Në Stubëll u shënua 110 vjetori i shkollës së parë shqipe në Kosovë

Kultura

Në Stubëll u shënua 110 vjetori i shkollës së parë shqipe në Kosovë

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 15:47

Stublla e Epërme e Vitisë, ka grumbulluar shtunën personalitete nga jeta politike e kulturore, poetë, krijues, akademik, dashamirë të artit dhe pendës, për të manifestuar. Takimet tradicionale të “Dom Mikelit”, mësuesit të parë të shkollës shqipe që sivjet shënoi edicionin e 26 të rrugëtimit të këtij evenimenti kulturor, shkencor e letrar.

Në emër të organizatorit, Don Albert Jakaj, ka vlerësuar kontributin e çmuar të të gjithë atyre që kanë dhënë e po japin për shkollën shqipe nëpër dekada. Të pranishëm ishin edhe zv. kryeministri njëherit ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi deputet të parlamentit të Kosovës e personalitete të tjera nga mbar trojet shqiptare.
Manifestimi i sivjetmë, filloi me himnin kombëtarë të intonuar nga Okteti i Ansamblit “Kemajl Azizi” nga Vitia, ndërsa takimet i shpalli të hapura e kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke vlerësuar “Takimet e Dom Mikelit” si një nga ngjarje më të rëndësishme jo vetëm për Vitinë por edhe gjithë Kosovën. Ai theksoi se komuna e Vitisë në bashkëpunim edhe me institucionet qendrore po punon që të afirmoj manifestimin “Takimet e Dom Mikelit” dhe muzeut të shkollës së parë shqipe.
“Në kohën kur shqiptarëve të Kosovës u rrezikohej ekzistenca kulturore, shpirtërore e politike, takimet e” Dom Mikelit” luajtën rol të jashtëzakonshëm në rezistencën politike”. Kështu tha në fjalën e tij përshëndetëse zv.kryeministri i Kosovës, njiherit ministër i kulturës rinisë dhe sportit Kujtim Shala, i cili ka shprehur gatishmërinë dhe, përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës rreth afirmimit dhe promovimit të vlerave kulturore.
“Stublla ka një traditë të gjatë të fushës së kulturës trashëgimisë kulturore e arsimit shqip para vitit 1905, pra që nga shekulli 16. Stublla meriton të ketë një përkujdesje të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës. Unë, sot këtu shpreh përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që këto vlera ti përkrahim afirmojmë e promovojmë, ka thënë ministri Shala. Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, është shprehur në fjalën e tij se takimet e tilla na japin një mesazh për bashkimin e vlerave kulturore historike e arsimore në mënyrë që bashkërisht të i përballojmë sfidat në planin kombëtarë. “Të mbahet një manifestim i tillë për 25 vjet, tregon se vlerat për shkollën shqipe janë shumë të forta dhe vazhdon të forcojë ato nga viti në vit. Stublla është vend që rrezaton kulturë, bashkim dhe shqiptarizëm, duke u bërë një shembull për të tjerët”, ka thënë Minxhozi.
Në kuadër të manifestimit ,,Takimet e Dom Mikelit,, u mbajt edhe një tribunë shkencore me temë “110 vjetori i shkollës së parë legalet shqipe në Kosovë” . Me kumtesa në këtë tribunë u paraqitën prof. Pëllumb Xhufi nga qendra e studimeve albanologjike në Tiranë, prof. Gjon Berisha dhe prof. Lush Culaj nga Instituti albanologjik i Kosovës. Për ta begatuar këtë manifestim, është promovuar edhe monografia “Miqtë e mi në amshim” të autorit Dom Lush Gjergji, si dhe vepra “Arbënorët” e Gjon Berishës.

Fitues i takimeve të sivjeme Halil Matoshi me poezinë “Mërzia”
Në kuadër të këtij manifestimi është mbajtur edhe Ora e madhe letrare në fushën e krijimtarisë në poezi në kuadër të së cilës janë paraqitur 25 poezi nga poet të ndryshëm nga gjithë hapësira shqiptare.
Juria profesionale ndau 3 shpërblime për 3 vendet e para. Vendi i parë i takoi Halil Matoshit me poezinë “Mërzia”, vendi i dytë i takoi poetit Rushit Ramabaja dhe vendi i tretë Myrvete Osmanaj me poezinë “Enigma”. Çmimet për fituesit e poezisë i ndau vëllai i dëshmorit Agim Ramadani, Jashar Ramadani

Aktivitetet e manifestimit “Takimet e Dom Mikelit”, kanë filluar në orët e paradites me meshën e lutjeve e cila u mbajt në kishën e Stubllës, ndërsa për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik nga Filarmonia e Kosovës dhe Ansambli Kemajl Azizi nga Vitia. Aziz Zuka

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat