Virxhinia Ulf, romancierja që eksperimentoi në letërsi

Kultura

Virxhinia Ulf, romancierja që eksperimentoi në letërsi

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 17:30

Me romanin “Zonja Dalouej”, Virxhinia Ulf iu fut tërë guxim një eksperimentimi letrar. Për të, një roman nuk është bërë për “të predikuar, për të kënduar këngë apo për të mbuluar me lavdi perandorinë britanike”.

Ajo donte ta vëzhgonte me imtësi shpirtin njerëzor, që të përshkruante “fërgëllimën e pandërprerë të atomeve të panumërta” që sulmojnë përditë vetëdijen. Kumtimi i këtyre ndjesive ishte për të detyra e vërtetë e romancierit bashkëkohor. Zonja Dalouej duhej të jepte një shembull konkret të stilit në të cilin duhej të sendërtohej kjo detyrë.

Virxhinia Ulf përdor për këtë qëllim teknikën që mësoi nga Xhejms Xhojsi, atë të “përroit të ndërgjegjes”: atmosferat, grimcat e mendimit dhe kujtimet ndjekin njëra-tjetrën rrëmujshëm në këtë stream of consciousness. Prania e një tregimtari të kudondodhur dhe përshkrues i imtësive është zhdukur.

Përkundrazi, ne dëgjojmë “monologun e brendshëm”, domethënë dëgjojmë vetëm zërin e personazheve që reagojnë ndaj ngacmimeve të jashtme dhe të brendshme që ndjekin njëra-tjetrën – si të fliste vetë truri.

Këtu nuk ka më karakterizim objektiv të personazheve; zonja Dalouej, heroina, vizatohet vetë nëpërmjet mendimeve të saj ose pasqyrohet në vetëdijen e personazheve të tjera të romanit.

Virxhinia Ulf ishte magjepsur nga dukuria bashkëkohore e “njëkohësisë, nga njëhershmëria e ngjarjeve të ndryshme”, që vërehen sidomos në qytetet e mëdha: aty banojnë me miliona njerëz, të gjithë njëri pranë tjetrit e megjithatë janë të ndarë me vite të tëra drite. Fatet kryqëzohen, prapa çdo kalimtari fshihet një dramë dhe shumë pak marrin pjesë në të. Ulf e adhuronte Londrën dhe rrëmujën e pandërprerë të metropolit, shpirtin e saj të përciptë.

Londra u bë kështu metafora e romanit. Sado të ndryshëm të jenë njerëzit, ata thithin të njëjtin ajër, përshkojnë të njëjtat sheshe dhe të njëjtat rrugë dhe dëgjojnë në çdo orë të ushtojë Big-Ben-i i famshëm, simbol i Londrës. “Zonja Dalouej” është gjithashtu, në këtë kuptim, romani i një qyteti të madh; keqardhja për kohën që kalon dhe për jetën fluturake, që mësyn të paktën një herë secilin prej personazheve, përziejnë vazhdimisht tensionin dhe gëzimin për të jetuar në një mjedis kaq ngacmues.

Ndoshta ky intensitet i veçantë, që autorja i jep përjetimit të Londrës, i detyrohet një malli vetjak për kryeqytetin: Virxhinia Ulf e shkroi romanin në provincë, ku i shoqi e kishte nisur të rrinte për shkak të shëndetit të saj të keq. Ajo kishte një brishtësi të madhe fizike, kalonte shpesh kriza depresioni, dëgjonte zëra.

Me “Zonjën Dalouej”, Virxhinia Ulf u bë një nga autoret më të pakundërshtueshme të pararojës europiane; vetë ajo, që dyshonte vazhdimisht tek talenti i vet, u tregua edhe një herë – dhe për pak kohë – e kënaqur.

Depresionet e përsëritura dhe krizat psikike i shtynë mjekët ta shtronin shumë herë në një spital psikiatrik, ku shëndeti i saj rëndohej më shumë. Bën një përpjekje të dytë për vetëvrasje më 1913.

Ajo do të shkruante gjithsej nëntë romane, por edhe histori, novela, tregime sprova dhe recensione letrare, pa harruar letrat dhe shumë vëllime të Ditarit.

Pas përpjekjes së tretë të pafrytshme për vetëvrasje më 1940, Virxhinia Ulf i dha fund jetës më 28 mars 1941, pranë Leves, në Saseks, duke u mbytur në lumin që rridhte poshtë pronës Monk’s House në Rodmell.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat