Anulohet në Tiranë koncerti me artistët serbë e shqiptarë

Kultura

Anulohet në Tiranë koncerti me artistët serbë e shqiptarë

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:33

Një koncert me artistë serbë dhe shqiptarë i planifikuar të mbahej sot në orën 19:00 te sheshi para Kryeministrisë në Tiranë është anuluar për shkak të motit të keq.

Në koncertin me moton: “Muzika bashkon njerëzit", ishin ftuar për të marrë pjesë artistë nga Serbia, nga Kosova dhe Shqipëria, dhe qëllimi ishte përcjellja e një mesazhi paqeje dhe miqësie një ditë para ndeshjes.

Por përveç shtyrjes së koncertit ajo çka i ka mërzitur më shumë organizatorët shqiptarë është mënyra se si e kanë interpretuar disa media serbe këtë event, të cilat kanë shkruar se për artistët serbë nuk është ofruar mikpritja e duhur ndaj dhe nuk kanë ardhur, dhe jo që koncerti anulohet për motin e keq.

Mediat serbe shkruajnë gjithashtu se shqiptarët kanë dashur edhe këtë herë ta ngatërrojnë artin me politikën, duke ftuar artistë nga Kosova dhe Serbia në të njëjtin event.

"Qëllimi ishte mjaft pozitiv nga pala shqiptare dhe me këtë koncert synohej të përcillej një frymë paqeje dhe harmonie siç është vetë muzika, por që fatkeqësisht mediat s erbe e kanë keqinterpretuar anulimin e këtij koncerti duke thënë se shqiptarët nuk i mikpritësn artistët serbë. Kjo është absurde në një moment që ftesa është bërë nga Shqipëria, dhe nuk kishte asnjë qëllim të keq apo provokim" thonë ata për Kosovapress.

Gjithashtu organizatorët theksojnë se koncerti nuk ka dështuar por thjesht është shtyrë për një moment të dytë, dhe se shpresojnë që gjithçka të shkojë më së miri me ndeshjen nesër mbrëma.

“Muzika bashkon njerëzit”, me këtë slogan artistët shqiptarë dhe ata serbë do të bashkoheshin sot më 7 tetor, në të parin koncert të këtij lloji, që do të paraprinte ndeshjen emocionuese Shqipëri- Serbi. Një event i rrallë, i organizuar nga “Living Room Entertainment” synoi që të bashkojë zërat e yjeve shqiptarë me ata të artistëve të njohur serbë, në një koncert miqësie, që edhe një herë , më shumë se gjithçka do të nxirrte në pah anën më të mi rë të shqiptarëve: mikpritjen.

"Me një mesazh të fuqishëm nëpërmjet këtyre iniciativave Shqipëria dëshiron ti tregojë fqinjëve, botës e madje edhe UEFA-s, se ne dimë të jemi vendi i qytetëruar i Ballkanit, kombi që di të njohë vlerat e artit dhe sportit e që di të garojë në ndeshje të ndershme, jo me gjuhën e dhunës, por me gjuhën e paqes. Ne jemi kombi që synon integrimin në BE, sepse meritojmë dhe jemi pjesë e Europës," thuhet në mesazhin e përcjellë nga organizatorët e këtij koncerti, që tashmë është shtyrë.

Në këtë event Shqipëria dhe Kosova do të ishin së bashku me artistët më të mirë serbë. Ishte menduar që në skenë të silleshin 'ikonat' e muzikës rock në Serbinë e viteve ’80, këngët hit që dikur dëgjoheshin me antenat e fshehura nëpër pallate nga të rinjtë shqiptarë. Ishin ftuar në koncert; Marko Nikolic; Ljubomir Sobotovic; Milan Sijak; Filip Pat ; Aleksandra Josic ; Amir Karalic.

Nga Shqipëria ishin ftuar artistët: Kamela Islamaj, Marsela Cibukaj dhe Eugent Bushpepa me grupin e tij, që do të sillnin live këngët më të njohura të muzikës rock në vendin tonë, ndërkohë që nga Kosova do ishte këngëtarja me zërin e fuqishëm Flaka Krelani dhe Grupi “Na”. Koncerti do të mbahet në një moment tjetër, dhe nuk bëhet fjalë për anulim apo dështim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat