Në USHT u bë promovimi i tri veprave të Doc. dr. Bekim Kadriut

Kultura

Në USHT u bë promovimi i tri veprave të Doc. dr. Bekim Kadriut

Më: 18 nëntor 2015 Në ora: 09:18

“E drejta ndërkombëtare private”, “Mbrojtja nga diskriminimi në të drejtën ndërkombëtare dhe Republika e Maqedonisë”, si dhe “Diskriminimi sipas moshës në të drejtën ndërkombëtare” ishin titujt e veprave që u promovuan sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës nga autori Doc. dr. Bekim Kadriu, ligjërues në Fakultetin Juridik të USHT-së. Në promovimin e këtyre veprave morën pjesë një numër i madh i personaliteteve të njohura nga jeta akademike, intelektuale, politike – shoqërore, në mesin e të cilëve ishin edhe Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, deputetë, sekretarë shtetërorë në Qeverinë e Maqedonisë, profesorë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, si dhe një numër i madh i studentëve të USHT-së.

Dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, Prof. dr. Ferat Polisi me fjalë rasti iu drejtua auditorit, duke theksuar se dekanati i Fakultetit Juridik, me mbështetje të pa rezervë nga Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, përkrah projekte të ndryshme shkencore. “Ju e dini shumë mirë që fakulteti ynë ka organizuar Konferenca ndërkombëtare, debate të ndryshme, tryeza të rrumbullakëta për tema aktuale dhe aktivitet të tjera. Edhe botimi i librave nga profesorët tonë ka rëndësinë e njëjtë për ne. Nga tre librat e profesorit Bekim, vlen të theksohet libri ,,E drejta ndërkombëtare private”. Jam i sigurt se kjo vepër do ta arrijë qëllimin që t’i përmbush kërkesat e studentëve dhe planprogramin e Fakultetit Juridik. Shpresoj dhe besoj se ky komplet librash do të jetë shumë i vyeshëm për studentët tone”, tha Prof. dr. Ferat Polisi.

Për veprën “E drejta ndërkombëtare private” folën recensentët e librit, Dr. Mehdi Hetemi dhe Dr. Trajan Bendevski, të cilët theksuan se libri i Doc. dr. Bekim Kadriut për të drejtën ndërkombëtare private paraqet një rezultat të punës shumëvjeçare të autorit. Ky botim sipas recensentëve ka ardhur si mungesë e literaturës përkatëse për studentët e drejtësisë në vend dhe më gjerë. Libri në fjalë e përfshin në tërësi materien e së drejtës ndërkombëtare private, vlerësuan recensentët e librit.

Recensentët e librit “Mbrojtja nga diskriminimi në të drejtën ndërkombëtare dhe Republika e Maqedonisë”, Dr. Blerim Reka dhe Dr. Margarita Kola u shprehën se ky libër analizon rregullat juridike ndërkombëtare dhe nacionale që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga diskriminimi. Ata shtuan se rëndësia e këtij libri shihet sidomos në faktin se diskriminimi si koncept është relativisht i ri për sistemin juridik të Republikës së Maqedonisë. Për këtë arsye, duke i sqaruar elementet kryesore të diskriminimit si koncept juridik, ky libër ofron një bazë të shëndoshë të njohurive për studiuesit e kësaj fushe, deklaruan recensentët.

Ndërsa për librin “Diskriminimi sipas moshës në të drejtën ndërkombëtare” folën recensentët e librit, Dr. Bajram Pollozhani, Dr. Zhaneta Stojkoska dhe Dr. Bujar Ahmedi. Sipas recensentëve, ky libër e analizon çdo aspekt juridik të diskriminimit sipas moshës. Ata shtuan se autori i librit diskriminimin sipas moshës e analizon nga këndvështrimi teorik, me qëllim që të gjenden specifikat e kësaj forme të diskriminimit me çka ajo dallohet edhe nga format tjera. Po ashtu, autori i ka sqaruar edhe format e veçanta të diskriminimit sipas moshës edhe atë diskriminimin direkt dhe indirekt, thanë recensentët.

Autori i veprave në fjalë, Doc. dr. Bekim Kadriu shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe të gjithë ata që e mbështetën në këtë punë shkencore. “Dua të falënderoj të gjithë recensentët për punën e shkëlqyer që kanë treguar gjatë bashkëpunimit me mua, më në fund puna jonë u kurorëzua me botimin e këtyre veprave. Nuk dua të flas për librat nga se çdo gjë thanë recensentët. Më lejoni që të falënderoj edhe komunat shqiptare dhe kryetarët e komunave që më mbështetën, po ashtu e falënderoj familjen time të ngushtë për përkrahjen që më kanë dhënë dhe gjithashtu dua të falënderoj dy personalitete mjaftë të rëndësishëm që gjatë gjithë kohës që unë jam këtu më kanë mbështetur dhe këtë nuk ua harroj kurrë në jetë, Rektorin e USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ametin, si dhe Prorektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të USHT-së, Prof. dr. Arbër Çelikun, si dhe gjithë udhëheqësinë e Universitetit. Dua të falënderoj publikisht para jush edhe përkrahësin më të madh timin dhe të familjes, gjyshin tim Lazam Kadriu”, tha Doc. dr. Bekim Kadriu.

Sipas autorit Doc. dr. Bekim Kadriu këto vepra do ta pasurojnë literaturën juridike dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për studentët që do të studiojnë fushat e drejtësisë.
Zyra për informim

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat