Sylë Zarbinca- një luftëtar me të gjitha virtytet atdhetare e njerëzore...

Kultura

Sylë Zarbinca- një luftëtar me të gjitha virtytet atdhetare e njerëzore...

Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 20:55

Gjilan, 21 nëntor. Në sallën e Teatrit të qytetit, Gjilanit, sot u bë përurimi i monografisë “Sylë Zarbinca – luftëtari i Shqipërisë etnike”, autori dr. Faik Shkodra. Një monografi e plotë. Monografi kushtuar jetës dhe veprës së Sylë Zarbinës, një luftëtar i Shqipërisë etnike. Fillimisht, Sylejman Dërmaku, redaktor tha se, “... qëndresa e atdhetarëve tanë, siç ishte dhe Sylë Zarbinca, kundër murtajës komuniste, që më se gjysmë shekulli sundoi me flakë e hekur, duke mbushur burgjet anekënd atij shteti kreaturë me atdhetarë kryesisht shqiptarë, është shembull unik jo vetëm në historinë tonë kombëtare, nëse nuk e kujtojmë dhe nuk e kuptojmë të kaluarën, ajo kthehet, në një mënyrë apo në një tjetër. Ai citoi Çerçilin, ku me këttë ras tha: “ Sa më larg të shikoni prapa, ka gjasa aq të shihni aq më larg përpara”!.

Dhe, “shpërfillja e padrejtësive të së kaluarës dhe abuzimi i tyre politik, siç ka ndodhur përgjatë historisë sonë, janë dy anë të së njëjtës medalje. Ideali i lirisë është forcë livizëse e të gjitha aktiviteteve, ndërsa kufizimi shoqëror i lirisë së individëve të tjerë”. Duke folur për veprën dhe idealet e Sylë Zarbincës si luftëtar, S. Dërmaku, redaktor i librit, ka shtuar se, këto forma të këtilla të kujtimit të luftëtarëve që i bënë rezistencë padrejtësisë edhe atëherë kur tashmë ishte shpallur e përfunduar Lufta e Dytë Botërore, si është Sylë Zarbinca, Mulla Idrizi, Muharrem Fejza e të tjerë atdhetarë, është, nëse asgjë tjetër, një larje borxhi para brezave, të cilëve duhen shpejguar të gjitha rrjedhat e prerjes së fatit tonë kolektiv dhe copëtimin e pamëshirshëm të trojeve tona etnike”. Andaj, ai tha edhe këtë se, kjo monografi e shumëpritur është e përgaditur një kohë të gjatë për personalitetin e Sylë Zarbincës, luftëtarin e Shqipërisë etnike, nga autori, Dr. Faik Shkodra, ku kohë më parë doli nga shtypi dhe pa dritën e botimit”, e cila është në duar të lexuesve dhe të afërmëve. Autori ka bërë mirë që në të ka përfshirë edhe shkrime të të tjerëve, sidomos të familjarëve, për kryepersonazhin, po edhe këngë të rapsodëve kënduar për të dhe për trimërinë e tij. Në fund ai shtoi edhe këto fjalë, se, në monografinë e F. Shkodrës është shoshitur personaliteti i Sylë Zarbinës jo vetëm si luftëtar, por edhe si familjar e rapsod, pra është dhënë portreti i tij i plotë, si njeri i mbrujtur me të gjitha virtytet atdhetare e njerëzore”.

Ndërsa, Prof. Dr. Xheladin Shala, recensent, tha se, autori i kësaj monografie, dr. Faik Shkodra na ka afruar një vepër mjaft serioze dhe me vlerë shkencore për një personalitet shumë të nderuar të rezistencës kombëtare – për trimin e paepur Sylë Zarbincën. “Pra, autori është përpjekur që të jetë sa më i përpiktë dhe sa më i thellë në pasqyrimin e jetës së shkurtër, por të begatshme të figurës së spikatur të Sylë Zarbincës, nga një këndvështrim i veçantë, duke mos i fryrë e zmadhuar bëmat e trimit në fjalë”. Ai ka shtuar edhe këtë se, Dr. F. Shodra ka derdhur shumë djersë e ka bërë shumë mund për ta paraqitur sa më thuktë veprimtarinë atdhetare të luftëtarit në fjalë. Andaj, “përmes kësaj monografie është ndriçuar personaliteti i Sylë Zarbincës dhe njëkohësisht është hedhur dritë edhe mbi ngjarjet e rëndësishme historike të ndodhura gjatë kohës se jetës së tij të shkurtër, por mjaft të ngjeshur kombëtare. Xh. Shala shtoi edhe këtë se, në monografinë në fjalë është pasqyruar dhe është dëshmuar Lufta e Velegllavës, më 28 qershor 1944, ajo e Majës së Kikës, më 26 korrik 1944, Lufta e Bujanocit, më 17 shtator 1944 dhe betejat e tjera në Gjilan, në dhjetor të vitit 1944, si në Zajçec, Sfircë, Hajkobillë, Tërstenë, Desivojcë, Lajçiq, Zarbincë, Qarr, Priboc etj”. Dhe, krejt në fund tha se, veprës së tij atdhetare, Syla mbeti simbol i qëndresës dhe metaforë e pavdekësisë, krahas burrave të shquar, si: Gjon Serreqi, Idriz Gjilani, Muharrem Fejza, Shefki Bunjaku e shumë të tjerë, të cilët, si një, luftuan për Shqipërinë etnike dhe, falë heroizmit të tyre, ne sot jemi ku jemi”.

Për veprimtarinë atdhetar foli edhe dr. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, i cili tha se, ky njeri ishte i veçantë, për faktin se, luftën e bëri përherë me shokë duke mbrojtur kufirin nga pushtuesit shekullor. “Ky ishte model që bëri rezistencë për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Kjo monografi kushtuar këtij trimi e luftëtari për liri, është bërë në mënyrën më të mirë, të mudshme prej një profesionisti, siç është dr. F. Shkodra, i cili na solli një emër të madh të luftës për rezistencë.

Libri ka një strukturë të qëlluar, ku autoir ka vjelë jo vetëm këngë, por edhe biseda e rrëfime që janë “sende” e ngjarje të mjaftueshme për të pasqyruar një personalitet të madh të kësaj kohe. Këtu ka vende, emra njerëzish, por ka edhe kohë, vite e të bëra të heroizmave të njerëzve tanë, të cilët, si pikë synim e patën luftën për liri dhe pavarësi të vendit.

Unë e përgëzoj autorin që ka bërë një vepër të plotë dhe me materje të bollshme për ndriçimin e një figura atdhetare, siç ishte i madhi atdhetar, Sylë Zarbinca – luftëtar i Shqipërisë etnike”. Në fund, Dr. Faik Shkodra, autori i monografisë “Sylë Zarbinca – luftëtar i Shqipërisë etnike”, tha se, pas këtyre fjalëve të mëdha nga parafolësit e mi, s’di sa mund të flas unë, për faktin se, gati të gjitha u thanë. “E kam vështirë, por më duhet patjetër të shtoj diçka që ia vlen. Lasgushi ynë i madh, në një rast, a pati shtuar: “Autori nuk ka çka flet, ai i ka vetëm dy fjalë”.

Do të mundohem ta respektoj këtë “këshillë” të tij të madhe, i cili mesazh është domethënës dhe me vend. Me këtë projekt jam munduar ta ndiçoj një figurë mjaft të njohur të një kohe të rezistencë sonë, sepse, ne jemi ata që ia kemi për borxh ta zbardhim luftën dhe padrejtësitë që i janë bërë popullit tonë. Ai, si luftëtar më ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme, për faktin se, u gjend me shokë, të cilët kontribuan mjaft në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit nga pushtuesit e mëdhenj të një kohe. Si të gjithë të tjerë, edhe unë jam munduar ta pasqyroj një personalitet të rrallë prej luftëtari, si ishte Sylë Zarbinca, një emër i shënuar në historinë e popullit tonë shqiptar. Atdhetarët mbetën atdhetarë dhe shkojnë me kohën. Dhe në fund, le të jetë kjo monografi një kujtim për të gjithë ne, por edhe brezërat që do të vijnë. Ju falemnderit për pjesëmarrje”! Tefik Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat