Igli Mezini, nga Kana në teatrot gjermane

Kultura

Igli Mezini, nga Kana në teatrot gjermane

Më: 22 nëntor 2015 Në ora: 18:25

Balerini shqiptar, rrëfen rrugëtimin nga Kana e Festivalit të Filmit në Teatrin Historik të Wiesbaden në Gjermani…Interpretimi si pjesë e trupës që shoqëroi filmin “Gebsi i madh” përkrah Leonardo Di Caprio ose Lana Del Ray, dhe ëndrra për të prekur skena të tjera të njohura
Ka gjithnjë një moment që na shtyn drejt një rruge dhe mijëra momente që me kalimin e kohës vërtetojnë në heshtje që kjo është rruga që të përket ty ose se sa ti i përket kësaj rruge. Igli Mezini, balerin shqiptar, nuk kthehet shpesh tek ai moment kur për herë të parë hyri në Shkollën e Baletit, ende fëmijë, por sjell shpesh në mendje se zgjedhjet në jetë janë të destinuara.

“Si çdo fëmijë në moshën 7-vjeçare dhe unë isha i pasionuar pas futbollit, dhe kaloja një pjesë të mirë të ditës duke luajtur me bashkëmoshatarët e mi. Gjithçka ndryshoi kur hyra në klasën e parë, ku prindërit e mi kishin dëshirë që përveç angazhimit në shkollë të kisha dhe një angazhim tjetër mundësisht në art. Të pasionuar pas trupave të baletit, që vinin përmes imazheve nga ekranet e huaja, ku balerinë të qeshur, veshur me kostume me ngjyra të joshnin drejt një bote magjike, ata vendosën të më shihnin në atë botë”, kujton ai. E një ditë, do ta gjente veten në ambientet e një shkolle ku muzika do të mbushte pjesën më të madhe të ditës dhe atij thjesht i duhet të ndiqte ritmin, përmes trupit.

Tetë vitet e kaluara në Shkollën e Baletit në Tiranë do të ishin vite të vyera për të. Me një traditë të mirë në formim, kjo shkollë do të zbulonte tek ai balerinin e ardhshëm. “Tetë vite punë rigoroze e disiplinë që për moshën që kisha nuk arrija ta konceptoja mirë, e më dukej e tepruar e ndoshta përtej limiteve të mia. Me kalimin e kohës vërtetohej ajo që thoshin të gjithë që “është zanat i bukur, por i lodhshëm”. Kjo ishte pjesë e një leksioni të rëndësishëm për të mos u dorëzuar, ashtu si shumë mësues të nderuar të asaj shkolle besuan dhe nuk u dorëzuan për mua. Ishte një fillim i ri në drejtim të profesionalizmit ndër vite, që më dha mundësinë të fitoja më pas një bursë të plotë studimi në Kanë, në Francë”, kujton ai. Kana do të hapte para djaloshit shqiptar të tjera vizione dhe do ta grishte më shumë ëndrrën për t’u përsosur në balet. Për gati tre vite vendi të cilin e njihte për plazhet e mrekullueshme, eventet e njohura të artit dhe qyteti ku dynden vizitorët do të ishte shtëpia e tij. “Shkolla e njohur në rang ndërkombëtar “Rosella Hightower” më dha një bursë të plotë që më ndihmoi mua dhe ekonominë modeste të familjes time. Gjithçka rifilloi. Kësaj radhe ishte akoma dhe më ndryshe se fillimet e tjera. Isha në një vend të huaj i rrethuar nga njerëz që vinin nga e gjithë bota me kultura të ndryshme. Vetvetiu plus objektivave profesionale kësaj radhe u shtua dhe kujdesi për imazhin që familja ime kishte punuar e sakrifikuar shumë. Tani ishte radha ime që këtë ta pasqyroja te njerëzit shumë profesionistë që më rrethonin”, thotë Mezini.

Puna me profesorë e koreografë të njohur, por dhe mundësitë që ata i besuan, do ta bënin balerinin shqiptar të binte në sy jo vetëm të profesorëve e koreografëve, por dhe të publikut. Janë me dhjetëra pjesët ku ai u shfaq si solist, duke krijuar fizionominë e një artisti që dukej se kishte nevojë për skenën që të shprehej më mirë me anë të kërcimit. Në edicionin e 66 të Festivalit të Filmit në Kanë, dy vjet më parë Mezini u përzgjodh si pjesë e trupës që do të hapte siparin e festivalit, duke debutuar si pjesë e produksionit të filmit të njohur “Gebsi i madh”, përkrah aktorëve si Leonardo Di Caprio, Lana del Rey e shumë personazheve të tjera të njohura të filmit. Igli e kujton Kanën si një kohë që vetëm i dha shumë zhvillim kujtesës dhe profilit të tij artistik, si ditë ku çdo moment ai merrte diçka të re mbi artin dhe e shihte këtë të fundit në një dimension tjetër nga e kishte parë më parë. Kjo, pasi Kana nuk ishte thjesht një imazh, por një art që të ftonte e të futej thellë në lëkurë. Ishte një eksperiencë që i dha shume jo vetëm në formim, por dhe në marrëdhëniet njerëzore, në një grup të rinjsh që ndanin të njëjtën ëndërr, për baletin. Kur Teatri Wisbaden në Gjermani e ftoi t’i bashkëngjitej si solist, Igli e dinte se kjo nuk do të kishte ndodhur pa Kanën. Aty liria në interpretim, leksionet e marra mbi muzikën, lëvizjet dhe gjithçka tjetër që i duhet një balerini, kishin ndërtuar profilin e një artisti që do t’u hapeshin lehtë dyert e teatrove. Ai zgjodhi teatrin Wiesbaden, një teatër i njohur për një histori qindravjeçare mbi baletin, ku kanë interpretuar emra të njohur të baletit botëror, për të nisur karrierën e tij si solist, pas Kanës. Tashmë ai është pjesë e një trupe prej 28 balerinësh të nacionaliteteve të ndryshme, që i japin jetë këtij teatri. Veprat ku i duhet të interpretojë si solist janë të ndryshme, por të mbushura me një energji, që e bën të besojë se baleti është një formë, e cila gjithnjë do t’i bëjë bashkë njerëzit.

Pas 15 vitesh me kërcimin, tashmë ndien se rruga drejt karrierës është hapur ashtu siç hapet muzika që ndezin çdo mëngjes në prova”. 28 balerinë të gjeneratave të ndryshme përbëjnë kompaninë në të cilën bëj pjesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat