Artizanë nga Ballkani panair në Tiranë, Shqipëria do heq taksat për punimet e dorës

Kultura

Artizanë nga Ballkani panair në Tiranë, Shqipëria do heq taksat për punimet e dorës

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 16:37

Artizanë nga Shqipëria dhe Mal i Zi janë mbledhur sot në Tiranë ku kanë ekspozuar në një panair të përbashkët punimet e tyre. Mes valleve dhe muzikës popullore shqiptare nga të gjitha trevat, janë ekspozuar për të pranishmit, qindra punime artizanale që në thelb të tyre mbartin jo vetëm vlera estetike por edhe vlera kombëtare e historike.

Panairi u vizitua edhe nga ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Arben Ahmetaj, i cili tha se ka ardhur koha që puna artizanale të vlerësohet më shumë edhe nga qeveria. Në këtë drejtim ai bëri të ditur faktin që vitin tjetër do të dyfishohet fondi i Ministrisë për mbështetjen e iniciativave dhe projekteve të ndryshme në fushën e artizanatit, ndërkohë që ajo çka është më e rëndësishme lidhet me propozimin e qeverisë Rama për të zeruar taksat për artizanët.

Madje ministri tha se gjatë vizitës së tij në Francë, ka biseduar me homologët për të tërhequr edhe fonde të BE-së për të mbështetur iniciativa të reja në këtë fushë.

"Sigurisht që shumat asnjëherë nuk mjaftojnë dhe ne mendojmë që vitin tjetër do ta dyfishojmë atë shumë mbështetje për artizanatin. Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka hedhur idenë e projektit për zerimin e taksave për artizanët, për ata që bëjnë art me punën me dorë. Artizanati është edhe një tërheqje turizmi, pra nuk është thjesht një vetëpunësim, as art i thjeshtë, por është edhe tërheqje turizmi," tha ministri Arben Ahmetaj.

Edhe kreu i Biznes, Albania Luan Bregasi u ndal në vlerat që ka artizanati sidomos ai i Shkodrës, ku përmes punëve dhe veprave të tyre ruajnë historinë dhe traditën tonë.

"Ne duam që artizanët e Shkodrës të jenë pika e referimit të zhvillimit të traditës shqiptare. Nëse operatorët turistikë po punojnë për promovimin e zonës nëpërmjet paketave turistike, artizanët do të tregojnë përmes veprave të tyre dhe artit, historinë, traditën, të tashmen e zhvil limit të këtij sektori kaq të rëndësishëm. Të gjithë së bashku të punojmë për këtë trashëgimi të pashtershme që ka Shkodra. Ne duam që turisti i huaj që shkon në Mal të ZI, të zbres edhe në Shqipëri, dhe të shijojë kënaqësitë që ofrojnë zonat e Liqenit të Shkodrës," tha Luan Bregasi nga Biznes Albania.

Ndërsa vetë artizanët bënë thirrje për më shumë mbështetje nga shteti sidomos në krijimin e tregjeve të veçanta për të ekspozuar dhe shitur produktet e tyre. Ata thonë se panaire të tilla shërbejnë për të shfaqur vlerat dhe punën e tyre, dhe se bashkëpunime të tilla mes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, e gjithë Ballkanit, ndihmojnë në shkëmbimin e kulturave dhe eksperiencave.

"Kjo është një ndërthurje kulturash dhe një shkëmbim eksperiencash me njëri-tjetrin që ne së bashk u të gjejmë tregje, të bëjmë atë që është më e bukura, të jemi kreativë të bëjmë atë çka pëlqejnë njerëzit; futjen në treg të prodhimeve tradicionale sepse qe një periudhë që u shkëput pak dhe njerëzit u sulën pas gjërave të importit. Por se do t'iu lutesha institucioneve që të mundësojnë krijimin e tregjeve artizanale,", tha Satber Drishti, artizane.

Këtë panair e përshëndeti edhe zonja Svetlana Vuksanovic, presidentja e Federatës së Punëdhënësve të Malit të Zi, Podgoricë, e cila tha se ky panair nuk shërben vetëm për të promovuar produktet por edhe për të krijuar miqësi ndërmjet artiazavë e mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. "Përveç të tjerave dy vendet tona kanë së bashku Liqenin e Shkodrës, ndaj dhe kemi iniciuar një sërë projektesh të përbashkëta," tha ajo.

Ky panair u organizua në kuadër të projektit ndërkufitar 'Lakeroute' projekt i përbashkët i Biznes Albania dhe Shoqatës së Punëdhënësve të Malit të Zi të financuar nga BE. Ky projekt synon promovimin e vlerave turistike nga të dy anët e Liqenit të Shkodrës, dhe nëpërmjet panaireve të tilla krijon edhe një marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë mes artizanavë të Shkodrës dhe të Podgoricës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat