Talentet e rinj të letërsisë, seminar me Ylljet Aliçkën

Kultura

Talentet e rinj të letërsisë, seminar me Ylljet Aliçkën

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 11:39

Procesi i krijimit, emocionet që të ngjall një film i bazuar mbi mesazhin e një libri…A janë të ngjashëm në intensitetin që përçojnë? A ia del filmi të jetë në të njëjtat nivele imagjinate dhe adrenaline sa sivëllai i shtypur?

Këto ishin disa nga çështjet që shkrimtari dhe skenaristi i njohur, Ylljet Aliçka diskutoi me të përzgjedhurit e fazës së dytë të Festivalit Letrar për të Rinj, organizuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, në një seminar rikrijuese treditor “Prozë-Skenar”, që u zhvillua në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Ky universitet iu bashkua nismës së “Toena”, duke treguar edhe një herë profilin e tij të lartë në mbështetje të veprimtarive kulturore me të rinjtë.

“Këto ishin disa nga gjërat që diskutuam dhe ajo çka mendova të bëj, përveç teorisë së krijimit të një teksti për skenar filmi, ishte të kaloja në termat e praktikës së adaptimit, të gjeturit të “intrigës” që më pas mund të përkthehet në skenar, në imazh filmik”, – rrëfen Aliçka, pas përfundimit të këtij trajnimi treditor, duke shtuar se interesi i të rinjve ishte i madh, të cilët i tejkaluan orët e parashikuara për të dëgjuar më shumë.

Pjesëmarrësit kanë qenë të grupmoshave të ndryshme, jo vetëm gjimnazistë por edhe studentë të ardhur nga Greqia, Anglia apo Italia.

Për këtë fazë ka pasur një përzgjedhje rigoroze, duke e çuar në 6 nga 200 numrin e atyre që mundën ta kalojnë fazën e dytë të festivalit ku konkurruan me tregime të shkurtër.

Në ditën e parë të seminarit, krijuesit u njohën me Profesor Aliçkën, me hapat e tij në karrierën artistike, si nën petkun e shkrimtarit ashtu edhe në atë të skenaristit.

Ata patën mundësinë jo vetëm që të flisnin për përvojat e tyre letrare dhe njohjen me Festivalin, por mësuan edhe shumë informacione të vlefshme mbi sfidat që i presin gjatë rrugëtimit në fushën e letërsisë apo të kinematografisë. Takimi i ditës së dytë u përqendrua te subjekti i këtij seminari, pra në elementët që mundësojnë kalimin e një proze në përgjithësi në një skenar për film, me metrazh të shkurtër apo të gjatë. Profesori foli në detaje për secilin prej krijimeve të konkurrentëve që kaluan në dorën e tij nga organizatorët e Festivalit. Ai shpjegoi se cilët janë elementët që do të përcaktonin adaptueshmërinë e një proze në skenar dhe si detyrë shtëpie, krijuesit morën përsipër që në ditën e fundit të Seminarit Rikrijues, të sjellin skenarët e tyre, të cilat do të jenë pjesë e Antologjisë që do të botohet nga Toena, ku do të përmblidhen punimet më të mira të të gjitha fazave të Festivalit.

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2015”, i nisur më 6 maj 2015, ka hapur dyert për krijuesit e rinj letrarë shqiptarë, me qëllimin për t’u ofruar aktiviteteve artistike në qytetin e Tiranës edicionin I të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2015”

Deri në këtë moment janë realizuar me sukses dy fazat e para të tij. Nga kjo fazë e tretë e festivalit do të dalë një fitues për çdo kategori krijimi. Tre finalistët e këtij edicioni të pare të Festivalit Letrar për të Rinj do të shpallen nga juria në ceremoninë finale që do të zhvillohet në datën 25 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat