Vajzat lexojnë online, djemtë janë më tradicionalë

Kultura

Vajzat lexojnë online, djemtë janë më tradicionalë

Më: 20 gusht 2015 Në ora: 10:48

Sipas vëzhgimit, vajzat janë më të prirura të lexojnë në internet sesa djemtë e së njëjtës moshë. Raporti i National Literacy Trust tregon se vajzat e kanë më të lartë dëshirën për të lexuar për kënaqësi.

Vajzat janë shumë më të lidhura me format e reja teknologjike të të lexuarit si Facebook, e-mail dhe mesazhet ndërsa djemtë ndihen më mirë me leximin tradicional, pra në letër të printuar, si gazeta apo manuale.

Vëzhgimi i bazuar në përgjigjet e 32,000 nxënësve nga 130 shkolla të ndryshme në Britani, tregoi se vajzat po vazhdojnë të kalojnë djemtë përsa i përket dëshirës për të lexuar si një mjet argëtimi.

Vajzat që aktualisht ndjekin arsimin 9-vjeçar e kishin më të lehtë të lexonin e-mailet dhe rrjetet sociale në krahasim me djemtë e së njëjtës moshë. Gjithashtu ato e shohin leximin si kënaqësi duke shfaqur interes për librat fiction duke treguar se zgjerimi i medias dixhitale nuk ka ulur rëndësinë e letërsisë. Nga ana tjetër, djemtë kishin dëshirë të lexonin materiale të printuara si për shembull librat komikë apo gazetat. 38% e tyre deklaruan se lexojnë gazetat të paktën një herë në muaj, kundrejt 30% të vajzave. Gjithsesi djemtë treguan një nivel mjaft të ulët të përjetimit të kënaqësisë nga leximi. Ata lexojnë më rrallë dhe nuk janë shumë entuziastë rreth letërsisw.

Raporti sugjeron se angazhimi i prindërve është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës. Një në katër fëmijë pranonin se “Prindërve të mi nuk u intereson nëse unë shpenzoj kohë duke lexuar”. Drejtori i National Lireracy Trust, Jonathan Douglas, thotë: “Duhet punuar më shumë me prindërit që të kuptojnë se të orientosh fëmijën drejt leximit që në moshë të vogël është përcaktuese për të ardhmen e tij”. Cressida Cowell, ambasadore e arsimit, thotë se “Të lexosh libra me një fëmijë, është ndër gjërat më të rëndësishme për t’i zhvilluar fëmijës aftësitë e të lexuarit dhe të kuptuarit”.

Më shumë vajza se djem thonë se lexojnë për kënaqësi libra jashtëshkollorë, ndërkohë që më shumë se 20% e djemve deklaruan se nuk kanë lexuar kurrë një libër për kënaqësi. “Djemtë janë indiferentë ndaj leximit dhe ky është një fakt shqetësues. Ne shkrimtarët, ilustruesit, prindërit, mësuesit, botuesit dhe shitësit e librave duhet të luajnë pjesën tonë”, tha Michael Morpurgo, autori i novelës “War horse”, një ndër më të shiturat në Britani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat