Juliana Janku, përuron librin “Përralla, nga sënduku i gjyshes”…

Kultura

Juliana Janku, përuron librin “Përralla, nga sënduku i gjyshes”…

Nga: Nga: Murat Gecaj Më: 30 shtator 2015 Në ora: 18:37

1.
Një lexues i vëmendshëm ka mësuar se, para pak ditëve, në mjediset e AK “Art Galery”, që ndodhet në Bulevardin “Bajram Curri” të kryeqytetit, poetja emigrante në Itali, Oltjona Selamaj përuroi dy libra poetikë, njërin në shqip e tjetrin në italisht. Në festën e bukur, që u krijua pranë pikturave plot ngjyra e jetë të Azem Kuçanës, menaxherja dhe njëkohësisht bashkëshorte e tij, Vjollca Mema-Kuçana na “paralajmëroi” që, së shpejti, aty do të organizohej një përurim tjetër. Kësaj radhe, ndërmjet poetëve e shkrimtarëve kryeqytetas dhe dashamirësve të artit, do të vinte korçarja Juliana Janku, gjithashtu emigrante, aktualisht në Berlin.
Më parë, kjo autore e paraqiti me shumë kënaqësi, në vendlindjen e saj, librin “Përralla nga sënduku i gjyshes”. Ndërkaq, një njoftim i ri mblodhi përsëri, në “Art Galery”, në mbrëmjen e kësaj të marteje, miq e dashamirës të saj dhe të krijimtarisë letrare e artistike, si nga Tirana, Korça etj. Ndër ta, aty takova krijuesit Andon Andoni, Zyba Hysa e tjerë.
2.
Të shkruash për fëmijët është kënaqësi e veçantë, por dhe përgjegjësi e madhe. Ndokush, mund të mendojë se, që të krijosh për të vegjëlit, në poezi ose në prozë, është diçka “e lehtë”. Por ata, që merren me këtë fushë të krijimit letrar, e dinë fare mirë, se sa e vështirë është kjo gjë. Sepse duhet të ulesh në nivelin e fëmijëve, të përjetosh ndjenjat, emoconet e dëshirat e tyre, pra të hyshë thellë në botën shpirtërore të të vegjëlve.
Këto, që shkrova më sipër, sigurisht, i ka patur mirë parasyshë dhe i ka përjetuar krijuesja e re, Juliana Janku, kur është ulur që të hedhë në letër ose kopjuter, përrallat e dëgjuara nga “nënoçka” ose gjyshja e stërgjyshja. Pastaj, kur është bindur se ia ka arritur qëllimit të dëshiruar të saj, ato përralla, sigurisht të letraizuara, i tuboi në librin me titullin domethënës, “Përralla nga sënduku i gjyshes”.
Veprimtarinë përuruese, që u organizua për këtë libër, i cili është përkthyer edhe në gjuhë të huaja, e çeli Vjollca Kuçana. Pastaj, vetë autorja, pasi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e botuesit e librit të saj, e veshur me rroba popullore, të përshtatshme për këtë rast, interpretoi tri nga krijimet e saj, që janë në librin e mësipërm. Kështu, përrallat: “Gostia”, “Gruaje e mefshtë” e “Gjysmagjeli” u ndoqën me interes nga të pranishmit dhe, në fund, u duartrokitën nxehtësisht.
Pasi u bënë disa pyetje, për këtë autore të re dhe ajo iu përgjigj atyre, në emër të Shtëpisë Botuese “Botart” përshëndeti Ylli Molla.
Çaste të bukura e mbrelësënëse ishin ato, kur Juliana ua nënshkroi këtë libër disa të pranishmëve, me nënshkrimin e vet dashamirës. Me këtë rast, ata bënë fotografi të përbashkëta, të cilat do t’i kenë kujtim, nga kjo veprimtari përuruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat