemi, po aq idhnakë, dashakeqas, xhelozë, sa dikur. Punëdhënësi i huaj ka zëvendësuar këtu dhjetra sulltanët dhe largqoftin, Enver Hoxhën, sepse ndaj tij, ne u treguam të mirë, ndërsa ndaj vetvetes dhe fqinjve katilë. Edhe një shenjë tjetër depresive pra! Njeriu depresiv, është i keqi i vetvetes, dhe i arti i tjetrit!

Siç e thashë, edhe më lart, kur ARTI fluturon po aq lart sa populli pacient, ai e izolon atë për një kohë të gjatë. Pak a shumë, kjo ndodh edhe me një pacient depresiv, kur psikologu ose psikiatri, nuk ia prek egon, nuk ia mban pasqyrën përpara boshëllëkut të tij shpirtëror, por e lëvdon atë një jetë të tërë, dhe shfajëson atë se për gjithçka që atij/pacientit i ndodh, përgjegjës është keqbërësi. Ndërkohë, që në praktikë gjërat rrokullisen ndryshe.

Prandaj, edhe fiksimi ynë sa tragjik aq edhe komik, për marrjen e Nobelit, po na izolon gjithnjë e më shumë. Edhe këtë herë, fajin që nuk po e marrim, e ka dashakeqësia që Bota ushqen ndaj nesh.

Shqiptarët, duhet të kuptojnë, se çmimi Nobël në çdo fushë artistike, merret kur bëjmë art të nevojave afatshkurtëra. Heminguej e mori Nobelin duke bërë edhe letërsi afatshkurtër, “Lamtumirë armë” edhe duke bërë letërsi afatgjatë “Plaku dhe deti”. Ky është një ndër rastet fatlume, mjaft të rralla. Kamyja, e mori vetëm me letërsi afatgjatë, por ai solli një filozofi të re, një rrymë të thellë filozofike që ndikoi të tërë shekullin e tij.

Fatkeqësisht, Arti shqiptar, e justifikon vetizolimin dhe vetviktimizimin tonë, përderisa ai, të keqen e kërkon nga jashtë-brenda, ndërkohë, që duhej të ndodhte e kundërta: problemi të kërkohet nga brenda-jashtë. Njeriu depresiv pranon me krahë hapur çdo lloj komplimenti, sado falls dhe i shtirë që ai është. Kjo ndodh edhe tek ne. Çmimet Ndërkombëtare i çmojmë më shumë se sa VETË Artin. Jo më kot, ne, edhe pse kemi lexuar Shekspirin dhe të tërë kollosët e tjerë të prozës botërore, nuk jemi bërë ende njerëz, ngaqë barkun dhe trutë i kemi të infektuara prej virusëve të laprtpërmendur. I kemi lexuar të gjithë nobelistët botërorë, e prapseprapë nuk e kuptojmë mosmarrjen e tij, ngaqë nuk kemi zbuluar dashurinë për vetveten dhe mëshirën ndaj fqinjit tonë. E kemi një grua nobeliste, Nënë Terezën, por sjelljen e saj nuk duam ta ndjekim, ama shkëlqimin e Nobelit të saj, e shijojmë në maksimum.

Me këtë mendësi artistike, ne mund të justifikojmë dështimin tonë të gjithanshëm, dhe hakërrohemi botës skeptike ndaj izolimit tonë kryeneç…

Një grua aktiviste kur u vjen në ndihmë grave të përdhunuara seksualisht, dhe keqtrajtuara trupërisht, nuk e çon asnjë çast mendjen tek Nobeli. Ajo i ndihmon ata jo për t’u bërë e famshme, por për të shmangur vuajtjet e vazhdueshme të miliarda grave në botë. Edhe nëse ia japin Nobelit, ajo me siguri që do ta pranojë atë, vetëm nën kushtin, që gra të tjera të ndjekin shembullin e saj: të mos heshtin ndaj shkeljeve të drejtave të saj, kryesisht nga burrat.

Nobeli fitohet çdo ditë, dhe jo vetëm gjatë javës së parë të muajit Tetor. Mjafton që të kultivojmë në jetën tonë të përditshme kulturën humaniste, çmimet Nobël do të na trokasin vetë në derë, dhe jo siç bëjmë ne: marrin gurë më të mëdhenj se sa koka jonë, dhe i flakim ato në portën e Nobelit. Nobelistja për letërsi e vitit 2015, ishte duke hekurosur rroba, kur e njoftuan për fitimin e Nobelit. Ndërsa, ne, i biem borive për të na e dhënë.

Ndërsa në hapësirën tonë, për fat të keq, janë pikërisht njerëzit kriminelë, gënjeshtarë, oportunistë, ata, të cilët e mprehin dhëmbin për çmime nga më të ndryshmet. Dhjetra heronj të shpallur prej diktaturës hoxhiste, mbajnë edhe sot medalje të pamerituara, ngaqë ata i kanë shërbyer fashizmit dhe mullinjve vrasës dhe përçarës të Enver Hoxhës. Çmimet për këta njerëz janë një maskë për të mbuluar krimet e tyre. Piktorë, muzikantë, shkrimtarë, poetë, që i kënduan diktaturës, përpiqen që nëpërmjet artit që zgjodhën, dhe gllabërimin e çmimeve të mëdha, si marrja e Nobelit, të fshehin mëkatet e tyre kombshkatërruese. E dinë mirë, që një ditë do të dalë e vërteta mbi shesh. Krimet e tyre fizike dhe morale do të mbahen para dritës së të vërtetës. Prandaj, edhe ata disponojnë të gjitha mjetet që kanë në dorë edhe sot e kësaj dite: mediet, servilët, atë popullatë shqiptare që i ngjan atyre: gënjeshtarë, burokratë, vrasës, që nuk duan të ndryshojnë, por vazhdojnë të sillen në jetën e tyre publike dhe private, njëlloj si në diktaturë. Një lopçar, nëpunës shteti, apo një shitës, moralisht janë vëlla e motër me një, këngëtar skulptor, shkrimtar apo politikan. Prandaj edhe ata e gjejnë vetveten. Artisti, lopçari, artisti apo nëpunësi vrasës a gënjeshtar, SI në kohën e diktaturës, SI sot, ndjehen të pafajshëm. “Kështu ishte atëherë’ mërmërisin ata. Prandaj edhe nëpunësi apo lopçari i atëhershëm, sot ka të drejtë ta mbajë ballin lart dhe pretendojë prej atdheut shqiptar, respekt e pozitë shoqërore. Artisti, po ashtu. Ai, sipas tij/saj, meriton çmimet më të mëdha, një Nobël, për veprën e tij, paçka se ajo në thelb, është një pasqyrë, që nga njëra anë shihet diktatori, dhe nga ana tjetër, artisti, që e krijoi atë…

Diktaturat, nga ana tjetër, do të bëjnë të pamundurën që Nobelin, i çfarëdolloj fushe qoftë ai, ta marrë, në këtë rast, ai artist që Shqiptarit ia shuan etjen për dashuri me gotën bosh. Diktaturat klasike, si ajo hoxhiste me tela me gjemba, si kjo e sotmja, diktatura posthoxhiste, nuk janë budallaqe që të lobojnë për një artist që i nxjerr atyre sytë.

Por edhe nëse ato nuk e kapin Nobelin prej bishti, ato e kanë të gatshme kartën rezervë, Xhokeri i Zi narcist, qëndron mbi tavolinë: “bota nuk na do, na ka zili të madhe, sepse jemi një vend i vogël, por gjithsesi më i mençur, ditur dhe mjeshtër për të bërë art”. Dhe kështu, ne, i mbetemi besnik artit që ta shuan etjen me gotën bosh,.

Pa dyshim, për ta fituar Nobelin, më fort bërtasin Diktaturat me artin anti-human, trushpëlarës, përçarës dhe kozmetik. Përkrah saj, ulërijnë sivëllerëzit e saj, botuesit oportunistë, të cilët, atë, Nobelin, do ta pranonin, edhe me Mein Kampfin e Hitlerit!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat