Shqipëria prezantohet me sukses në “Giffoni 2015”

Kultura

Shqipëria prezantohet me sukses në “Giffoni 2015”

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 13:51

Kinemaja shqiptare për fëmijë dhe të rinj u rikthye fuqishëm në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Giffoni”, edicioni i 45-të i të cilit u zhvillua në Itali nga 17 - 26 korrik.

Vendi ynë u përfaqësua nga filmi me metrazh të shkurtër “Skuadra” me regji të Artan Minarollit dhe protagonist të riun e talentuar Samuele Vargu dhe nga filmi “Amaneti” (“The Last Wish”) me autor Namik Ajazin, vepra të paraqitura në Fokusin e posaçëm kushtuar kinematografisë sonë.

Veçanërisht mbresëlënës filmi “Skuadra”, që rrëfen historinë e një grupi fëmijësh që enden nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar në kërkim të një hapësire për ta parësore dhe elementare: një sheshi për të luajtur. Kërkim jo i lehtë në një qytet ku parkimet e automjeteve dhe ndërtimet pa kriter kanë uzurpuar të gjitha hapësirat publike. Fëmijët këmbëngulës e gjejnë më në fund një parkim të shkretuar dhe fillojnë aty lojën me top. Kur roja i parkingut, i pavëmendshëm për praninë e tyre i mbyll ata brenda me dry, fëmijët arrijnë të dalin vetëm në sajë të zgjuarsisë së tyre.

Festivali “Giffoni” është një prej tempujve ndërkombëtarë të kinemasë për fëmijë dhe të rinj. I themeluar në vitin 1971 nga një ide e Klaudio Gubitosit, festivali ka synuar që herët të promovojë dhe të bëjë të njohur kinemanë për fëmijë dhe adoleshentë, duke e ngritur atë në rangun e një zhanri të mirëfilltë cilësor, të aftë të përballet me kërkesat e tregut.

Robert De Niro, Roman Polanski, Meril Strip, Xhon Travolta, Meg Rajan, Deni de Vito, Naomi Uats, Kristina Riçi, Uinona Rajder, Suzan Sarandon, Samuel L. Xhekson janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj të artit kinematografik botëror që kanë marrë pjesë si të ftuar në këtë festival gjatë më 45 viteve veprimtari.

Në të shkuarën Shqipëria është përfaqësuar edhe nga regjisorja e madhe Xhanfise Keko me dy kryevepra të kinemasë për fëmijë dhe adoleshentë si “Beni ecën vetë” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, pjesëmarrje të vlerësuara me çmime nga juria e festivalit.

Të ftuarit me emër nuk kanë munguar në “Giffoni” as gjatë edicionit të fundit. Mes tyre spikaste aktori i njohur Tom Felton, protagonist i sagës së famshme të Harry Potter-it (ku aktori luan rolin e Drako Malfoit) si edhe ylli hollivudian Orlando Blum.

Edicioni i këtij viti, i titulluar “Carpe Diem”, u karakterizua nga pjesëmarrja e 3600 anëtarëve të jurisë, fëmijë dhe të rinj me moshë nga 3 deri në 18 vjeç, me prejardhje nga rreth 50 vende të botës.

Ata vlerësuan filmat konkurrentë në seksionet e ndryshme dhe morën pjesë në shfaqjet e programuara. 156 filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, të përzgjedhur mes 4200 aplikimeve, u shfaqën në “Giffoni 2015”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat