Patronime me interes edhe për studime pellasde-ilire-shqipe

Kultura

Patronime me interes edhe për studime pellasde-ilire-shqipe

Nga: Prof. Dr. Rexhep DOÇI Më: 18 nëntor 2015 Në ora: 07:12

Që në fillim të librit është bërë me dije se zanafilla e emërtimit Gjakovë fillon në shekullin XV-XVI, sipas gojëdhënës, me emrin e Jak Vulës dhe Hadum Agës (M.Arlati-M.Rogova, Patronimet në Gjakovë, Gjakovë, 2015, f. 13. Më tej citohet PGj.). Si vendbanim i hershëm, i madh, dhe si vend pazari Gjakova njëmend përmendet në Defterin e Shkodrës të vitit 1485 me 66 shtëpi, ku theksohen emrat e të zotëve të shtëpive me interes për studime onomastike (S. Pulaha, Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, Tiranë,1974, f. 210-211). Po t’i krahasojmë antroponimet e atëhershme të Gjakovës me patronimet e sotme të shqiptarëve në këtë monografi patronimike, na del qartë një pasqyrë me të dhëna onomastike të pakrahasuara, sepse kemi vijimësinë apo kontinuitetin antroponimiko-patronimik disashekullorë të krijimeve të patronimeve të sotme nga antropnimet e atëhershme. Për shembull, atëherë (më 1485) janë regjistruar antroponimet: Preniqi, pra antroponimi Pren, e sot gjenden patronimet Prendedaj e Prenndreca (ka mendime se antroponimi Pren buron nga fjala mbase latine në shqipe perëndi); atëherë përmendet banori Dedaçi, i biri i Gjorgjit, kurse sot gjenden patronimet Dednikaj, Dedlleshi, Gjondedaj e Prendedaj; atëherë shfaqet banori Komani, e sot është patronimi Komani (bashkautorët flasin gjerësisht për patronimin Komani-Komoni dhe për vendin Komoni në Shqipëri, që është vend arkeologjik); atëherë banorë të Gjakovës ishin Nika, Nikza, Nikolla, ndërkaq sot gjallërojnë patronimet Nika-Nikaj, Nikoliqi, Dednikaj; atëherë ishte banori Gjoni, i biri i Gegës, ndërsa sot janë dhënë në libër patronimet Pergegaj e Pergjegjaj; atëherë Bobza ishte i biri i Palit, dhe sot gjendet familja Paloja, etj.(Shih Defterin e Shkodrës-1485, f. 10-11). Sipas këtyre të dhënave, dhe njohurive onomastike që kam për përkatësinë etnike të popullatës mesjetare të Kosovës, del binshëm mendimi se të gjithë banorët e atëhershëm të Gjakovës dhe më gjerë me emra jo vetëm shqiptarë, po edhe me emra vetjakë hebraikë krishterë, mandej me prejardhje gjuhësore latine, bizantine-greke dhe sllave ishin shqiptarë. Pastaj, në fillim të shekullit XX, sipas profesor Mark Krasniqit: “Ideologu i politikës serbomadhe, akademiku Jovan Cvijiqi shkruante kah fillimi i këtij shekulli se në Kosovë serbët përbëjnë vetëm 5 %, jetonin vetëm 93 000 banorë serbë e malazezë”(M. Krasniqi, në gazetën “Rilindja”, 2.VI. 1990, Prishtin, 1990, f. 10). Dhe, siç kam konstatuar unë në veprën “Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kovë (sipas onomastikës) (1994)”, kjo popullsi u formua nga iliro-shqiptarët më tepër apo gati krykëput prej popullsisë ilire-shqiptare përreth disa kishave të fuqishme orthodokse mesjetare (pranë të cilave edhe disa shqiptarë të ritit katolik mbetën katolikë), që këta shqiptarë, duke e ruajtur orthodoksizmin, me kohë u përcaktuan edhe për nga përkatësia kombëtare serbë, (që në traditën popullore shqiptare njihen si shkije rajë), të cilët kanë tradita si shqiptarët, kanë fise si shqiptarët, dhe se pleqtë e tyre e kanë folur e folin shqipen porsi pleqtë (etërit) tanë (Shih punimin e parë në këtë libër të vitit 1994 prej 43 faqesh, në shqip dhe frengjisht: Kosova ilire-shqiptare sipas zanafillës së kishave – Le Kosovo illyrien-albanais d’apris la tradition ecclesia-stique, f. 6-49). Po shtoj këtu se me këtë vepër prej 345 faqesh, kam konkuruar në Konkusin e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës në vitin 2008 dhe 2011 për përkthim në gjuhën angleze, por jam refuzuar. E, si të pranohet Republika e Kosovës në UNESKO, kur s’kemi çka t’u ofrojmë ndërkombëtarëve në gjuhët e tyre për historinë e Kosovës. Dhe, prej tetë veprave të mia të botuara deri me tani, dy veprat më të reja i kam botuar privatisht vetë, me të hollat e mia të vetme mujore të pensionit dhe me kontributin modest nga farefisi im.

Vlen për të theksuar se për prejardhjen e oikonimit Gjakova, që e mbarështrojnë bashkautorët M. Arllati e M. Rogova, kanë rëndësi antroponimet Jak dhe Hadum (Ferhat Hadumi), që mund të jenë shumë të lashtë. Antroponimi Jak ka gjasë të jetë emër vetjak hebraik i përtërirë, i shkurtuar dhe i ngurosur në bazën e patronimit të sotëm Jaka, dhe i njëjti me një trajtë tjetër gjuhësore si Gjak Gjakovë mund të qendrojë, pra në rrënjorin e emrit të qytetit Gjakovë, sado që bashkautorët prejardhjen e oikonimit Gjakovë e shohin me prejardhje nga turqishtja yak “zjarr” dhe –ova “fushë”.(M. Arllati-M. Rogova, PGj, f.14). Mirëpo, etimologjia e emrit të qytetit Gjakovë është shtruar gjerësisht në tubimin shkencor, që është mbajtur po në Gjakovë në vitin 2002, me temën bosht “Toponimia e Gjakovës me rrethinë”. Në këtë tryezë shkencore të atëhershme janë dhënë dy hypoteza për etimologjinë e oikonimit Gjakovë: një se buron nga antroponimi hebraik krishter Jak-Gjak me trajtat Jakob, Jakov, Gjakob, Gjakov, dhe hypoteza tjetër se është me prejardhje nga antroponimi krishter hebraik Jak dhe prapashtesa turke –ov “fushë”. Por, ka mbizotëruar më tepër mendimi se buron nga antroponimi hebraik krishter Jakob-Jakov-Gjakov, sepse në defterin në fjalë (1485) nuk ka gati fare emra banorësh me prejardhje orientale-turke, e as emra fshatrash me këtë prejardhje, sepse ende nuk kishte filluar islamizimi i shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë nën sundimin e perandorisë osmane (Shih gjerësisht: Dr. R. Doçi, Rreth prejardhjes së toponnimit Gjakova dhe disa toponimeve të Komunës së Gjakovës, në librin në fjalë për Gjakovën, 2002, f. 98-102, 249-250).

Është me interes se në këtë vepër është konstatuar: “Më 1594-95 Sulejlman Hadim aga ndërtoi Xhaminë e Hadumit…” (M. Arllati – M. Rogova, PGJ, f. 15). Këtu shfaqet mbase më herët patronimi Hadim, me prapashtesën –im, para se të kalonte në Hadum, që mendoj se me prapashtesën –um është ndikim i administratës së kohës. Këtij patronimi, qoftë si formim Hadim apo Hadum i ka paraprirë antroponimi Had, një antroponim shumë i moçëm, që përdoret edhe sot po në Gjakovë, p. sh. emri i artitstit të mirënjohur Hadi Shehu, dhe se po ky emër vetjak qendron i strukur prej kushedi se kur në emrin e fshatit Hade të Kastriotit (Obiliqit), dhe me forma të ndryshme gjuhësore Hadri, Hoda, Hoti gjendet edhe në patronime e oikonime të shumta të Kosovës dhe më gjerë. Por, këto onoma të sotme të Kosovës, antroponimi Had, dhe sidomos emri i fshatit Hade me bazë antroponimike, përkojnë mbase jo rastësisht me antroponimin Had Hades, të cilin e gjejmë në epetë paraantike “Iliada” dhe “Odiseja” të Homerit, në të cilat shkruan: “Hadi përbindësh, bir i Kronidit; banesa e Hadit; Hades quhej mbretëria e të vdekurëve; në fundin e Tartarit, në banesë t’Hadit; në tartar – në fund të botës” etj. (Homeri, “Iliada”, Tiranë, 1979, f. 128, 187, 229; “Odiseja”, Tiranë,2006, f. 53, 83, 444) Te Homeri shfaqet, siç po shihet, edhe Tartari, banesa e botës së nëndheshme e Hadit. Porse, në Gjakovë gjallëronte në vitin 1970 patronimi Tartari – si Din Tartari, ngase sipas regjistrit origjinal prej 260 emrash e mbiemrash, në katër faqe të librit, patronimi Tartari është dëshmi misterioze pellasde-ilire-shqiptare pikërisht në Gjakovë. Në terren, gjurmë të patronimit Tartari kam hasur në emrin e varreve në Vojnik të Drenicës – Vorret e Tatarhanve, mbase për Vorret e Tartarhanëve, dhe në patronimin Tataroi-Tartaroi në katundin Shalë të Drenicës. Por, fjala e lashtë tartari në shqipe kujtoj se ruhet edhe në thënjen popullore: Tatari e marrtë vesh, për Tartari e marrtë vesh, për një çështje të errtë, të panjohur, sepse –r-ja e parë te fjala tatari ka rënë.

Këtu, si patronimi Shehu (Hadi Shehu) në Gjakovë, ashtu edhe me toponimi misterioz në Vojnik Vorret e Tartarhanve, si dhe patronimi Tartaroi-Tataroi në Shalë çojnë në peshë, sepse sikur kemi të bëjmë me disa dukuri kulti bestytnor, vijimësi apo kontinuitet me hallka zingjirore pellasde (pellazge)-ilire-shqiptare. Po për zanafillën e kultit ndaj zotit të nëntokës Hadi (që Homeri i përmend pellasdët hyjnorë paraantikë, dhe studiuesit i citojnë të dhënat onomastike të veprave të tij) po e citoj shkurtimisht mendimin e studiuesit të ri, Arsim Spahiut, që ka doktorruar në Amerikë për pellasdët dhe ka shkruar dy vepra për pellasdët (sidomos ka rëndësi vepra e tij Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Tiranë, 2006, prej 397 faqesh, të cilën e ka paraqitur si dotoratë së pari në Paris, ku edhe jeton, por s’ia kanë pranuar, e e ka mbrojtur në Njurork, diçka ngjashëm si unë që kam qenë i detyruar t’i mbroj dy doktorata), pas të cilit: “Hadesi është hyu i të vdekurve. Ai është bir i Kronit e Reas, pra vëlla i Zeusit…Kur u ndanë këta tre vëllezër, Hadesit i ra për trashëgim bota e nëndheshme, ose ferri, ose i ashtuquajturi Tartari”. Dr. A. Spahiu, Orakulli i Dodonës dhe epirotet (shek. XX-II p. e. sonë, Tiranë, 2008, f. 98). Mirëpo, mikrotoponimin me histori të bujshme Xhamia e Hadumit mund ta ndriçojnë mbase në të ardhmën gërmimet arkeologjike përreth kësaj xhamie, e sidomos varret më të afërta të xhamisë, sepse patronimet e tipit Hadi, Hadri, Hoda, Hoti gjenden zakonisht pranë varreve të moçme misterioze, me rrasa guri të mëdha, që mendohej se të gjallët edhe pas vdekjes rrinë me të vdekurit, për të cilat varre fjalën shkencore do ta thotë arkeologjia shqiptare. Po them kështu, sepse, banorët e Vojnikut, kur mbledhja material onomastik në fshat, më paten treguar se, natën kanë ardhur disa njerëz nga Beogradi, dhe me drita e kanë çelur një varr (vorr). Kur jemi zgjuar në mengjez, kemi pare se në fund të varrit të zbrazët kishte mbetur vendi si i një rrase të varrit. Pra, nëse i kemi parasysh çështjet misterioze të Vorreve të Tatarhanve, patronimet Hadri e Dudaku po në Vojnik (mendoj se ka prejardhje nga rrënjori ilir Teud > Dud), sepse ngjit me Vojnikun, në katundin Turjan (nga protoshqipja *Taur > Tur > Thur) gjendet topogërmadha e zanafillës ilire Turjani, përmes së cilës dikur moti një sundimtar Teut > Dud i Dudakëve mund të ketë sunduar. Dhe, me anë të këtyre të dhënave të traditës shqiptare, si të dhëna kulti pellasdo-iliro-shqiptar në tokat shqiptare pritet që t’i ndriçojë shkenca shqiptare si i ka hije.

Një pasqyrë e mirë është paraqitur në vepër sa u përket 12 fiseve shqiptare në Gjakovë, që në një mënyrë a tjetër paraqiten si lidhshmëri me fiset ilire. Veçmas zgjon kërshërinë emri i fisit Kelmend, i cili përshkruhet gjerësisht, se gjendet në Rugovë, në fushat e Matit, në Atikë të rrethit të Athinës në Greqi dhe në Sanxhakun e Nishit.

Ndarja e Gjakovës në dy pjesë, sipas librit në fjalë, në dy pjesë permes lumit Krena në vitin 1912-13, në lindje të lumit nën Serbinë dhe në perëndim nën Malin e Zi, tregon qartë për sundimet fashisoide dhe raciste të sllavëve të jugut kundër popullit shqiptar dhe tokave autoktone stërgjyshore shqiptare, që përherë kanë qenë më 98-95 % gjithmonë me përkatësi kombëtare shqiptare, mbase jo vetëm në Gjakovë po, siç u tha edhe më sipër, në tërë Kosovën. Me anë të patronimeve shqiptare flitet edhe për shpërnguljen me dhunë dhe masakra të papara të më së 2500 familjeve shqiptare gjakovare nëpër qytete të ndryshme, p. sh.: në Sarajevë, Beograd, Shkup, Zagreb, Shkodër, Kukës, Kavajë, Ferizaj, Pejë, Perzeren, Tiranë, Ulqin e deri në Istri. Sidomos është mbreslënse dhe e dhimbëshme gojëdhëna si anekdotë për takimin e dy gjakovarëve të arratisur nga përndjekjet, nga vatrat e tyre gjakovare, dhe ritakimi apo rinjohja e tyre në Halepin e largët të Afrikës, njëri tapall e tjetri me dy këmbët, që sikur dëshmon se gjakovarët nga dhuna serbosllave e kanë marrë botën në sy pa dëshirën e tyre, edhe si të sakatosur. Popullata e Gjakovës, përkundër përballimeve dhe qendrimeve stoike kundër armikut amok serb gjatë luftës së fundit çlirimtare 1999, si qytet kufitar me Shqipërinë, përjetoi sakrificën më të madhe dhe më të vështirë, me tortura e vrasje, me djegje e pjekje makabër, duke u bërë shkrumb e hi më tepër se çdo qytet tjetër shqiptar në Kosovë.

Mirëpo, sipas kësaj vepre, qyteti i Gjakovës përherë është rritur, përtërirë e freskuar me familjet e ardhurave nga fshatrat përreth, që në onomastikë mbiemrat e tyre quhen ktetikë, si p. sh.: Juniku, Batusha, Vokshi, Rogova, Hadri, Shyti, Mulliqi etj. Prej patronimeve të shumta që shqyrtohen në këtë vepër, mendoj se patronimet Binxhija, Demjaha, Batusha, Hadri, Shyti etj. janë shumë të vjetra, janë vijimësi apo kontinuitet pellasdo-iliro-shqiptar, për të cilat mund të flasim gjerësisht, por këtu po i veçojmë vetëm disa prej tyre. P. sh. patronimi Binxhija, që përmendet dhe shqyrtohet në këtë libër si patronim me prejardhje turke: “BINXHIU (binexhi – turq. e vjetër, njeriu që di të shalojë atin, kalin e shalës)”, kujtoj se nuk është etimologji e qëlluar (M. Arllati-M. Rogova, PGj, f. 117). Më parë do të thosha, se patronimi Binxhija-Binxhiu në Gjakovë është vijimësi e emrit të zotit ilir të ujërava Bindi, me prrjardhje nga fjalët shqipe si kompozitë: i mbirë prej dheut (bin + d de “dhe”), që haset edhe në mikrotoponimet: Binça – lumëz në Raushiq të Deçanit (e ka shënuar Demë Mulliqi në librin e tij); Binxha, krua (origjinal Bindja, izvor) në Mojstir të Istogut (e ka shënuar R. Stijoviqi në librin “Onomastološki prilozi”); Pindi-Pindos mal në Epir-Çamëri të Greqisë, në emrat e fshatrave të Kosovës Binxha të Klinës dhe Binça të Gjilanit, si dhe në toponimin ilir Bindimiola në bazenin e Danubit afër Beogradit, e edhe në mikrotoponimin mesjetar i vitit 1318 Lugu i Bindit (origjinal: Binčki dol) në anën e Vranjës. Si hyjni pellasdo-iliro-shqiptare haset, pra, jo vetëm në emërtimet e mësipërme, por edhe në paraantikë, në Vedat paraantike hinduse, në emrin e lumit Boand - Boyne në Irlandë, në hidronimin Barbana – Buna të Shqipërisë dhe të Malit të Zi etj, që ne, pra, jo pa rezervë, i konsiderojmë si onoma kronologjike pellasde-ilire-shqiptare (Për këto onoma me bazën pellasde-ilire-shqipe bind është bërë fjalë gjerësisht në librin më të ri në dorëshkrim, që pritet të botohet: Pellasdët (Pellazgët) gjyshër të ilirëve dhe stërgjyshër të shqiptarëve, f. 95-105).

Te patronimet Demjaha e Demjani kemi patronimet e krijuara me antroponimin Demë, që është antroponim i sotëm i zakonshëm veçmas në Rrafshin e Dukagjinit, kurse si patronim gjallëron jo vetëm në Dukagjin, por edhe në patronimin Demi (Ali Demi) në Çamëri, Demukaj në Deçan, Demaku në Abri të Drenicës, Demaçi në Lupç të Llapit, si dhe gjendet edhe në bazën e oikonimeve Demaneku-Damaneku të Drenicës dhe të Llapushës. Antroponimin Dem e gjejmë edhe në epetë e njohura botërore paraantike të Homerit, në emërtimin kompozitor Demodoku, dhe kujtoj se çon në peshë për onomastikën tonë diakronike shqiptare, se përmendet si këngëtar epik me lahutë, siç theksohet: “rapsodi ynë Demodoku, që zotat e kanë bërë t’i prekë shpirtërat me zë të pashoq; shpejt sjelljani lahutën Demodokut te mesi i sheshit”, etj. (Për Demodokun te Homeri dhe antroponimet e patronimet e tjera të këtij lloji shih veprën e lartcituar në dorëshkrim, f. 125). Është një rapsod pellasd (pellazg) porsi rapsodët tanë të mëvonshëm dhe të sotëm, që ende aty-këtu këndojnë nëpër odat tona si lidhshmëri apo pashkëputshmëri e traditës pellasde-ilire-shqiptare.
Është mirë që është shtruar në këtë libër burimi i patronimit Arllati, pasiqë autorja e librit Migena Arllati edhe e mban këtë patronim. Porse, zanafilla e këtij patronimi ndriçohet, sipas një gojëdhëne, që dëgjohet në familje: “vjen nga togfjalëshi: all at (turq.) kal i kuq”. Kjo etimologji si e tillë, mund të themi se më tepër mund të merret si etimololgji popullore e jo shkencore. Po kështu, për origjinën e emrit të fshatit Orllat citohet edhe mendimi i Sinan Gashit, vendlindja e të cilit është Orllati apo Arllati i Drenicës. Në një vepër time të vitit 2009 edhe unë jam përpjekur ta ndriçoj etimologjinë e fshatit Orllat, dhe për këtë çështje jam nisur nga mendimi i Prof. Eqarem Çabejt, i cili thoshte: “Në trakët e vjetër kishte emra personi Orolos, një mbret i Bakëve quhej Oroles…shq. e sllav. orl i zi”. Sa i përket mendimit të Prof. E. Çabejt, se orl është fjalë e shqipes dhe sllavishtes mund të pajtohemi, sepse që të dya këto gjuhë janë indoevropiane. Porse, kur është fjala për këtë fjalë në bazat e katundeve të Kosovës Orllat, Orllan i Llapit, Orlloviq dhe në patronime të shqiptarëve, më pare do të thosha se në shqipe dhe në onomat në fjalë është fjalë më tepër trake-shqiptare se sa sllave. Prandaj, etimoni i patronimit dhe oikonimit Arllat – Orllat mund të kërkohet nga emri i shpezës orl në funksion antroponimi, e me kohë të jetë shndërruar në patronim, dhe më në fund në oikonim, duke iu shtuar prapashtesa ilire-shqipe e shumësit –at, të cilën si të tillë ilire-shqipe e cilësojnë bashkautorët Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej. Këtë etimologji orientale-turke të oikonimit Orllat e bën të dyshimtë, apo e hudh poshtë edhe e dhëna se ky fshat shfaqet në Defterin e Shkodrës më 1485 si Orlat (Urlat), në të cilin defter, siç u tha, jo vetëm që nuk ka oikonime me prejardhje turke, po s’ka gati fare as antroponime të kësaj etimologjie.

Janë me interes për studime patronimet që janë formuar prej emrave të 12 fiseve, Mandej prej emrave të fshatrave (të cilët në onomastikë quhen me termin ktetikë), pastaj prej një të pari, për shembull stërgjyshi, gjyshi apo të atit (babait). Gjithashtu një klasifikim i mirë është bërë përkitazi me formimin e patronimeve sipas ndajshtesave, prapashtesave, pastaj me anë të përngjitjeve apo si kompozita etj. Një rëndësi të veçantë e kanë posaçërisht patronimet, të cilat burojnë nga emara të shkurtuar përkdhelës e përbuzës, mandej nga emra profesionesh, emra shtazësh, shpezësh, si dhe patronime të krijuara me ndikim nga gjuha sllave dhe turke.

Dhe, duke përfunduar këtë vështrim, sa i përket veprës së bashkautorëve Migena Arllati dhe Muhamet Rogova “Patronimet në Gjakovë – Mbiemrat dhe emrat familjarë”, mund të themi me plotë gojën se, siç u pa edhe më sipër, sidomos lënda patronimike e ofruar si brumë apo material onomastik është një thesar si depozit me vlerë të madhe jo vetëm onomastike, po edhe përgjithësisht për gjuhësinë dhe historinë krahasimtare pellasde-ilire-shqiptare në të ardhmen.

Prishtinë, më 18. XI. 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat