Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka. Qortimet e një poeti

Kultura

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka. Qortimet e një poeti

Nga: Iain S. Thomas Më: 25 korrik 2015 Në ora: 11:10

Poet, Autor i “E shkruaj këtë, për ty”

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka.

“Battlestar Galactica” është gënjeshtër.

“Star Trek” është gënjeshtër.

“Alien” është gënjeshtër.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse do ta shpenzojmë kohën që na ka mbetur, dhe të vetmin shans që na ka mbetur për t’u larguar nga Toka, duke u grindur se kush-i bëri-kujt-çfarë.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse në vend të ndërtonim anije hapësinore, ne vendosëm të ndërtojmë mure dhe gardhe me tela me gjemba, dhe burgje, dhe bomba.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse ne nuk po ndërtojmë ashensorë hapësinorë dhe lloje të reja kostumesh hapësinorë dhe armësh me lazer, që do të na duheshin, në rast se ndeshim në dikë që është po aq i keq sa edhe ne, atje lart.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse jemi shumë të zënë duke ndërtuar tanke, për të luftuar mes nesh për fuçitë e fundit të naftës, dhe duke ndërtuar avionë, për të hedhur bomba mbi njerëzit që nuk bien dakord me ne, në lidhje me detajet e historisë që tregon se nga kemi ardhur të gjithë.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, edhe pse të gjithë historitë tona bien dakord në një pikë: parajsa është mbi kokat tona.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka. Ndonëse Stephen Hawking thotë se na kanë mbetur edhe 200 vite. 2000 vitet e fundit nuk na japin shumë shpresë.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, për arsye se shumë prej nesh kemi rënë dakord që, miratimi i ligjeve që rregullojnë atë çfarë dikush bën me organet e veta gjenitale, është më i rëndësishëm, se sa largimi nga Toka.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka dhe ne do të fundosemi dhe mbytemi në këtë anije, ndërkohë që grindemi mes nesh, për karriket mbi kuvertë.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka.

“The Last Starfighter’ është gënjeshtër.

“babylon 5” është gënjeshtër.

“Star Wars” është gënjeshtër.

iain M. Banks është gënjeshtër.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, dhe nuk do të jemi kurrë diçka më shumë se sa një mendim i çuditshëm që pati universi.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse bota do të shpërthejë në zjarr dhe akull, ndërkohë që ne vazhdojmë të debatojmë nëse zjarri dhe akulli ekzistojnë në të vërtetë. Edhe kur të jemi duke vdekur, do të vazhdojmë të debatojmë, nëse po digjemi, apo po ngrijmë.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, dhe ata pak robotë që kemi dërguar në hapësirë, në vendin tonë, do të jenë gjurma jonë e vetme në qiej, prova e vetme e një dorë që ka dalë jashtë arkivolit tonë, përpara se të futet nën dhe.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka dhe të takojmë Dashin, Demin, Binjakët, Gaforren, Luanin, Virgjëreshën, Peshoren, Akrepin, Shigjetarin, Bricjapin, Ujorin apo Peshqit.

Ne nuk do ta prekim kurrë fytyrën e Binjakëve dhe ta dëgjojmë të thotë: “Ti je fiks si unë. Ti je fiks si unë”.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse jemi shumë të zënë duke u grindur, se kë lejohemi të dashurojmë, në vend që të bëjmë punën e dashurisë, domethënë të largohemi nga Toka.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka, sepse jepi kaq të fiksuar pas dheut ku kemi lindur, saqë nuk e kemi kuptuar asnjëherë se i gjithë dheu mbi të cilin rrimë dhe i gjithë dheu nga i cili jemi bërë, nuk është dhe. Eshtë pluhur yjesh. Dheu ynë është dheu i tyre, dhe ne nuk do kërkojmë asnjëherë ndihmë nga dheu i tyre, kështu që nuk do të largohemi asnjëherë nga Toka.

Carl Sagan është gënjeshtër.

Douglas Adams është gënjeshtër.

“Guardians of the Galaxy” është gënjeshtër.

“Space Quest” është gënjeshtër.

Ne nuk do të largohemi kurrë nga Toka.

Përveç se, si pluhur dhe hi dhe minerale, që i janë rikthyer dërguesit, për të bërë dritë, duke u djegur në diejt e dikujt tjetër.

Përkthimi: Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat