"Straight Outta Compton", historia e grupit rap N.W.A.

Kultura

"Straight Outta Compton", historia e grupit rap N.W.A.

Më: 24 gusht 2015 Në ora: 00:49

Një ndër realizimet më të suksesshme kinematografike të sezonit veror është filmi i ri dramatik Straight Outta Compton, bazuar në ngjarjet reale të krijimit dhe suksesit të grupit N.W.A. që revolucionarizoi Hip-Hopin dhe Repin. Filmi e gjen frymëzimin në realitetin e pashpresë të qytezës Compton pranë Los Anxhelosit dhe dhunën, keqtrajtimen, por edhe gjenialitetin muzikor që krijon ky realitet.

Në Compton, një lagje e varfër dhe e mbërthyer nga krimi, jeta për një adoleshent duket si një qorrsokak ku e pret vetëm krimi dhe përplasja me policinë. Filmi i producentit Gary Gray, Straight Outta Compton, tregon se si një realitet i tillë i mbingarkuar u bë terreni ku lulëzoi muzika Rap e viteve 1980.

Një ndër grupet e para të rapit, N.W.A., lindi pikërisht në këtë qytet.

Vargjet e ngarkuara me imazhe të dhunshme, përshkrime grafike të drogimit, varfërisë dhe dëshpërimit e tronditën botën. Kineasti Gary Gray thotë se nuk ishte e lehtë të kapej esenca e asaj periudhe dhe e grupit N.W.A. Ai e xhiroi filmin në Compton:

“Një ndër aspektet më intriguese të filmit ishte të kapnim këtë element të kulturës amerikane. Pata rastin që me këtë projekt të bëhesha historian”.

Ice Cube mund të ketë marrë emër të madh tani, por hapi i parë ishte me grupin N.W.A:

“Duhet të ngresh zërin. Muzika u bë arma jonë”.

Në film, i biri, O’Shea Jackson Jr, luan rolin e të atit në rini:

“Ata diskutonin tema që të tjerët kishin frikë t’i hapnin. Pra hidhnin dritë mbi një realitet që shumë njerëz nuk e njihnin”.

Por duke prekur këto tema tabu ata nxitën reagime të forta jashtë Camptonit.

Filmi shtjellon suksesin e grupit, famën, konfliktet e brendshme dhe përçarjen. Një histori e 30 vjetëve më parë bëhet aktuale sidomos në skenat e konfliktit me policinë, kur kujton vrasjet e viteve të fundit të të rinjve të paarmatosur afrikano-amerikanë nga policë të bardhë.

Straight Outta Compton është pritur mirë si nga kritika, ashtu edhe spektatorët, për pasqyrimin e një realiteti të dhunshëm që u bë djepi i një muzike që sot ka pushtuar botën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat