Rrëfimi i Svetllana Aleksejeviçit

Kultura

Rrëfimi i Svetllana Aleksejeviçit

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 14:37

Aleksievic po ashtu është vlerësuar me çmimet maksimale në Evropë Kurt Tucholsky Prize, “Andrei Sinyavsky Prize”, Leipzig Prize For the European Mutual Understanding 1998, “Herder Prize”

Për shkak të grindjeve me Llukashenkon Svetllana Aleksejeviç i është dashur të jetojë jashtë Bjellorusisë. Librat e saj janë të ndaluar në atdhe. Biseda është realizuar për lexuesin shqiptar në dhjetor 2011 në qytetin polak të kulturës, Wroclaw

Svetllana Aleksejeviç (Svetlana Alexievich) është shkolluar për gazetari në Minsk dhe e bëri këtë zanat praktikë jete. Sa për të sotmen, ajo ka vrapuar dje. Pesë librat e saj janë ngjizur në vitet e punës intensive në terren. Në Evropën Qendrore që është shtëpia e saj qyshse mërgoi si opozitare e regjimit të Llukashenkos, Svetllanën e vlerësojnë për dinjitetin njerëzor të shkrimeve të saj. Gjuhë pas gjuhe po zbulohen librat e saj të shkruar me një stil unik. Ajo quhet autore e një zhanri që vjen nga vendet e saj, Bjellorusi-Rusi: prozë e korit, roman i zërave. Librat e saj quhen në kopertinë thjesht reportazhe por metoda dhe natyra e shkrimit është më shumë se kaq. Nga dhjetëra qindra intervista me dëshmitarë Aleksejeviç rindërton njw rrymë historish të vogla që i fsheh perdja e teatrit të historisë, shifrat e saj. Kështu që vetvetiu Aleksejeviç shkruan jo konform të njohurës dhe të pranuarës zyrtarisht, prozën epike shumëzërëshe.

Me librin Fytyra jofemërore e luftës Svetllana është fituese e Angelus Çmimi për Letërsinë e Evropës Qendrore (çmimi më i rëndësishëm në fushën e prozës të përkthyer në gjuhën polake) që jepet çdo fillim dhjetori në qytetin e shumë etnive Wroclaw, në jugperëndim të Polonisë. Ndër shtatë finalistët kandidatë për çmimin 37 mijë euro, Ismail Kadare konkurronte me Qorrfermanin (i sjellë në gjuhën polake nga Dorota Horodyska si një triptik i tri romaneve të shkurtër otomanë).
Svetllana Aleksejeviç tregon për lexuesin shqiptar për Fytyra jofemërore e luftës (sërish në Poloni këtë vit, ajo mori Çmimin për Reportazhin që mban emrin e gazetarit Riçard Kapushinski).
Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë. Gra në front në Ushtrinë Sovjetike ishin rreth 1 milion. Gati 100 mijë u vranë. Këto gra mbrojtën atdheun e tyre jo Stalinin i cili i ka ofruar botës versionin e tij të luftës, thotë Svetllana Aleksejeviç. E vërteta vjen përmes vuajtjes së këtyre grave. Në shkollat sovjetike askush nuk na mësoi për të jetuar, na mësuan se si vdiset për atdheun.
Fytyra jofemërore e luftës janë rrëfime për ndjenjat bazë të njeriut në rrethana të pazakonta. Me fjalë të tjera të autores bjelloruse: Njeriu është një kafshë që nuk është projektuar për ngarkesa të tilla.

Intervista

Zonja Aleksejeviç, me këtë çmim që ju dhanë polakët, ata aprovojnë kredon tuaj që më mirë ta ndjekësh realitetin se sa ta krijosh atë.

Ky interes nuk është vetëm për polakët. Unë kam shkruar vetëm pesë libra që janë përkthyer në rreth 30 vende. Kjo tregon që njerëzit kanë interes për letërsinë dokumentare. Realiteti dhe koha kalojnë shumë shpejt, bota ndryshon po aq shpejt dhe shkrimtarët nuk kanë aq shumë kohë për të krijuar, për ta rikrijuar realitetin.
Libri Një lutje për Çernobilin më mori 10 vjet. Imagjinojeni: sikur ta shkruaja për më gjatë, do të ishte krejt tjetër libër dhe të tjerë ata për të cilët unë shkruaj. Kurse Fytyra jofemërore e luftës është shkruar gati 40 vjet të shkuara, kur koha rridhte më ngadalë. Mendoj se dëshmitarët janë të vetmit njerëz që mund ta tregojnë në kohë historinë. Prandaj njerëzit më besojnë.

Si u bë temë qendrore lufta sipas grave?

Unë kam lindur më 1948. Kam banuar për një kohë në fshat. Prindërit e mi ishin mësues. Më kujtohen tregimet nga fëminia për luftën partizane. Një në katër bjellorusë u dogj i gjallë ose u vra nga gjermanët. Në fshatin tonë këto histori i tregonin femrat. Në Bjellorusi, rreth 60 mijë gra luftuan në divizionet partizane. Ajo që dëgjoja dhe kujtoja nga tregimet në fshat ishte krejtësisht tjetër gjë nga çfarë na mësohej në shkolla për guximin, trimërinë, luftën heroike. Lufta më ka tërhequr shumë pikërisht për ato që dëgjoja nga dëshmitaret e mia. Prandaj doja ta përshkruaja luftën me sytë e tyre.

Atëherë, përse jofemërore?

Lufta gjithmonë ka pasur fytyrën e burrave. Unë mundohem të shpjegoj në këtë libër që, edhe si biosistem trupi i femrës nuk është krijuar për luftë, në ndërtimin biologjik të saj nuk është lufta por lindja. Për shembull: një grua e ka shumë të vështirë të ngrejë 50 kilogramë armatime e sende të nevojshme lufte; është e vështirë për një infermiere në luftë që të tërheqë një burrë të plagosur njëqindkilësh. Është e vështirë të imagjinosh gruan në këto raste dhe në kushtet e mungesës së mjeteve për higjienë personale, që nga pambuku për menstruacione, te gjimbajtëset. Edhe flokët më mirë ishin zero. Gjithçka në veshje ishte burrash. Këto ofronte ushtria.

Botimi i një libri kur dëshmitarët janë gjallë, ju ka kushtëzuar?

Kjo ka qenë një nga vështirësitë e botimit. Këto gra të popujve të ndryshëm nga Bashkimi Sovjetik më treguan hapur të vërtetën. Por ato mendonin që në libër unë do ti përfaqësoja si heroina. Për to unë isha si vajza e tyre që do ti mbaja gjallë në kujtime. Reagimi ishte i ashpër: “Ti nuk di si shkruhet për luftën!” më thanë. Gratë kanë pasur probleme me bashkëshortët. Shpeshherë kur shkoja në një shtëpi, burrat iu thoshin: “Shko ti në kuzhinë, do të flas unë se çishte lufta!”

Çndodhi me kthimin e gruas ushtare në shtëpi?

Filloi lufta e tretë. Prostitutë! Çfarë ke bërë atje në front? Ky nam i ndoqi. Femrat ishin të rëndësishme kur rusët dështonin në afërsi të Moskës. Iu duheshin infermiere, luftëtare, sepse Stalini asgjësoi kryesinë ushtarake. Pastaj, gratë ishin të nevojshme në emër të emancipimit, të barazisë, ushtare në mbrojtje të atdheut. Ndryshe nga burrat, femra nuk mund të kapej rob dhe as të burgosej. E megjithatë, në rast se binte në duart e armikut që kishte gjasë për ta turpëruar një femër, ajo gjithmonë ka pasur në armën e saj një plumb për veten.
Pas luftës burrat i braktisën, sepse ato nuk dinin të mbanin taka, të visheshin me sqimë, të ishin elegante, femërore si gratë që nuk kishin qenë në luftë.

Sa gra intervistuat?

Për çdo libër unë punoj 7-10 vjet. Kam udhëtuar në njëqind fshatra, katunde, qytete, republika, ku kam mbledhur rreth gjashtëqind rrëfime, nga të cilat kam zgjedhur dyqind, ato më të fortat, sepse jo të gjitha rrëfejnë bukur, me emocione.

Mbi çfarë metode punuat?

Me regjistrim, sepse kështu ridëgjoj të folurën, të vërtetën. E shkruara e humbet emocionin. Me këtë metodë kam shkruar 5 librat që unë i quaj libra zërash.
Përmend këtu edhe një libër për Njeriun e kuq. Heronjtë e këtij libri janë njerëz që tregojnë për periudhën e civilizimit gjatë komunizmit.

Çfarë është Njeriu i Kuq?

Është njeriu sovjetik i përpunuar në laboratorin e marksizëm-leninizmit, i cili ka menduar që mund të krijonte një parajsë në tokë, por këtë tokë e kthyer në një banjë gjaku. Ky është homo-socialisticus apo homo-sovieticus. Edhe ju keni përvojën tuaj në këtë drejtim dhe mund ta kuptoni shumë mirë si kemi jetuar dhe përse tani tek ne jeta nuk është normale.
Për njeriun e kuq kam intervistuar njerëz të cilët kanë menduar për vetëvrasje sepse ata nuk arrijnë ta mendojnë si mund të jetohet pa socializëm.

Në Shqipëri kemi të botuar nga zonat post-sovjetike vetëm një libër të Ana Politkovskajës. Ndoshta libri juaj mund të shohë dritën e botimit.

Mendoj se kjo përvojë do të ishte e nevojshme për Shqipërinë, sidomos ky libër për fundin e njeriut të kuq. Përvojat tona janë të ngjashme.

Është e vështirë të jetosh në Bjellorusi si intelektual në opozitë?

Për shkak të grindjeve me Llukashenkon unë duhet të jetoj jashtë Bjellorusisë. Aktualisht jetoj në Gjermani. Do të doja të kthehesha në Bjellorusi, por nuk e di. Klima është e rëndë, njerëzit burgosen. Librat e mi nuk botohen në Bjellorusi, botohen në gjuhën ruse dhe vijnë nga Rusia, nuk ka asnjë intervistë timen në Radio e TV. Shkurt, jam e ndaluar në vendin tim.

Svetllana është rritur në një fshat të vogël, nga prindër mësues, ka dëgjuar shumë histori nga njerëzit, por çfarë e mpreh vështrimin që sheh botën të zhveshur nga mitet?
Unë i përkas një brezi tjetër që u lind në vitet e para të pasluftës. Kam punuar shumë me vetveten për të qenë ndryshe, për të parë ndryshe. Kjo është zgjedhja ime.

Si e fitoni besimin te njerëzit?

Ti duhet të bisedosh me njeriun si me një mik. Unë shkoj te dëshmitarët e mi si njeri i cili do të kuptojë diçka. Për të dëgjuar diçka të re, duhet të pyesësh në mënyrë të re. Unë nuk koleksionoj tmerre, por ato ndjenja që e mbajnë njeriun ti tejkalojë tmerret e të mbijetojë në çdo rrethanë.

Libri
Lufta kundër nazizmit mori fund në maj 1945. Më shumë se një milion gra nga 15-30 vjeç morën pjesë frontin e luftës së dytë botërore, pilote, tankiste, dhe shumë pozicione të tjera. Pas fitores këto gra u lanë në heshtje. Në librin Fytyra jofemërore e luftës ato tregojnë për herë të parë në jetën e tyre, anën jo heroike të luftës që zakonisht nuk tregohen në historitë dhe kujtimet e veteranëve. Ato flasin për pisllëkun dhe të ftohtët, për urinë dhe dhunën seksuale, për ankthin dhe hijen e kudondodhur të vdekjes. Ato flasin në librin tronditës të Svetllana Aleksejeviç. Libri u çua për shtyp më 1983 por mbeti në sirtarët e shtëpisë botuese, i akuzuar për pacifizëm, natyralizëm dhe deglorifikim të heroinës sovjetike.
Pa dritën e botimit vetëm në perestrojkën e Gorbaçovit, më 1985, por autorja e ripunoi më 2002, duke rindërtuar pjesë që ishin hequr prej censurës dhe futi pjesë të tjera që nuk mundej në fillim. Është përkthyer në Gjermani, Britani, Francë, Greqi, Finlandë, Japoni, Kinë. Libri ka frymëzuar dokumentarë e performanca teatrale.

Biografi
Svetlana Alexievich një nga gazetaret më të shquara të Evropës, u lind më 31 Maj 1948 në Ukrainë në qytetin Ivano-Frankivsk në familjen e një ushtaraku. I ati ishte bjellorus e ëma nga Ukraina. Studioi gazetari në Universitetin e Minskut më 1967. Punoi disa vjet si korrespondente e revistës letrare Neman dhe drejtoi seksionin joletrar.
Ishte shkrimtari bjellorus Ales Adamovich që ndikoi në zgjedhjen e Svetllanës. Me librat Vij nga fshati krenar dhe Libri i rrethimit, ai aplikon një zhanër të ri për letërsinë bjelloruse dhe ruse njëherësh të cilin e quan roman kolektiv, roman-oratorio, kor epik. Ky është mësuesi kryesor i Svetllanës.
Dëshmitarët e fundit: 100 rrëfime fëminore i vitit 1985 nuk botohet menjëherë për të njëjtat arsye që censura kishte dhënë edhe për Fytyra jofemërore e luftës.
Shkruan Djemtë në zink 1989, për krimet e luftës sovjeto-afgane, Të magjepsur me vdekjen 1993, Lutja e Çernobilit: kronikat e së ardhmes 1997.
Alexiyevich thotë: Një sy ti hedhësh historisë së kohës sovjetike dhe post-sovjetike dhe shikon një varr masiv dhe një banjë gjaku. Një dialog i përjetshëm mes ekzekutorëve dhe viktimave. Revolucioni, gulagët, lufta e dytë botërore, lufta sovjeto-afgane e mbajtur fshehur nga njerëzit, rënia e perandorisë së madhe, e gjigantit socialist, toka utopike, dhe tani një sfidë e përmasave kozmike Çernobili. Një sfidë për gjithë gjërat e gjalla mbi tokë. E tillë është historia jonë. Dhe kjo është tema e librave të mi, rruga ime, rrathët e mi të ferrit nga njeriu te njeriu.
Ajo është vlerësuar me çmimet maksimale në Evropë Kurt Tucholsky Prize, “Andrei Sinyavsky Prize”, Leipzig Prize For the European Mutual Understanding 1998, “Herder Prize”.

Botuar nga Elsa Demo në gazetën Shekulli, 11 dhjetor 2011

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat