Çmimi Kadare: Mblidhet juria

Kultura

Çmimi Kadare: Mblidhet juria

Më: 1 tetor 2015 Në ora: 14:22

Juria e Çmimit letrar “Kadare” është mbledhur ditën e djeshme për të përcaktuar njëfarë procedure të vlerësimit të librave.

Juria e Çmimit letrar “Kadare” është mbledhur ditën e djeshme për të përcaktuar njëfarë procedure të vlerësimit të librave, për të parë cilat janë prurjet dhe për të ndërtuar një skemë vlerësimi që të jetë e drejtë dhe transparente.

Sipas koordinatorit të këtij çmimi, Alfred Lela, interesimi po bëhet gjithnjë e më i madh.

“Prurjet kanë qenë të mira dhe interesi ka qenë edhe më i madh. Përditë ka tri apo katër telefonata me pyetje për kriteret e konkurrimit. Një pjesë e konsiderueshme zhgënjehen sepse presin që konkurrimi të jetë për libra të botuar ndërkohë kur dihet që kriteri kryesor është që ‘libri të jetë dorëshkrim’. Autorët që kanë dorëzuar dorëshkrime janë 15, ndër ta emra të njohur, më pak të njohur, por edhe të panjohur”, – sqaron Lela.

Ndër emrat e njohur të autorëve që kanë dorëzuar dorëshkrimet, juria përmend Rudolf Markun, Zija Çelën, Ilir Bezhanin dhe Arti Lushin, një autor i ri interesant, sipas Lelës.

Rudolf Marku është tërhequr nga juria e çmimit, duke respektuar kriteret e vendosura se një anëtar jurie mund të konkurrojë, por nuk mund të jetë në ‘trupën gjykuese’. Ai ka dorëzuar një roman në konkurrim.

Juria e këtij çmimi, qysh në prezantimin e parë bëri të ditur se pranimet për dorëshkrimet në prozë- kriter kyç i këtij çmimi letrar, i cili do e shpërblejë fituesin me 10 mijë euro- mbyllen më 31 tetor. I pyetur nëse vihet re një tendencë në prozë, Alfred Lela shprehet se është ende herët për të dalë në përfundime.

“Sa kemi filluar me pranimet dhe është ende herët për të folur për një tendencë, në kuptimin që nuk janë lexuar tekstet që kanë ardhur dhe nuk mund të flitet për tendencë të gjësë së palexuar, por interesimi është shenjë se proza lëvrohet”.

Çmimi për prozën më të mirë do të akordohet përpara Panairit të Librit në mes të muajit nëntor, ku është folur edhe për praninë e vetë shkrimtarit Ismail Kadare, megjithatë kjo varet nga axhenda e tij, zbulon Alfred Lela. “Ne i jemi mirënjohës që na e ka lejuar markën e tij të madhe dhe me këtë sens mirënjohjeje do i kërkojmë të jetë edhe në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, në e pastë të mundur”.

Çmimi Kadare është vetëm një pjesë e një katërkëndëshi, ku përshihet Qendra e Studimeve Letrare “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës dhe hapja e një dege për “Shkrimin Krijues (Creative Writing) në UET. Ndërsa suplementi i fundjavës në gazetën Mapo, “Mapo Libri&Ide” do i kushtohet vetëm letërsisë. Në vitet e ardhshme ky çmim do të jepet në javën e parë të muajit maj, në Ditët Letrare të Razmës. /mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat