Reagim nga shtëpia botuese “Logos-A”

Kultura

Reagim nga shtëpia botuese “Logos-A”

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 17:53

Të nderuar, na vjen keq vetëm për opinionin dhe për shkak të informimit të drejtë jemi të detyruar që t’i përgjigjemi një shkarravine plot ofendime të nënshkruar nga një autor me emrin Shpend Hoxha, që u publikua në portalin tuaj më 13.07.2015 me titull “Logosi a nga Shkupi dhe Berati nga Prizreni, prijetarët matrapazë, të keqpërdorimit të librave të Rexhep Hoxhës”.
Në fakt, personi në fjalë nuk meriton as përgjigje, sepse nga indicet e gjuhës së tij, ai ka nevojë për trajtim më serioz se një përgjigje e këtillë zyrtare, por për ta plotësuar atë që është dashur ta bëjë vetë portali juaj – ta marrë edhe qëndrimin e palës së akuzuar – jemi të detyruar ta bëjmë këtë sqarim.
Është e vërtetë se ne në vitin 2002 i kishim botuar lektyrat shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe atëbotë dy redaktorët e tyre, Fejzi Bojku dhe Islam Karanfili, na kishin thënë se ata janë marrë vesh me të gjithë autorët (pra, edhe me Rexhep Hoxhën) për botimin e tyre. Megjithatë, pas disa viteve (më 05.07.2007) rezultoi se nuk kishte qenë ashtu dhe prandaj, konform të drejtës së autorit, duke i kërkuar një mijë herë falje autorit të veprave “Picimuli” dhe “Lugjet e verdha” për atë lëshim, ia paguam nga 500 EUR (1.000 EUR gjithsej) për secilën prej tyre si të drejtë të autorit dhe këtu përfundoi bashkëpunimi me të.
Dhe, ndonëse ne menduam se kjo procedurë ka përfunduar, sot del i biri i autorit dhe me fjalor ofendues e shpifës, akuzon se ne ia paskemi hëngër të drejtën babait të tij. Si e para, ne askujt nuk ia kemi hëngër të drejtën, por shumëkush neve na ka borxh. Si e dyta, ta kishim njohur për të këtillë autorin e këtyre veprave dhe të birin e tij, as që do t’ia botonim ato vepra. Dhe, si e treta, na vjen keq që nuk mund të japim udhëzim tjetër për trajtim më serioz të këtij rasti.
Nëse autori i këtyre librave i ka marrë 1.000 EUR (sa për informacion për bestsellerin “Përplasja e qytetërimeve” të Huntigton-it kemi paguar 500 EUR)) dhe ka nënshkruar se kështu shlyhen të gjitha të drejtat mes autorit dhe botuesit, ku është morali i atij dhe i të birit që të dalë tash të shpifë dhe të akuzojë?
Siç dihet tashmë, pas botimit tonë më 2002, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i hoqi ato nga përdorimi dhe kështu thuaja na dështoi projekti jonë. Megjithatë, kjo është çështje e jona. Kur plot libra na mbetën, që nuk i morën shkollat shqipe në Maqedoni, ne vazhduam t’i shesim ato nëpër panaire e librari gjithandej trojeve shqiptare, ndërsa një pjesë të madhe – me rastin e 100-vjetori të shtetit shqiptar (më 2012) – ua falëm gjithandej institucioneve arsimore, shkencore e kulturore shqiptare. Duke qenë ato libra të shtypura disa herë nga të tjerët, shitja e tyre edhe ashtu ka ngecur dhe ato edhe pas 13 viteve akoma na qëndrojnë në magazinë. Megjithatë, i biri i tij ka aq moral sa të akuzojë se ne po e shkelim të drejtën e autorit.
Prandaj po e bëjmë këtë sqarim, po e publikojmë të skanuar këtë dokument dhe këtu po e përfundojmë shpjegimin rreth kësaj çështje. Sikur të kishim të bëjmë me palë më serioze, do ta kishim vazhduar punën në gjykatë, për shkak të ofendimeve e shpifjeve, por meqë kemi para vetes një rast për trajtim tjetër, këtu do ta ndërpresim këtë korrespodencë.
Me këtë rast duam të informojmë se librat nuk janë konfiskuar askund dhe ne jemi në gjendje të ballafaqohemi para çdo gjykate se e kemi respektuar marrëveshjen dhe, derisa të shiten të gjitha librat, ato do të vazhdojnë të qarkullojnë.
E fundit nga ne është keqardhja dhe shija e keqe që na e la ky bashkëpunim dhe pendimi që, duke dashur të bëjmë mirë për autorin dhe për nxënësin shqiptar, kemi gjetur keq dhe kemi lejuar që njerëz të këtij soji të na quajnë me fjalë fyese e ofenduese, që neve nuk na i mban goja. Nëse njeriu i merr paratë dhe pastaj të quan matrapaz, kjo flet më së miri për karakterin e tij. Për fat të keq, disa njerëz nuk po vdesin para se t’u zbulohet morali i vërtetë, me të cilin e kanë maskuar veten gjatë gjithë jetës.

Shtëpia Botuese “Logos-A” – Shkup

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat