Rilindasi i fundit

Kultura

Rilindasi i fundit

Nga: Gani Demir Ratkoceri Më: 2 tetor 2015 Në ora: 14:45

Kur në Kosovë perandoria otomane kishte dislokuar 70 000 ushtarë nën komandën e Fadil Pashës, Ahmeti i ri u rreshtua përkrah 60 000 luftëtarëve shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën.

Prof. Ahmet Gashin e kam takuar për herë të parë në vitet 1941-1944, kur ai erdhi në fshatin tim Llugaxhi të komunës së Lipjanit, Kosovë. Por atëkohë unë nuk e kuptoja plotësisht tërë personalitetin e gjithanshëm dhe madhështor të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Këtë e arrita vetëm në vitin 1956. Që atëherë jam ndjerë tepër borxhli ndaj këtij vigani e vullkani për çështjen kombëtare, prandaj kam menduar dhe ëndërruar që ta ndriçoj jetën e tij qoftë edhe me një monografi modeste si kjo që po ia paraqes lexuesit të nderuar.

Mbaj mënd se si Profesori i shquar shpërthente plot entuziazëm sa herë fjala vinte për trojet e robëruara shqiptare, Kosovën dhe Çamërinë, për të cilat bëri çmos që ta sensibilizonte opinionin shqiptar me gojë, me shkrim, me tekste shkollore e harta gjeografike, dhe këto të fundit i pat vazhduar deri në moshën 80-87 vjeçare! Një rast i rrallë në arsimin tonë: 54 vjet me ditar në dorë, me hartat e gjeografisë, historisë dhe etnografisë, me libra dhe revista të kohës deri sa ndërroi jetë, më një shtator 1977.

Ky libër do të nderonte çdo bibliotekë shqiptare brenda e jashtë atdheut mëmë, pra, edhe në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës e Mal të Zi, sepse jep një shembull të madh për një njeri fisnik dhe atdhetar, luftëtar i guximshëm dhe i paepur për çështjen kombëtare.

Ja, shkurtimisht disa çaste kulmore të jetës së tij:

1.Në kryengritjen e përgjithshme shqiptare të 1912-ës, kur në Kosovë perandoria otomane kishte dislokuar 70 000 ushtarë nën komandën e Fadil Pashës, Ahmeti i ri u rreshtua përkrah 60 000 luftëtarëve shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën. Si Profesor i gjimnazit dhe sekretari i klubit atdhetar atje, Ahmeti bëri çmos që Prishtina të çlirohej duke derdhur sa më pak gjak. Ishte meritë edhe e tij që ushtria turke nuk doli dot nga kazermat, dhe luftëtarët shqiptarë hynë në qytet fitimtarë, të brohoritur nga populli i Prishtinës. Kjo ngjarje bëri bujë atëkohë në Evropë.

2. Nga vitet 1913- 1933 Prof. Gashi dha mësim dhe drejtoi Normalen e Elbasanit, ku popuuli ishte ende i përçarë në mes partisë së “beut” (Shefqet Vërlacit) dhe partisë së “pashës” (Aqif Pashës) dhe ende fanatizmi kishte rrënjë të forta në mendësi e kulturë. Në ato kushte, Prof. Gashi ngriti shoqërinë kulturore “Afërdita” (viti 1918), orkestrën e harqeve me violinë, duke sfiduar opinionin e kohës që i identifikonte violinistët me “ahenghinjtë jevgj”, ngriti klubin e intelektualëve dhe grupin teatral, si dhe zhvilloi organizatën sportive, futbollistike. Gjithçka në funksion të çështjes kombëtare dhe të edukimit kulturor.

3. Nga viti 1933 jep mësim në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë, ku ndihmoi mjaft në hartimin dhe botimin e teksteve dhe dispensave shkollore, aq të domosdoshme për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së orës së mësimit. Gjithnjë punoi për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e gjuhës shqipe jo vetëm në orën e mësimit që drejtonte ai vetë, por edhe për kolegët e tekstet mësimore të tyre. Në këtë drejtim ai ndiqte porosinë e “Homerit shqiptar” patër Gjergj Fishtës që shkruante “Kjoft mallkue kush flet në gjuhë të huej, kur s'është nevoja”
Po ashtu, të Naimit të madh që shkruante “Gjuha shqipe, sa e bukur, së e ëmbël, sa e mirë, sa e dëlirë!”.

Ndërsa poeti i mirënjohur Dom Ndre Mjeda pat thënë “Nji këto gjuhë që jam tue ndie janë të bukura me temel, por prapë kjo si diell pa hije për mue t’tanave ua del”.

këtë ndihmesë të Prof. Gashit e kanë vënë shumë mirë në dukje edhe dy kolosët e gjuhësisë sonë, Profesorët e nderuar Xhuvani dhe Çabej.

4. Kur ishte drejtor në Gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës në pranverë 1944, Prof. Gashi arriti të shpëtojë nga kthetrat e Gestapos gjermane atje 87 të rinj nxënës të shkollës pjesëmarrës në rrjetin e grupeve dhe veprimtarive komuniste dhe të zbuluar nga agjentët e SIM-it Italian.

Në këtë studim kemi përfshirë edhe disa nga artikujt e rëndësishëm të shkruar nga ose për Profesorin si dhe shumë kujtime të vjelura nga ish- nxënës dhe kolegë të tij anekënd atdheut tonë, ndonëse mund të ketë aty këtu edhe ndonjë përsëritje, për të cilën kërkojmë ndjesë.

Falenderoj djemtë e Profesor Gashit, Agronin dhe Batonin, që më kanë ndihmuar të ndriçoj aspekte të ndryshme të veprimtarisë së babait të tyre të dashur dhe personalitetit të madh shqiptar. Falënderoj edhe redaktorin Bardhyl Selimi që ka ndihmuar mjaft për renditjen dhe paraqitjen sa më të denjë të tekstit si në pikëpamje gjuhësore ashtu edhe ideore. Vetë Bardhyli dhe familja e tij, për fat, e kanë njohur prej vitesh Profesorin e nderuar. Nëna e Bardhylit, zonja Vezire, është me prejardhje kosovare, ka dhënë mësim në Prishtinë e Prizren në vitet 1943-1946 , ndihmesë kjo që është shpërblyer me dekorimin e saj nga presidenti i RSH me urdhrin e “Naim Farshërit”-klasi I.

Falënderoj redaktorin letrar Prof. Muharrem Gazionin, që ka treguar kujdes për aspektet drejtshkrimore dhe sintaktike të materialit të paraqitur, recensentët që e kanë vlerësuar punën time dhe më kanë ndihmuar të vjel materiale në arshivën e shtetit e gjetkë, zotërinjtë Prof. Sherif Delvina, Prof. dr. Luan Malltezi dhe dr. Shefqet Hoxha.

Dëshira ime ka qenë që kujtimet e vetë Profesorit të hedhura me dorën e vet në dialektin e këndshëm gegë të botoheshin pa asnjë ndryshim, mirëpo zoti Bardhyl i ka përshtatur ato në gjuhën letrare të sotme duke u nisur nga dëshira e mirë që libri të lexohet e të kuptohet nga të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe nga brezat e ardhshëm, ndonëse unë vetë jam ende i mendimit që, sikurse edhe shumë punë të tjera, të kryera gjatë diktaturës hoxhiane, edhe gjuha letrare e normuar shqipe është e njëanshme, bazuar më tepër në dialektin toskë që ka injoruar shumë margaritarë të gegërishtes, p.sh. paskajoren. Sidoqoftë punimet shkencore të tij do të përpiqemi t’i japim sa më shumë në origjinal. Prof. Gashi ishte i thjeshtë si e vërteta.

Në këtë punim është folur edhe për veprimtarinë kombëtare e shkencore të dy djemve të tij të mëdhenj, Luanit dhe Fatonit. / Vijon

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat