Festivali kreativ i rahovecianëve, ja agjenda

Kultura

Festivali kreativ i rahovecianëve, ja agjenda

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 08:23

Sot e nesër në Rahovec ka festë me shumë muzikë, verë dhe rrushë por nuk do të mungojnë as lojërat tradicionale, vjelja e rrushit, zierja e rakisë e deri te zgjedhja e mbretreshës së verës.

Festivali fillon në orën 9:00 të mëngjesit me muzikë tradicionale, pastaj me parakalimin e fëmijëve, ansambleve dhe mekanizmit bujqësor. Ndërsa, në parkun e qytetit do të ketë program për fëmijë.

Rahovcianët do të shtrojnë një koktej në Shtëpinë e Verës, shoqëruar me muzikë klasike, ku pastaj në Pallaticë do të bëhet prerja ceremoniale e kalaveshit të rrushit.

Në mesditë mbahet ceremonia e hapjes së festës së vjeljes së rrushit, pastaj do të shpallen vreshtarët dhe vera më të mirë, por kryesorja është shpallja e Mbretëreshës së rrushit.

Më vonë do të ketë vizitë e stendave, demonstrim i zierjes së rakisë “Rreth kazanit të rakisë”, ku nuk do të mungojë sofra tradicionale, përcjellë me instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës tradicionale.

Po ashtu, do të jetë edhe gara e shtrydhjes së rrushit, konferencë ndërkombëtare – “Zhvillimet e fu ndit në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë.”

Kurse, pasdite në shtëpinë e verës do të ketë orë poetike për rrush dhe verë, pastaj shfaqja e komedisë “Çifti i shqyer ” nga trupa teatrale “PASSION” nga Tirana, në Qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, ku hyrja është falas.

Koncert me muzikë popullore do të ketë në Parkun e qytetit, një koncert tjetër që do të zgjasë deri në orët e vona do të jetë n’Konak,afër Shtëpisë së Verës.

Të nesërmen festivali do të fillojë me aksionin e pastrimit Let’s do it Kosova, lojërat tradicionale, finalja e garës në futboll, ekspozitë nga Kolonia e Artistëve 2015, koncert n’Konak - Para grupet lokale, Rock koncert n ‘Konak (Shtëpia e Verës), por nuk do të mungojnë as lojërat tradicionale.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat