Përgjigje dashamirësve të mi

Kultura

Përgjigje dashamirësve të mi

Nga: Agim Shehu Më: 2 tetor 2015 Në ora: 12:58

Shumë miq e të afërm më pyesin me shpirt të ngrohtë e mall të çiltër, kur jam dhe afër mbylljes së jetës: «Kur do vish në Shqipëri, të ritakohemi dhe rreth një gote si dikur, të qajmë bashkë ca halle që dhe na janë shtuar…Si të ndodhi gjithë kjo dramë, që s’po lëviz nga Gjeneva?» I kuptoj thellësisht e duke i lexuar, ndjej vetë një dashuri e mall të thellë njerëzor, sidomos pas 15 vitesh larg nga vendlindja që e dua aq shumë. Me dhimbje të natyrshme për këtë ndarje të detyruar, së pari mbetem i mendimit se një atdhetar mund ta largosh nga Atdheu por, cilado qoftë forca, Atdheun dhe popullin e vet nuk ia largon dot nga zemra e tij. Tani për tani, ardhjen e pengojnë këshillat e mjekëve për udhëtime të largëta, etj.

Për t’u dhënë përgjigje të plotë dashamirësve të interesuar, mendoj se do mjaftonte Letra me dramën e pjesshme të jetës sime, që së fundi u dërgova organeve përkatëse në Tiranë. Aty shpjegoj gjithçka e këtë jo për veten time pasi vetë nuk kërkoj asgjë. Po ashtu nuk pres ndonjë gjë kur autorët e vrasjes sime vinë ende rrotull jetës politike të vendit fatkeq që ata e kanë marrë peng për xhepin e tyre apo për shërbimin ndaj qarqeve shovene ku janë lidhur (Ish kreu - Presidenti Topi, kur duhej të kthente të paktën një përgjigje, qoftë dhe gënjeshtër, bënte publikisht një akt tradhtie kombëtare - hymnin panegjerik të Janullatosit dhe dekorimin e tij me «Urdhërin e Skënderbeut», si «shpërblim» që misionari i huaj Skënderbeun e quan ‘ grek ortodoks’ e do mbante meshë greke për të). Vlen të shtoj dhe një fakt kuptimplotë: Gjykata e rreptë por e pastër e Zvicrës dënon shqiptarë dhe për shpifje e intriga kundër familjes sime këtu, me emër e mbiemër, e në fund ata luten të ‘shfajsohen’ se «kemi qenë të nxitur që ta luftojmë këtë familje», etj!..Komenti flet vetë.

E lëmë të flasë Letra ime:

L E T Ë R

Prokurores së Përgjithshme, Znj. Ina Rama
Për dijeni:
Presidentit të Republikës, Z. Bamir Topi
Kryeministrit, Z. Sali Berisha
Kreut të Opozitës, Z. Edi Rama

Krimi i pazbuluar riprodhon vetveten

Ju shkruaj për një ngjarje, mendoj lënë jo rastësisht në harresë - goditjen time për vdekje mes Tiranës, organizuar nga qarqe të caktuara e mbetur në hije. Në zbulimin e saj unë tanimë nuk kam asnjë interes për vete, as nuk kërkoj gjë tek jam në mërgimin e detyruar e në mbyllje të jetës. Ky krim ndaj një qytetari e krijuesi të pafaj është sadopak një pjesë e krimit në rritje që mesa duket ka mbuluar sot Shqipërinë. Ka 10 vjet që jam matur t’ju shkruaj për ta zbuluar, por duke parë morinë e pandërprerë të krimeve në vendlindjen time, e kam shtyrë si më pak të rëndësishme. Megjithatë ai është shumëzuar duke marrë dhe guxim të mëtejmë ngaqë nuk zbulohet, aq më keq kur dhe mbrohet. Rastet e krimit po ecin më shpejt se zbulimi i tyre, e ai tani është kthyer në termometër shpirtëror të popullit dhe barometër moral të shtetit. Si njëri prej tyre, goditja mafioze dhe e pa shpirt mbi mua mendoj se do ndihmonte sadopak për të shkuar nga degët, diku te rrënjët. Për më tepër zbulimi i saj është i lehtë (veç nëse s’duan), pasi treguesit janë si minerali mbi dhé që gjeologut s’i kërkon shumë mundim. Dikush mund ta lerë pas krahësh si të parëndësishëm krimin ndaj një të mërguari 12 vjet! Mirëpo, sadoqë sot kam dhe një Atdhe të dytë që më shpëtoi e më mban jetën në pleqëri, në shpirtin gjenetik mbetem pjesë e Atdheut tim, e Rusoi monument buzë liqenit në Gjenevë më pëshpërit t’ia kujtoj dhe Atdheut larg: «Kur i bëhet keq një njeriu i është bërë keq tërë shoqërisë, e kur i bën mirë një njeriu, ia ke bërë tërë shoqërisë».

Nuk prirem të jap mënd, ju i dini më mirë detyrat tuaja. Sqaroj, vrasja ime i ka dëshmitë të botuara në shtypin e kohës. Të tjerë për Atdheun kanë bërë më shumë e më mirë, megjithatë mbetem krenar për qëndrimet e mia jashtë çdo partie, në mbrojtje të kombit e demokracisë. Rritja e tyre ka ecur paralel me rritjen e kërcënimeve gjer në atentate të hapura. Goditja për vdekje që më largoi detyrimisht nga Atdheu është shembulli kulmor.

Në ardhjen e demokracisë unë vija nga një dënim i ashpër 10 vjeçar në Metalurgji me punë kazme internimi dhënë nga diktatura. Natyrshëm demokracinë e prisja si burimin e përrallave liruar nga kuçedra. Por si askund, demokracia shqiptare po vinte duke shkatërruar çdo gjë në Shqipërinë e tejmunduar! Duke parë se prapë në fuqi lëviznin pinjollë të shtetit komunist e ish diktatori jepte udhëzime për ‘demokracinë’, populli më i shtypur e më i varfëruar si askund mori arratinë nëpër botë ! Mbi të gjitha me hapjen që bëri, Atdheu po i shitej pjesë pjesë sidomos Greqisë, shtet armik zyrtarisht gjersa mbetet në «Gjendje Lufte»!

Këtu qw pika qendrore e shqetësimit tim siç e shpreha që në fillim, se «demokracia pa kombin është si lulja në kostumin e të vdekurit». Mbi këtë shtrat më ngriheshin kërcënimet, shovene të jashtme e komuniste të brendshme. E ndjeja rrezikun për vete e për familjen, por isha i parimit se kur atdheun e çojnë buzë vdekjes, është pak të vdesësh për të. Ambasadorit ynë në Athinë më tregonte se gazetat në tryezën e tij ma lakonin emrin me mallkime gjer dënim me vdekje! Këtë ma thoshnin dhe krahinarë të mi emigrantë në Greqi.

Përmend sadopak, të botuara në kohën e vet. Gazeta ‘Omonia’ në Gjinokastër kërcënoi hapur: «Se kush del kundër Greqisë/ Greqisë edhe Serbisë…/ e merr plumbi sisë më sisë»! dhe përmend emrat e publicistëve ku hyn dhe autori. Ish kolegu im minoritar V. Banka më shkruan nga Korfuzi që të mos flisja kundër ‘helenizmit’ se do kisha pasoja! Një aheng grekësh diku në Tiranë më kërcënon në telefon me fyerje (greqisht di sa të kuptoj sharjet). Lë telefonin hapur; nga fqinji lart njoftoj centralin t’i regjistronte numrin, dhe njoftoj shtetin…Një qytetare e panjohur më njofton në telefon porosinë e motrës së saj në Korfuz që të mos shkruaja asgjë kundër Greqisë se rrezikoja familjen!

Pas shtrëngimit, më tha emrin J. Q. Më goditin shtëpinë sa shqetësojnë dhe fqinjët, thyejnë xhamat, përgjojnë natën në rrugicë e të dyve me gruan na sulen duke na goditur, dhe çduken me Bensin që i priste te rrugica. Me mikun Sh. Delvina kthehemi nga një tubim i Shoqatës Labëria në Sarandë. Pranë Shkëmbit të Kavajës dy makina Bens, i verdhi pas të ziut, ecnin ngadalë. Vajza ime shpejtoi veturën e vogël t’i kalonte qetësisht. Befas Bensi i zi para të verdhit pret rrugën për dalje si drejt një shtegu mes arave, pa pasur tabelë, pa dhënë shenjë. Vetura jonë u përplas tmerrshëm e u shkatërrua përfundimisht. Unë përpara u godita rëndë në kokë. Shoferi i Bensit doli e pyeti lehtë shokun të sigurohej: «Agim Shehu është, apo jo» ?! «Ai është” i thirri me inat miku im, Delvina. «Jam vëlla nga Kosova (!)» sqaroi vrasësi për shfajësim. Me gjithë dhimbjen, arrita t’i flisja: «Në je siç thua shko vrit Millosheviçin në Serbi, jo vëllain në Shqipëri»! Erdhën policët rrugorë e si panë vendin, u thanë se kishin bërë shkelje të dënueshme. Pas pak u tërhoqën me ta, diç biseduan e këmbyen nën dorë…dhe policët kthehen na thonë se ne kishim gabuar!... Në Tiranë ia themi ngjarjen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, një djalë i hijshëm, i edukuar.

Ai na mirëpriti e na drejtoi dhe te Ministri i Brendshëm, H. Sh. Këtij i kërkuam takim me letra e me bisedë të sekretares. Do t’i tregonim dhe targën e veturës së huaj: LU 153924. Por më kot!

Te klubi ‘Vjeshta’ me dy kolegë poetë përgatisnim mjedisin për një tubim libri. Nga Pallati i Kulturës përballë plumbi shpon qelqin e lokalit, më kalon te buza e më bie te këmbët. E marr të ngrohtë në dorë dhe e mbaj kujtim. Te gazeta ‘Balli i Kombit’ jap qetësisht një përgjigje: «Të vdekur jemi më të fortë se të gjallë”. Një nipi im i patrazuar se nga u godit me plumb, por mbijetoi. Në qershor 1998 te ‘Gazeta 55’ botohet shkrimi se isha i «…dënuar me vdekje, ndërsa Janullatosi hesht»! Ambasadori turk, i përzemërt me mua më ofron ndihmë, gjer Azil Politik! Botoj përgjigjen: «Kërcënime që të japin humor». Në emër të Kryesisë së Shoqatës ‘Labëria’, Ministrisë së Rendit i bëra kërkesë zyrtare për një armë legale mbrojtjeje. As na u përgjigj! Më tej, Ministrit përkatës i shkruaj se nuk kërkoja mbrojtje zyrtare pasi s’e meritoja, por mundësisht të vëzhgonin te vrasësit e mi të mundshëm sipas kërcënimeve që kisha publikuar. Heshtën.

Përgjigje dashamirësve të mi

Isha e mbetem i bindur se tërë të zezat e Shqipërisë dhe demokracisë nisnin nga diktatori R. Alia sipas bisedës së publikuar të tij me një Zhoao Amazona ku ai u betua me kërcënim: «Humbëm një betejë, por jo luftën»! Qe viti 1992. Shkruaj e botoj dhe si përgjigje artikullin (firmosur nga 15 krijues ish të burgosur): «Pa dënimin e shpejtë e të plotë të Ramiz Alisë nuk ka demokraci në Shqipëri». Një krahinar në Sigurim, dashamirës me mua më njofton të ruhesha me gjithë familje! Në kushtet e fjalës së lirë kishim nxjerrë gazetën «LIRA», kryesisht me krijues të persekutuar. Një zyrtar i mirë finance na dha vetëm 50 mijë lekë e me to nxorëm 9 numra. Të ashtuquajturat ‘llogari finance’ i mbante poeti i tre burgjeve, i ndjeri Pano Taçi. Befas, na thërret prokuroria për ‘shpërdorim’ (të 50 mijë lekëve)! Gërmuan me kërcënime e s’gjetën gjë. Kërkuam shpjegim ‘zyrtar’ se nga i kishin të dhënat, por prokuroria s’u përgjigj (zbuluam më pas se mes krijuesve ish të persekutuar qe futur një shërbëtor sigurimi).

Erdhi e fundit. Te biseda në ‘Shijak TV’ dhashë publikisht mendimin se R. Alia qe autori i Masakrës së përgjakshme të Tivarit. Shtysë pata dhe një dëshmi tronditëse të papublikuar: Më 1986 në divizionin e Durrësit bëhej një festim. Oficeri për kulturën, B. Duka më thotë se në ekspozitën që po hapnin kishim vënë dhe një letër të panjohur e të çudiçme të Nexhmie Hoxhës (Xhuglini). Ia dërgonte të shoqit ku i kërkonte që Ramiz Alia (19 vjeçar) të caktohej doemos komisar i plotfuqishëm i Divizionit që do nisej për Kosovë! S. Lazri sa e pa, u tha që ta çduknin atë dokument, dhe e hoqën (se nga kush qe udhëzuar z. Nexhmie të bënte atë kërkesë që s’i takonte asaj, e di ajo megjithëse tanimë nënkuptohet se fijet vinin nga Beogradi).

Me këtë shqetësim aq sa kuptoja, në Shijak TV them publikisht mes të tjerash se nëse Hoxha qe tigër Alia është gjarpër, se ky udhëhoqi Masakrën e Tivarit, siç e kish dëshmuar Islam Kadesha, shifranti i Enver Hoxhës me publikimin e radiogramit të vetë Alisë që nga Tivari. Të nesërmen, para Lidhjes së Shkrimtarëve më takon rastësisht tok me krijuesin B. Erebara, Islam Kadesha, burrë i moshuar e disi i lodhur. I miratonte gëzueshëm ç’kisha thënë në ekran. Më thotë se kish dhe dëshmi të tjera, e se në Tivar janë vrarë rreth 8 mijë djem, ajkë Kosove. Shprehu habi me shumë keqardhje, sesi mediat në demokraci s’qenë interesuar për lajmin rënqethës që ai e kish botuar në gazetë! Më përgëzon për guximin, më këshilloi të ruhesha e lamë takim tjetër të më besonte të tjera dëshmi (ika e kam brengë që s’e takova më dot).

Ditë më pas kryeministri Meta para vitit të Ri qe thirrur në Athinë. Me firmën edhe të 18 intelektualëve me emër botoj në gazetën RD shkrimin ku jepja mendimin që të mbronte me dinjitet shqetsimet shqiptare sipas ‘barazisë së ndërsjelltë’, sidomos Çamërinë. Nuk lëvizi nga e tij dhe u kthye si shërbëtor qafëunjur i Athinës. Botoj në RD shkrimin e dytë më të prerë: «Z. Kryeministër, s’na kthyet përgjigje»! Përsëri heshtje mospërfillëse. Dy ditë para se të goditesha, te ‘Gazeta 55’ botoj një dokument të veçantë nga Fletorja Zyrtare në Mbretërinë e Zogut ku thuhej: «Duke marrë parasysh vagabonllëqet e Ilia Janullatosit dhe Spiro Manesit, të merren masat e duhura nga autoritetet kopetente për mosqasjen më të tyre në limanet e Shqipërisë! Delvinë, 9. 5. 1925. Dr. Adil Riza; sekretar Qani Kacoruho”. Dhe në fund shënimi im: «…Shqiptarët e djeshëm e dëbuan kontrabandistin e djeshëm Janullatos. Këtë do bëjnë dhe shqiptarët e sotëm me kontrabandistin e sotëm grek, Janullatos». Te dera e shtëpisë më vihet një «gjysëm leku» (simbol i plumbit), një cigare (simbol i ngushëllimit) dhe në mur një njollë e kuqe (shënja e gjakut). Të nesërmen ime shoqe ngulte këmbë e tronditur të mos dilja se do më vrisnin! Unë u nisa me një shkrim për RD-në.
Ora 10, e martë plot diell, te udha mes 15 katëshit dhe Operas një grumbull veturash mbledhur kokë më kokë lëviznin duke ndënjur çuditërisht në vënd. Një polic i shkurtër bënte sikur u udhëzonte drejtimin duke më ndjekur me bisht syri(!). Tok me njerëzit prisja në trotuar të lirohej udha. Pashë një shteg e nxitova të kaloja matanë. Një motor i rëndë me hije zyrtare që priste më lart, m’u turr egërsisht e më përplasi përdhe. Vrasësit ngecur sipër meje arrita t’i thoshja me zërin e të vdekurit: «Pse më vrave, ç’të kam bërë»?! Qe një i ri afër të 30-ve, disi fytyrëbardhë; po të më jepej fotografia, e njoh (në s’gaboj nga sa e mbaj mend, sot e shoh truproje të një kryesori). Polici i shkurtër në vënd që ta ndalte e urdhëroi: «Largohu ti, ik» e ai fluturoi. Pa ardhur te viktima, polici u largua dhe veturat morën udhën e tyre pasi e kishin bërë ‘detyrën’. Dy të rinj të panjohur më afrohen me veturë, të më çonin në spitalë! Nuk pranova. Më ngarkuan e më çuan drejt shtëpisë. Më ra të fikët nga dhimbjet e padurueshme. Më qenë thyer eshtërat.

Ngjarjen e rëndë e dhanë vetëm tri gazeta, A. Baleta, A. Patozi dhe F. Balliu. Po ashtu Shijak TV. Askush tjetër, kur njoftonin dhe vrasjet e qenve në Shallvare! Më erdhën njerëz pa fund e çuditërisht, asnjë nga krerët e Pozitës e Opozitës! (Ato ditë një poet u plagos më lehtë nga një veturë, shoferi i së cilës i kërkoi falje. President Mejdani i shkoi gjer në spitalë, e bëri mirë si fisnik. Pse s’i vajti kolegut tjetër vrarë më rëndë: gëzoi që u godit apo për arëye më keq)?!..I ndjeri Pjetër Arbnori më erdhi veças disa herë, njoftoi për ngjarjen dhe Kuvëndin, por më kot! Ministri i Brendshëm S. Poçi dërgoi dy herë hetuesit specialistë që dhanë gjykimin se vrasja qe e qëllimshme, e organizuar. Pas tyre erdhi prokuroria por sa trokitën herën e parë, të nesërmen s’u dukën më siç premtuan. Kush i urdhëroi të heshtnin!?

Pas dy javësh zvarritjeje më çuan në spitalë për operim. Kirurgu më siguroi se pas 5-6 ditësh do ngrihesha më këmbë, ngjashëm me të operuarit prej tij A. Puto e P. Çina! U gëzova kot. Dashje pa dashje, me operimin e tij më kish vrarë dhe qëndrat nervore që i kisha të qeta. Pas 6 ditësh kthehem në shtëpi me dhimbje të padurueshme sa kërkoja helmin. Nga Zvicra të afërm të mi më njoftuan të veja atje. Dëgjova se Bashkia ndihmoi një futbollist për operim në Itali. E më tej, futbollistëve do t’u jepte mijra dollarë nëse mundnin Greqinë. Me mendimin e mirë, se unë për të mirën e Shqipërisë kisha mundur sadopak shovenizmin grek, i kërkova Bashkisë vetëm 400 franga për biletë! Kryetari A. Brojka m’u përgjegj cinik, se nuk kishin! Mora hua e u nisa bashkë me gruan. Në aeroport, 10.7.2000, një burrë rreth të 40-ve (e njoh po t’i shoh fotografinë) afrohet e na pyet se ku do të ndalonim! Ia thamë. Në Zyrih binte shi e mezi po zbrisja me paterica nga avioni. Gruaja më mbante përkrahu. Drejt autobuzit për dalje burri-hije na mori çantën e madhe “të na ndihmonte”!..Në rëmujën e aeroportit ku ne mezi ecnim, ai u çduk. Një i ri tjetër, shqiptar, na u afrua pa e njohur e na rrotullonte kinse drejt policisë në dalje! Pastaj u çduk. Njoftuam policinë e aeroportit, por qe vonë. Shkuam të çveshur te miqtë që na prisnin.

Në vizitën e parë, kirurgu zviceran tha i habitur: «Dhëntë Zoti, operime të tilla të mos ketë më në Shqipëri! Do ketë qënë praktika e parë e ndonjë studenti»! I thamë, se qe 70 vjeç. Ai mblodhi supet për më keq…U vendos të bëhej doemos operimi i ri, ndryshe mbaroja keq. Proteza e Tiranës qe vënë krejt e gabuar. «Spitali të ka bërë vrasjen e dytë» tha kirurgu i shquar gjenevas. E hoqi me operacion të ndërlikuar duke e zevëndësuar (të parën ma dha ta kem kujtim paravdekjeje). Më ikën dhimbjet dhe ecij qetësisht me bastun. Zvicra gjykoi më dha familjarisht Azil politik në natyrën e saj humane e fisnike. Më dha mbrojtjen dhe ndihmën që nuk ma dha Atdheu.

Forcat e errëta që sundojnë në vëndlindje do vazhdonin të tyre siç duket gjersa të mbetesha gjallë. Njëri pas tjetrit, më vinë kinse ‘për tregëti’ dy të njohur. Me mallin për njerzit e vëndlindjes, i pres bujarisht në shtëpi për ditë me radhë, kurse ata bënin punën e shpifësit e të spiunit. Donin të na përlyenin dhe në kontrabandë! Më vodhën dokumente të vyera të cilat në mirëbesim ua kërkova të m’i sillnin nga Tirana. Një mbrëmje kur im bir i patrazuar s’qe në shtëpi, dera me çelës të sigurt qe hapur mjeshtërisht e më vodhën dokumente të tjera bashkë me vlera shtëpie të çmuara. Shumë i tronditur, njoftova nga larg kolegun dashamirës A. Patozi, ta publikonte në shtyp. Vëllai i njërit prej atyre që prisja në shtëpi vjen që nga Greqia me aparat filmi. E pres dhe atë bujarisht (vonë mësova se kishin afri pune me Janullatosin). Ai filmon shtëpinë dhe vëndin jashtë duke i sqaruar me gojë, dhe ikën. Dyshoj. Ndëroj pallatin. Fqinja Inzagi na thotë se një mbrëmje një njeri trokiti te ish dera juaj. Dal i them që janë larguar. Me shokun që e priste poshtë shkallës, largohen.

Mendoj se spjegimin për kërcënimet në vazhdimësi gjer tek e fundit e japin shkrimet e mia. Citoj sadopak: “Ç’kërkojnë në Shqipëri emisarët nga Patrikana” !?.. “Kur do hapen dosjet…Ta bëjmë si Haveli”!... “Jugu i Shqipërisë në rrezik. Si heshtet”!?.. “A mund të heshtet akoma!? (Letër Presidentit Berisha)”... “Falja me tapi e tokës shqiptare pakicës greke, tradhëti e lartë kombëtare”... “A e përfshin shkatërrimin e kombit Kontrolli i Shtetit”?..

“Ç’po bëhet me Himarën tonë”?.. “Bukëngrënësit dhe Shqipëringrënësit deputetë”!..“Zotërinj deputetë, sa s’është vonë mos e shitni Shqipërinë”!.. “Antishqiptarizmi i një ambasadori shqiptar”… “Shporru, Janullatos i zi”!..“Vëndi dridhej ai mbeti, nuk tundet nga kabineti” (për kryeministrin A. Meksi që te karrikia e vet pranoi djegien e vëndit)... “A ua mbron nderin shteti kosovarëve”?.. “Greqia po na pushton dhe me eshtërat e të vdekurve”…Rubrikën-satirë: “Nga është Ramiz Alia”!?.. “Zoti President, ky Kryeministër o duhet vizituar o duhet izoluar”! (President Mejdanit për Fatos Nanon pas shitjes së Kosovës te takimi në Kretë me Millosheviçin)…“Ushtria greke në Shqipëri - akt tradhëtie kombëtare”…“Tallja zyrtare e Nolit” (nga përqafimi kundër porosisë së Nolit i zyrtarëve me Peshkopin grek), e shumë të tjera. Siç shihet, në tërësi të gjitha kanë në krye “Kombi mbi të gjitha”, frymëzimi i parë që më ka udhëhequr, e që po ashtu ka tërhequr goditjet në vazhdimësi.

Mendoj më kuptoni drejt, e nderuar Prokurore e Përgjithëshme: për vete në këtë moshë s’dua asgjë e nuk pres asgjë veç gjumin e qetë të fundit. Ju shkruaj se kam bindjen që, sadopak zbulimi i krimit mbi mua e ka rezen më të gjerë se jeta e familjes sime dhe ata që e bënë e rrinë fshehur ndoshta i keni diku autorë krimesh të tjera. Ju shkruaj dhe për dinjitet qytetari e shkrimtari: ndjehem i fyer për mospërfilljen shtetërore ndaj krimit të rëndë që më detyroi ta mbyll jetën jashtë Atdheut të cilin e dua aq shumë.

Me nderime!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat