KPF miraton kërkesat e opozitës për të diskutuar për gjendjen në teatër dhe ndërtimet pa leje ...

Kultura

KPF miraton kërkesat e opozitës për të diskutuar për gjendjen në teatër dhe ndërtimet pa leje ...

Nga: T. Selimi Më: 20 nëntor 2015 Në ora: 14:08

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka miratuar të premten kërkesat e opozitës që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, më 30 nëntor, të diskutohet për ndërtimet pa leje dhe gjendjen në teatër.

Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komual, ka thënë se për ndërtimet pa leje është diskutuar edhe në seancën e kaluar të Kuvendit, në pikën e rendit të ditës nën të ndryshme, ndërkaq ka rikujtuar se edhe gjendja në teatër, më herët është diskutuar me kërkesën e opozitës.

Sa i përket teatrit, Bunjaku-Rexhepi tha se asaj nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për të diskutuar gjendjen në këtë institucion, duke sqaruar se Komuna e Gjilanit ka ndarë më herët subvencione për teatër, por zgjidhja duhet të bëhet në Ministrinë e Kulturës, duke ia rikthyer statusin e teatrit profesionist.

Kërkesat për t`i diskutuar në Kuvend Komunal këto dy çështje kanë ardhur nga Sahit Abazi e Bujar Nevzati (PDK) dhe Nevzad Isufi (VV) dhe janë përkrahur edhe nga subjektet tjera, Valentina Bunjaku-Rexhepi e Avdyl Aliu (LDK), Selvete Shurdhani (PD) e Ismet Hajdini (AKR).

Komiteti ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe projekt-rregulloren për kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, projekt-planin strategjik lokal për trajtimin dhe parandalimin e korrupcionit, draft-planin lokal të veprimit për riintegrim, propozim-vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal si dhe rekomandimin për riorganizimin e komiteteve, thuhet në një informatë të lëshuar nga Zyra për informim në Gjilan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat