Çmim të parë me poezinë për emigrantët

Kultura

Çmim të parë me poezinë për emigrantët

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 10:29

Kur shkruan ndihet e lehtë, e kënaqur dhe e lumtur, aq sa harron ku është. Fillimisht nisi të shkruante tekste këngësh në festivalet e Radio Televizionit Shqiptar, punoi gazetare në shtypin e shkruar, dhe gradualisht nisi të botonte libra. Kjo është poetja Irma Kurti, e cila, së fundmi është vlerësuar me një tjetër çmim të parë në letërsi, për poezinë e titulluar “I dashur, ti nuk mund ta dish”, në seksionin e autorëve të huaj në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë, “Posedonia Paestum”, edicioni XXI (2015).

Shkrimtarja që sot numëron shumë çmime në vende të ndryshme, lexohet në italisht dhe anglisht, por vazhdon ende mos të ketë një çmim në letërsinë tonë bashkëkohore. Poezia “I dashur, ti s’mund ta dish”, trajton plot origjinalitet dhe delikates, përjetimet e një emigranti në vend të huaj. Fakti që nuk kanë një “leje qëndrimi”, lejon që ëndrrat e tyre të shkelen, duke i bërë të ndihen të vegjël edhe të pavlerë. “Ti s’e kupton ç’do të thotë të jesh i huaj, në një vend të bukur e magjepsës si ky, të të mungojë gjithçka, tek e fundit asgjë: një copë kartë me emrin “leje qëndrimi”, shkruan ndër të tjera poetja Irma Kurti, në vargjet e poezisë me të cilën ka fituar çmim të parë.

Ndonëse autorja shqiptare, e cila na kishte premtuar se nuk do të reshte kurrë së shkruari për dashurinë, për këtë ndjenjë sublime, që sikurse thotë: Na mbush zemrën me gëzim, por edhe që shpeshherë zhgënjen, kësaj here vlerësohet për një poezi dedikuar emigracionit. Asaj i pëlqen të hyjë në botën shpirtërore të personazheve, aq sa herë-herë përshkruan edhe vuajtjet e tyre, ato duken gati si natyrale. Kështu ajo arrin të jetë e pranishme përherë te lexuesi, nëpërmjet përjetimeve të tyre emocionale.

Janë personazhet që e marrin përdore, duke zgjedhur fatin e tyre. Këta personazhe, kësaj here emigrantët, janë ata, që ashtu sikurse ajo vetë, dikur u largua nga vendlindja e saj, por që mundi t’ia dalë mbanë, ata vazhdojnë sot të enden nëpër dyert e Evropës, si azilkërkues, të pashpresë për një jetë më të mirë në vendin e tyre, por në vend të huaj edhe më të nëpërkëmbur. Duket se, në kujtesën e saj vazhdon ende të zërë vend nostalgjia, edhe pse tashmë jetën e ka ndërtuar në Itali, atje ku ka familjen dhe miqtë. Çmimet e fundit kanë lidhje edhe me faktin se, Irma Kurti ka qenë përherë e sigurt në poezi, ndoshta sepse me të është familjarizuar qysh nga fëmijëria.

Shumëkush mund ta kujtojë atë nga bashkëpunimet që ka pasur si autore e teksteve të këngëve, me muzikantin Ilir Dangëllia dhe këngëtaren Ermira Babaliu. Ajo vetë ka shkruar poezi dhe mbi bazën e tyre është kompozuar kënga. Rrallëherë i është dashur të punojë duke pasur përpara muzikën. Tekstet: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Fotografia”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Befas zgjohem”, “Ndihem ndryshe”, janë raste që e tregojnë më së miri, punën që Irma Kurti ka bërë qysh para 30 vjetësh në Shqipëri, por dhe arsyet që vazhdon të vlerësohet jashtë vendit. Ndoshta një diplomë nderi në gjuhën shqipe, do ta bënte atë ta merrte detin me këmbë, ashtu sikurse kthehej dikur në Tiranë, kur në aeroport e prisnin familjarët e saj.

Biografia

Poetja Irma Kurti ka filluar të shkruajë dhe botojë poezi qysh kur ishte fëmijë. Në vitin 1980 është nderuar me çmim të parë në Konkursin Kombëtar të shpallur me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Emri i saj më pas u bë i njohur, si autore e teksteve të këngëve në festivalet e RTSH-së, por edhe në koncertin “Kur vjen pranvera”.

Ka fituar dhjetëra çmime e vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare letrare në Itali dhe Zvicër. Në vitin 2013 iu akordua titulli “Universum Donna” për kulturën, si dhe “Ambasadore e Paqes” nga Universiteti i Paqes në Lugano. Është vlerësuar në Konkursin Ndërkombëtar me emrin e humanistit toskan “Coluçio Salutati”, në konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës (2011), në Napoli. Është vlerësuar me çmimin për Konkursin Ndërkombëtar "Europa" në Lugano, për librin me poezi "Nën bluzën time”.

Autorja ka botuar libra në gjuhën shqipe, ndërmjet të cilëve, poezi, prozë e publicistikë, si dhe disa të tjerë në gjuhën italiane. Disa nga librat e botuar në shqip janë: “Një vjeshtë pa kthim”, “Nën bluzën time”, “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” etj. Përmbledhja me poezitë e saj të shkruara nëpër vite është botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titullin: “I knew the gray sky” (Njoha qiellin gri). Aktualisht jeton në Bergamo në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat