Trafiku i objekteve arkeologjike në Shqipëri: A është ky “Grali i Shenjtë”?

Kultura

Trafiku i objekteve arkeologjike në Shqipëri: A është ky “Grali i Shenjtë”?

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 19:05

Për mbi 24 vitet, lokacionet arkeologjike në Shqipëri kanë rënë pre e gërmimeve të paligjshme nga persona të ndryshëm, të cilët në shumë raste kanë mundur të trafikojnë objektet e gjetura. Kjo barbari është kthyer thuajse në modë!

“Askush nuk gjen një objekt arkeologjik mbi tokë, që do të thotë se është nën tokë dhe që për ta gjetur nën tokë ka kryer një procedurë gërmimi që automatikisht është e jashtëligjshme, sepse në çdo periudhë kohore të shtetit shqiptar, edhe kur ka qenë nën Perandorinë Otomane, gërmimet e jashtëligjshme arkeologjike kanë qenë të ndaluara. Nëntoka ka qenë pronë e shtetit shqiptar”, deklaron Silva Breshani, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit.

Ditët e fundit, një rast konkret ka bërë që të diskutohet sërish mbi këtë çështje. Ishte një video e shpërndarë në internet, ku duken dy persona që nxjerrin në dritë disa objekte që ndezën fort debatin në opinion.

Videoja, që vazhdon të qarkullojë në mediat sociale, hedh dyshime mbi gjetjen e “Gralit të Shenjtë”, apo “Kupës së Krishtit”.

Por, sa e vërtetë është kjo? Çfarë është ky objekt enigmatik që ka turbulluar opinionin? Një shaka interneti apo një objekt me vlerë që rrezikon të humbasë nuk dihet se ku?

Personi i cili duket në video dhe që aktualisht zotëron këtë objekt është nga Çorovoda dhe quhet Fetah Sulçe. Ai hedh poshtë akuzat se ka dashur të trafikojë kupën, të cilës i atribuon një vlerë të jashtëzakonshme, duke thënë se e ka marrë dhuratë nga një mik.

“Materiali që shikoni më është dhuruar nga një miku im para dy vjetësh. Më janë bërë oferta të shumta për ta shitur, por nuk e kam shitur sepse është një vlerë kombëtare, që i takon vetëm kombit tim dhe dua që ta ekspozoj për kombin tim”, thotë Sulçe.

Megjithatë, zonja Breshani deklaron se objekti duhet të jetë i shoqëruar me dokumentet përkatëse noteriale që dëshmojnë prejardhjen.

Objekti kaq shumë i debatuar nuk është prej floriri. Ai ka disa gdhendje në trup, të cilat duhen verifikuar nga ekspertët se cilës periudhë i përkasin. Nën të, objekti ka vitin 1764, datë kjo që megjithatë kuptohet se është bërë shumë kohë më vonë nga ç’daton objekti.

Brenda tij janë gjetur tre monedha të arta dhe një gur me përbërje të veçantë, shoqëruar edhe nga një hartë që sipas disa studiuesve që kanë mundur ta shohin tregon se ky objekt ka një vlerë mjaft të madhe.

Është e vështirë të thuhet nëse ai është “Grali i Shenjtë”, pasi vlerën e tij do të mund ta vendosin vetëm ekspertët. Në çdo rast, ajo që ka rëndësi është që ky objekt të mbetet në Shqipëri e të mos përfundojë i trafikuar si shumë të tjerë, që ose kanë marrë rrugët e koleksionistëve në botë, ose mbahen si trofe nga shume koleksionistë vendas. /Top Channel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat