“Tempulli i kulturës” në harresë, shkolla “Bajo Topulli” e shndërruar në banjë publike

Kultura

“Tempulli i kulturës” në harresë, shkolla “Bajo Topulli” e shndërruar në banjë publike

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 23:39

Deri pak vite më parë këto mjedise ishin të mbushura nga zërat e nxënësvë që mësonin në shkollën “Bajo Topulli”, ndërsa sot pamjet flasin vetë.
Godinën që mban emrin e një prej rilindasve të njohur gjirokastritë Bajo Topulli është mbuluar nga mbetjet dhe tashmë shërben si një tualet publik në formën më të shëmtuar.
Harresa në vite, e ka degraduar shkollën gati 120 vjeçare që për gjirokastritët ishte tempull i kulturës.
Disa libra kanë mbetur ende aty si për të thënë se dikur në këtë shkollë që daton në vitin 1896 ka patur interes, dëshirë për të mësuar dhe vëmendje për institucionet arsimore.
Me lot në sy 65-vjeçari Adriatik Liti, ish-nxënës i kësaj shkolle, rrëfen se tre breza nga familja e tij në këtë godinë kanë marrë dijet bazë. Të shohësh në këtë gjendje një pasuri kombëtare është e dhimbshme dhe e turpshme.
Shkolla ndodhet në lagjen “Dunavat:, fare pranë kalasë së Argjiros.
Banorët shprehen se degradimit duhet t’i jepet fund, pasi është një nga imazhet më negative që u ofrohet turistëve.
Kjo është shkolla e parë fillore dhe një prej aseteve më të vyera për gjirokastritët, por fatkeqësisht harresa e pushtetit vendor që e ka në pronësi e çoi në këtë gjendje, shumë larg shkëlqimit të dikurshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat