Universitetet anglo-saksone vazhdojnë dominimin

Kultura

Universitetet anglo-saksone vazhdojnë dominimin

Më: 20 gusht 2015 Në ora: 09:58

Vazhdon dominimi i universiteteve amerikane dhe britanike. Universiteti i Harvardit mbetet në vendin e parë për 13 vite rradhazi.

Në klasifikimin e vitit 2015 vihet re që universitetet kineze po përmirësohen me ritme galopante.

Universitetet anglo-saksone dhe kryesisht ato amerikane vazhdojnë të dominojnë edhe në Klasifikimin Akademik të Universiteteve Botërore e hartuar nga Qendra Botërore e Universiteteve në Shangai. Universiteti i Harvardit mbetet në vendin e parë prej 13 vitesh. Në fakt, 15 vendet e para të klasifikimit mbeten të njëjtat, me përjashtim të Universitetit të Oksfordit i cili nga vendi i nëntë ulet në të dhjetin. Dhjetë universitetet e para janë ato të Harvard, Stanford, MIT, California Berkeley, Cambridge, Princeton, Caltech, Columbia, Chicago dhe Oksfordit.

Por ndërsa për universitetet kryesuese nuk ka surpriza, nuk vlen e njëjta gjë për universitetet kineze. Në këtë klasifikim ka një përmirësim të ndjeshëm të këtyre universiteteve. Dr. Ying Cheng i cili drejtoi punën për hartimin e klasifikimit të universiteteve botërore thotë se “Megjithëse numri i universiteteve kineze në Top 500 nuk ka ndryshuar, shumë prej tyre janë ngjitur me disa pozicione. Dy universitetet më të mira kineze, Tsinghua dhe Pekini janë shumë pranë Top 100”.

Mbretëria e Bashkuar përfaqësohet me tre universitete në Top 20 të cilat janë Cambridge, Oxford dhe University College London. Të tjera universitete britanike që pasojnë listën në Top 50 janë Imperial College of Science, Technology and Medicine (vendi i 23), University of Manchester (vendi i 41) dhe University of Edinburgh (vendi i 47).

Në Europën kontinentale, Instituti Teknologjisë i Zyrihut është pozicionuar në vendin e 20 ndërsa Universiteti i Kopenhagenit renditet në vendin e 35 duke kaluar universitetin Pierre dhe Marie Curie të Francës. Ndërsa Universiteti i Tokios (vendi i 21) dhe Universiteti i Kyotos (vendi i 26) mbajnë të pandryshuara pozitat e tyre duke qenë të vetmet universitete aziatike në Top 50. Universiteti i Melburnit përfaqëson Oqeaninë në vendin e 44 ndërsa Kanadaja përfaqësohet nga Universiteti i Torontos në vendin e 25 dhe British Columbia në vendin e 40.

Gjithsesi, kontinenti Amerikan mer pjesën më të madhe të 100 universiteteve më të mira dhe ndan me Europën 500 universitetet më të mira në botë. Universitetet amerikane janë 16 në Top 20, 35 në Top 100 dhe 205 në Top 500. Azia nuk ka asnjë universitet në 20 më të mirat, por përfaqësohet me 10 universitete në Top 100 dhe 114 universitete në Top 500. Kontinenti Afrikan nuk ka asnjë universitet në Top 100 por katër prej universiteteve renditen në 500 universitetet më të mira të botës.

Kina nuk ka asnjë universitet në Top 100 por përfaqësohet me 5 të tilla në renditjen e 200 universiteteve më të mira dhe 44 universitete në Top 500. Përsa i përket vendeve arabike, përfaqësimi më i lartë vjen nga Arabia Saudite me dy universitete në Top 200 e ndjekur nga Egjipti me një universitet në Top 500. Gjithashtu edhe vendet latine si Brazili dhe Argjentina kanë universitete brenda 200 më të mirave.

Klasifikimi i Shangait prezanton 500 universitetet më të mira në botë çdo vit duke nisur nga viti 2003. Megjithëse publikon vetëm 500 universitete, Qendra Botërore e Universiteteve në Shangai klasifikon 1200 universitete duke pasur për bazë gjashtë indikatorë. Këtu përfshihen numri i studentëve të alumnit dhe stafit akademik që kanë fituar çmimin Nobel dhe Medaljen Fields, numrin e artikujve shkencorë të publikuar, numrin e artikujve të indeksuar për citime shkencore dhe performanca e universiteteve për banor.

Kjo qendër duke nisur nga viti 2005 organizon një konferencë bienale mbi universitetet më të mira në botë dhe hulumtimin e metodikave të reja për vlerësimin e performancës së universiteteve. Konferenca ndërton një bazë të dhënash me punën kërkimore shkencore të 500 universiteteve më të mira në botë duke ofruar edhe konsulencë për qeveritë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat