Shekspiri në Amfiteatrin e Durrësit

Kultura

Shekspiri në Amfiteatrin e Durrësit

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 13:21

“Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit shfaqet vetëm për një natë në amfiteatrin romak të Durrësit. Regjisorja Drida Dervish bën realitet ëndrrën e një vajze e të re, fituese konkursit të shpallur nga kryeministri Edi Rama “Ëndrra ime 2015”.

Komedia romantike e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere” i gëzohet një mbrëmje të vetme nën qiell të hapur në rrënojat romake të amfitetarit të Durrësit.
Driada Dervishi, regjisore e Teatrit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” e ka vënë në skenë me trupën e këtij teatri dhe disa aktorë të ftuar nga Tirana si Romir Zalla në rolin e Oberonit mbretit të zanave. Në botën e tij ndodhin ngjarjet. Në pyll takohen katër dashnorët e rinj që e kanë lënë Athinën për shkak të zemërimit të Egjeut, një baba që kërkon martesë me shkuesi për të bijën Hermia.
“Ëndrra e një nate vere” merr nga antikiteti lirinë për t’i përzier fatet në tokë me ato në qiell dhe krijon një udhëtim të vështirë që përmes keqkuptimesh dhe aksidentesh sa njerëzore aq edhe të rastit, të mbërrijë tek gjetja e një të vërtete, e cila i ngjan njeriut të zemrës.
Regjisorja Dervishi e ka zëvendësuar botën vegjetative të pyllit me një vend ku ndihet atsmofera e dasmës, duke çliruar prej erotikës shekpsiriane aromën e nusërisë.
Ajo e ka vënë “Ëndrrën…” në skenën e Durrësit dy vite më parë dhe nuk e ka pasur të vështirë t’i bashkojë për një muaj punë aktorët Vilma Hodo, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Ervin Doko, Andia Xhunga, Xhejni Fama, Gjergj Doci, Roland Koca, Marsel Rupi e Adelina Muça.
Amfiteatri romak i shekullit të dytë, i shpallur në vitin 2013 nga Europa Nostra një prej shtatë trashëgimive evropiane më të rrezikuara, ka kapacitet për 15-20 mijë spektatorë. Platforma e tij natyrale ka pasur mbrëmjen e 18 gushtit këtë pamje.
Spektakli mendohet të udhëtojë në teatrin e vogël antik të Apollonisë dhe në teatrin veror të Tiranës.
Kjo dhuratë e qeverisë është përgjigje për dëshirën e shprehur nga Josiba Osmani. Vajza nga Durrësi u shpall një nga tridhjetë fitueset e projektit të shpallur nga kryeministri Rama “Endrra imë 2015”. Dëshira e Josibës ishte që në qytetin e saj të viheshin në skenë veprat e klasikëve botërorë. Projekti gjen zbatim nga Ministria e Mirëqenies sociale dhe e rinisë
Ka përpjekje për ta mbajtur gjallë amfitetarin me aktivitet kulturor, si Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës apo festivali ndërkombëtar i filmit në durrës që këtë vit nuk do të bëhet.
Disa ëndrra lindin mbi të tjera ëndrra që lihen derisa të marrin fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat