​Ferizaj bëhet me qendër rinore dhe kinema

Kultura

​Ferizaj bëhet me qendër rinore dhe kinema

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 15:40

Në Ferizaj është vënë gurthemeli për ndërtimin e kinos dhe qendrës rinore, projekt ky i komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në këtë solemnitet morën pjesë struktura udhëheqëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, komandanti i KFOR-it amerikan në Bondsteel si dhe shumë e shumë mysafirë të tjerë.

Në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se dita e sotme është shumë e rëndësishme për gjithë ferizajasit.

“Unë jam shumë i lumtur që sot po vendosim gurthemelin e Qendrës rinore dhe të Kinos në komunën tonë, si një shenjë e përkushtimit për t’u krijuar hapësira të reja të rinjve tanë për ta organizuar kohën e tyre dhe për të mundësuar shfaqjen e prirjeve dhe angazhimin e përditshëm. Ferizaj dhe Kosova e kanë një resurs të çmuar e capital- rininë, e cila me një organizim të mirë dhe me kushte më të përshtatshme, mund të japë rezultate të lakmueshme në zhvill imin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë. Ne si pushtet lokal, në vazhdimësi i kemi mbështetur organizatat rinore për t’u organizuar në veprime, aksione e projekte, të cilat kanë pasur për qëllim krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët, ngjalljen dhe zhvillimin e aktiviteteve edukative, kulturore, sportive e zbavitëse. Por, nuk mund të lavdërohemi për kushtet në të cilat këto organizata e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre. Megjithatë, angazhimet nuk kanë munguar”, ka thënë kryetari Svarqa.

Në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, të pranishmit i ka përshëndetur ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

“Ky objekt, ky bashkëfinancim i komunës dhe qeverisë, tregon më së miri përkushtimin për ndërtimin e objekteve të tilla”, ka thënë Zharku.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Faton Peci është shprehur se me ndërtimin e qendrës rinore dhe kinemasë, ferizajasit do të kenë mundësi shumë të mira për zhvilluar aktivitete e tyre kulturore.

Vlera e këtij projekti është mbi gjysmë milioni euro, mjete këto të komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat