Halil Matoshi është fituesi i çmimit të parë në “Orën e Madhe Letrare”, e cila është mbajtur në kuadër të manifestimit shumëkulturor “Takimet e Dom Mikelit”, të mbajtur në Stubëll të Vitisë.
Matoshi është paraqitur me poezinë “Mërzia”, kurse në këtë ngjarje kulturore u paraqitën 25 poetë me poezitë e tyre. Vendi i dytë i ka takuar poetit Rushit Ramabaja dhe i treti poetes Myrvete Omanaj, me poezinë “Enigma”. Çmimet për fituesit e poezisë i ndau vëllai i dëshmorit Agim Ramadani, Jashar Ramadani.
Kjo ngjarje e madhe kulturore është përcjellë edhe me aktivitete të tjera të shumta dhe ato i ka shpallur të hapur kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, i cili “Takimet e Dom Mikelit” i cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për Vitinë, por edhe për gjithë Kosovën. Edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, tha se në kohën kur shqiptarëve të Kosovës u rrezikohej ekzistenca kulturore, shpirtërore e politike, “Takimet e Dom Mikelit” luajtën rol të jashtëzakonshëm në rezistencën politike, andaj, sipas tij, ky aktivitet meriton të ketë një përkujdesjeje të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës. Sipas ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, takimet e tilla na japin një mesazh për bashkimin e vlerave kulturore, historike e arsimore në mënyrë që bashkërisht t’i përballojmë sfidat në planin kombëtar.
“Takimet e Dom Mikelit” kanë sjellë edhe tribunën shkencore me temë “110-vjetori i shkollës së parë legale shqipe në Kosovë”, ku kumtesat i paraqitën Pëllumb Xhufi, nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, Gjon Berisha dhe Lush Culaj, nga Instituti Albanologjik i Kosovës, derisa u promovua edhe monografia “Miqtë e mi në amshim” të autorit Dom Lush Gjergji, si dhe vepra “Arbënorët” e Gjon Berishës.
Ky manifestim është mbyllur me një program të pasur artistik nga Filarmonia e Kosovës dhe Ansambli “Kemajl Azizi”, nga Vitia.