Panairi i Librit në Ulqin, Kumbaro: Libri, tokë e lirë pa kufij të ndarë (Foto)

Kultura

Panairi i Librit në Ulqin, Kumbaro: Libri, tokë e lirë pa kufij të ndarë (Foto)

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 18:27

Në qytetin e Ulqinit u hap më 26 korrik “Panairi i 15 i Librit”, në të cilin janë ekspozuar rreth 3500 tituj. Këtë manifestim e hapi kryetari i komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, i cili tha se ky panair është kthyer në një ngjarje kulturore rajonale.

Në këtë aktivitet ishin ftuar edhe personalitetet e larta, të cilët folën në hapjen solemne, kryetarët e Kuvendeve të Malit të Zi dhe të Shqipëris, Ranko Krivokapiç dhe Ilir Meta, si dhe ministrat e kulturës të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës, Pavle Goranoviç, Mirela Kumbaro dhe Kujtim Shala.

Krivokapiç u shpreh se, Ulqini me këtë manifestim ka vërtetuar jetën në libër, ndërsa Meta tha se fuqia të cilën e sjell libri është dija, bashkëpunimi, kultura dhe toleranca. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh në fjalën e saj se libri i përket një toke të lirë e pa kufij administrativë.

“Libri e letërsia në veçanti janë tokë e lirë, ku sundon mendja e hapur e pa kufij të ndarë, është hapësirë njohjeje, thellimi, mirëkuptimi e tolerance. Historitë e librave duke nisur nga ato të autorëve të dikurshëm e deri tek autorët e sotëm kanë përbërë nyjën lidhëse edhe të popujve fqinjë ballkanas, ku mitet dhe legjendat të emërtuara ndryshe sa në një gjuhë në tjetrën, kanë ruajtur thelbin e domethënies së përbashkët. Doruntina e Kostandini, ndryshojnë emrat duke kapërcyer kufij gjuhësh, por udhëtimi i tyre i përtejmë, është gjithnjë udhëtim i besës e fjalës së dhënë, i vëllazërimit”, tha Kumbaro.

Të pranishmit vlerësuan Panairin e Librit, i cili tashmë është kthyer në një institucion të rëndësishëm të shkëmbimit të autorëve, letërsisë dhe historive të përbashkëta.

Në këtë këndvështrim Ministrja Kumbaro kujtoi mbështetjen dhe mirëkuptimin e dy popujve. “Letërsia dhe jeta e shkrimtarëve është dëshmi dhe e mbështetjes dhe mirëkuptimit të dy popujve tanë, shqiptarëve dhe malazezëve, bashkëjetues prej shekujsh në këtë qytet, Ulqinin: e dëshmon këtë Bato Tomaseviç në librin e tij autobiografik të shumëpërkthyer “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, kur rrëfen se në fillim shekullin e kaluar të parët e tij gjetën mbrojtje te shqiptarët e Kosovës, ashtu si në mbyllje të shekullit të kaluar, shkrimtari tjetër malazez Jevrem Brkoviç rrëfen se gjeti strehë në kohë të vështirë tek shqiptarët e Shqipërisë”, deklaroi ministrja.

Panairi do të qëndrojë i hapur nga data 26 korrik deri më 4 gusht 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat