Netët e Muzikës Klasike në Durrës, një udhëtim në vendin e Servantesit

Kultura

Netët e Muzikës Klasike në Durrës, një udhëtim në vendin e Servantesit

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 13:01

Qëllimi i tij është që këto koncerte të shërbejnë për diçka, të kenë një kuptim, të mbesin në kujtesë dhe t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se kultura në këtë vend nuk është diçka e dekadave të fundit, por shumë më tepër… Po ashtu mos të jetë thjesht një mënyrë narciziste e demonstrimi apo virtualizmi fishekzjarresh, por të jetë realizimi i asaj që është esenca e muzikës së dhomës. Kështu e koncepton qëllimin e këtyre netëve violinisti shqiptar, Florian Vlashi, i cili rikthehet edhe këtë verë, në qytetin e tij të lindjes, në Durrës, për të realizuar Bienalen e Netëve të Muzikës Klasike. Kësaj here koncertet nisin në datë 1 gusht, për të vazhduar deri në 7 gusht.

Programi sjell në udhëtim muzikor në vendin e Servantesit. Vlashi sikurse herëve të tjera, e shikon këtë festival me muzikë dhome, si një mundësi të mirë ku mund të krijohen dhe të ruhen tradita muzikore. Nëpërmjet koncerteve mbetet qëllim dhe edukimi i publikut, i cili mund të realizohet nëpërmjet projekteve të improvizuara në stinë të mirëfillta dhe në festivale serioze.

Bienalja Netët e Muzikës Klasike, tashmë është një aktivitet i mirëpritur në qytetin bregdetar, i cili qysh prej vitit 2003, falë ideatorit të kësaj ngjarjeje muzikore, violinistit me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi prezanton programe të mirëfillta me instrumentistë virtuozë dhe mbrëmje të nivelit të lartë profesional. Sivjet, së bashku me muzikantin dhe kompozitorin Haig Zacharian, Bienalja do të shtegtojë në viset e Servantes-it, me temën “Espana”.

Por cila është arsyeja që violinisti shqiptar, në këto net të edicionit XI, ka përzgjedhur për të interpretuar muzikë spanjolle?

Artisti Florian Vlashi tregon se është duke rrëmuar në tingujt e përbashkët mes Spanjës dhe Durrësit, ata tinguj që sollën rrëfimin muzikor “Spanja, një histori dashurie”. Më tej ai shton se: “Para disa kohësh, në bar ‘El Preludio’ në breg të oqeanit në La Coruña, lexoj në shtyp një lajm që më bëri të mendohem.

Në ujërat e bregut të Durrësit ishte zbuluar një anije spanjolle e mbytur, rreth 1700 vjet më parë. Anija ishte zbuluar nga arkeologu nënujor Adrian Anastasi, sipas gazetës ‘El País’ dhe transportonte mallra me shumë vlerë, të zgjedhura me kujdes (verëra dhe vajra), për të kënaqur shijen e hollë të aristokracisë së kohës. Pra, XVII shekuj më parë... Nuk e dija që lidhjet me Spanjën ishin kaq të hershme”. Violinisti vazhdon të rrëfejë se dinte gjithashtu edhe se i madhi Servantes kishte qenë rob i një pirati shqiptar me emrin Arnaut Mami, për pesë vjet rresht, megjithëse ky fakt nuk ishte dhe aq për t’u krenuar.

“Pas lirimit, Servantesi shkruan ‘El Quijote’, librin më të mirë të historisë me të cilin fillon letërsia moderne. Nuk e di a ka ndonjë lidhje mes njohjes me piratin shqiptar dhe krijimit të personazhit të Don Kishotit? Dija që Don Kishotin e solli në Shqipëri një peshkop i ditur, Fan Noli, III shekuj më pas. Kalorësi i marrë magjepsi shqiptarët me fantazmagorinë e tij, ‘ky delir i mrekullueshëm që ka të bëjë me lirinë’, siç do shkruante Kadare për të”. Vlashi tregon se arti i madh spanjoll më pas hyri me librat mbi Goya-n, dhe me albumet e Velasquez-it, Murrillo-s dhe El Greco-s, ndërsa gjenitë e artit modern si: Picasso, Miró apo Dalí i shfletonin fshehurazi gjatë viteve të diktaturës, gjë që ua shtonte akoma më shumë joshjen magjike. Në këtë radhë, muzika spanjolle ishte e fundit që hyri në Shqipëri.

“E gjitha kjo ngjan me një histori dashurie, e cila fillon me verëra, vazhdon me princër, rrëmbime, delire, fshehtësi, për të përfunduar në pasionin shfrenues të një Fandango-je…, po atë breg deti, ku njerëzit shquheshin për shijet e holla aristokratike". Në fakt, sipas violinistit, Durrësi është qyteti shqiptar ku muzika spanjolle është luajtur më shumë dhe, nga ana tjetër, shumë instrumentistë, kompozitorë e artistë, janë përfaqësuar në Spanjë. Pse Durrësi? “Ishin Netët e Muzikës Klasike ato që krijuan këtë urë tingujsh me Spanjën. Por, diku brenda meje, ndjej se kjo ka qenë ndoshta edhe një lidhje tjetër, shumë më e vjetër, si ‘e shkruar’ në amanetet e marinarëve të anijes së mbytur 1700 vjet më parë në bregun e Durrësit…”, përfundon Vlashi.

Bienalja në Durrës nga 1 deri 7 gusht 2015

Nata Surrealiste

Muzeu Arkeologjik, dt.1 gusht, ora 20.00. “Një takim mes Servantesit, Hugo-it dhe Dali-s në bregun e Durrësit, nga prof. P.Kabo, I.Picari, E,Zhuti, J.Dalfontem dhe D.Vlashi.

Nata e Muzikës së Vjetër

Muzeu Arkeologjik, dt.2 gusht, ora 20.00. Alessandro Castriota Scanderbeg, A. Kastriota Skanderbeg, Ansambli Vokal, Prishtina dhe R.Rudi.

Nata e Muzikës Baroke

Holli i teatrit, dt.3 gusht, ora 20.00. “Don Kishoti në muzikë”, Purcelli, Telemann dhe Orkestra e Harqeve A.Moisiu.

Nata e Muzikës Klasike

Katedralja Shën Luçia, dt.4 gusht ora 20.00. “Kitara spanjolle”, Boccherini, F.Vlashi, A. Kotani, A. Llozi, R, Lukaçi dhe A.Domi.

Nata e Muzikës Romantike

Te galeria “Jozef”, dt.5 gusht ora 20.00 prezantohet “Virtuosismo”, “Sarasate grandos”, D.Vlashi dhe D.Dodani Dedja, piano

Nata e Yjeve të Rinj

Shkolla e Muzikës “Jan Kukuzeli”, dt.6 gusht ora 18.00. Konkursi i talenteve të rinj, koncert në spitalin e qytetit, Durrës, dt.7 gusht, ora 11.00.

Nata e Muzikës Moderne

Te hotel “Bleart”, dt.7 gusht ora 20.00 “Proyecto Albania”, nga Spanja në Shqipëri. “Pereiro/Duran”, “Grupo Instrumental Siglo XX”, F.Vlashi, D.Vlashi, L.Llozi. A.Llozi dhe R.Lukaço

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat