Në festivalin e Specit, krushjanët kërkojnë më shumë përkrahje

Kultura

Në festivalin e Specit, krushjanët kërkojnë më shumë përkrahje

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 18:55

Banorët e Krushës së Madhe kanë mbajtur sot për herë të dytë “Festivalin e Specit”. Duke treguar për mundin dhe punën që bëjnë ata, kryetari i fshatit Selami Hoti, e ka quajtur Krushën, vatër të punës dhe sakrificës.

Vetëm në Krushë, speci kultivohet në një sipërfaqe mbi 300 hektar ndërkaq në tërë komunën e Rahovecit speci kultivohet në mbi 950 hektar.

Por, këtyre bujqve sipas Selami Hotit, që njëherit është edhe koordinator i festivalit nuk po u shpaguhet djersa sa duhet.

Hoti, theksoi nevojën që të investohet sa më shumë në teknologji, ashtu që kultivuesit e specit dhe perimeve tjera të jenë konkurrent të barabartë, të hiqet akciza e naftës, por edhe të ndërrohet mentaliteti i fermerit përmes këshillave.

I pari i Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili ishte sot pjesëmarrës në këtë festival u tha të pranishmëve se festivali në fjalë do të rritet në vitet e ardhshme. E përveç kësaj ai premtoi edhe rritje në donacione.

“Prania e ministrit të Financave në këtë takim do të thotë se qeveria ka ndër prioritetet kryesore sektorin e bujqësisë, donacionet për bujqësi janë të dyfishuar, ndërkaq për vitin e ardhshëm do të rriten edhe më shumë. Unë si kryetar i komunës së Rahovecit, do të bëjë çmos që për fermerët e komunës tonë donacionet të rriten sepse për këtë ka nevojë", ka thënë Vehapi.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat