Carmina Burana në TKOB

Kultura

Carmina Burana në TKOB

Më: 1 tetor 2015 Në ora: 14:21

Një vepër madhështore dhe një produksion po aq madhështor. Himni i dashurisë, i konceptuar si gjuhë e trupit nga koreografi hungarez Youri Vamos, do të ngjisë mbi skenë 200 njerëz

Në luftën e vazhdueshme mes burrit e gruas, në rendje të përjetimeve erotike – mes dhunës dhe gënjeshtrës – ajo që mbijetoi është vetëm dashuria e sinqertë…Kështu e ka parë edhe koreografi hungarez, Yuri Vamos, baletin “Carmina Burana”, që do të mbajë mbërthyer publikun për rreth një orë e pesëmbëdhjetë minuta dhe që vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gjatë konferencës për shtyp ditën e djeshme, vetë koreografi u shpreh se e ka menduar gjatë vënien në skenë të kësaj muzike madhështore. Ai zbuloi se nuk është përqendruar te tekstet, të cilat si antologji letrare përmbledhin rreth 254 syresh.

“Është vetëm një orë muzikë, por ka gjithçka brenda. Nuk jam marrë me tekstin, por kam dëgjuar muzikën dhe kam ndjekur atë çfarë kam mundur të lexoj nga kjo muzikë për mbresat që kam marrë prej saj”, – është shprehur Vamos, duke shtuar se kjo vepër vjen si një takim i burrit me gruan. “Është impresioni i apoteozës që kam marrë nga Orf. Nuk do të jetë Makbeth, as Salome. Është një himn për dashurinë. Amen!” – ka përfunduar Vamos, i cili ka punuar në mënyrë intensive për gjashtë javë me trupën e baletit, duke sjellë këtë balet në një stil të fortë neoklasik.

Kjo vepër do të vihet në skenë në datat 4, 7 dhe 8 tetor, në kuadër të “Tetorit Gjerman”, në 25- vjetorin e bashkimit të dy Gjermanive.

Në koreografinë dhe skenografinë e hungarezit Youri Vàmos, as/koreografe Joyce Cuoco, dirigjentit Desar Sulejmani, dirigjentit të korit, Dritan Lumshi, ndriçimin e Klaus Gärditz, baletmaestër Alisa Gjoni, dhe korit të vajzave drejtuar nga Bujar Alliu, një nga produksionet më të rëndësishme të këtij viti në TKOB, premton suksesin e radhës.

Në këtë shfaqje do të interpretojë kolonia e artistëve si solistët sopranoja Eriona Gjyzeli, baritoni Carlo Cheçhi, kontratenori Safet Berisha, dhe balerinët Adela Muçollari, Ledia Sulaj, Kristi Dalipi, Ervis Nallbani, Kristi Dushmani, Erald Zela, Eltjon Merja, Besi Skura, Dion Gjinika, Jonida Onuzi dhe Rovena Shqevi .

Kjo kantatë koncertale e Carl Orf, një nga veprat më të luajtura të shekullit XX, vjen në Tiranë në versionin balet dhe do të ngjisë mbi skenë jo vetëm trupë të baletit, por edhe orkestrën dhe korin- i mbështetur edhe nga kori i Liceut Artistik- duke bërë bashkë mbi skenë rreth 200 njerëz.

Carmina Burana si antologji letrare përmbledh 254 tekste të temave të ndryshme nga jeta e përditshme, të rrëfyera në formë verbale janë gjetur në një manastir benediktian në Bavarinë jugore. Kjo vepër është luajtur për herë të parë më 1937-n.

Youri Vamos, koreografi me origjinë hungareze, i cili zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani, ka mahnitur gjithmonë audiencën me versionet shumë interesante që ai u ka bërë kryeveprave klasike. Puna e tij dallohet për kreativitetin, inteligjencën, dramacitetin dhe muzikalitetin e lartë.

Suksesi i tij i vazhdueshëm është edhe në sajë të ruajtjes së këtyre subjekteve tradicionale duke i mbajtur ato gjithmonë të reja për kohën.

O Fortuna! Në këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat, aq vitale për ekzistencën. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrëdhëniet mes burrave dhe grave, mes të rinjve e të moshuarve. Këto ndërveprime i përjetojmë edhe në baletin e Youri Vamos nën tingujt e muzikës së Carl Orff. Carmina Burana konsiderohet një ndër klasikët e parë në historinë e muzikës. Brilant në gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, ritmikisht potent, me një tematikë gjithnjë aktuale, ky balet të zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të.

Këtij pushteti sugjestionues që përcjell muzika e Orff, koreografi Vamos i përgjigjet me një skenografi veçanërisht të thjeshtë. Vetë skena kornizohet nga siluetat e korit dhe orkestrës. Nën këtë sfond dhe nëpërmjet një koreografie mbresëlënëse, ai shpalos një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat