128 vjet Esperanto, për një botë me komunikim të barabartë

Kultura

128 vjet Esperanto, për një botë me komunikim të barabartë

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:22

Esperantistët e dinë se kur një grup shumëkombësish përdor gjuhën asnjanëse, të përbashkët, cilësia e komunikimit është jashtëzakonisht e veçantë. Qëllim i fundit i Esperantos është përpjekja për paqe ndërmjet popujve, duke lehtësuar komunikimin dhe duke e bërë atë më të drejtë. Përdorimi i një gjuhe të përbashkët e shmang atë situatë, ku dy vetë që përdorin gjuhën e vet amtare, kanë një përparësi shumë të madhe përmbi të tjerët.

Nis më 25 korrik në Lilë të Francës, Kongresi i 100-të i Shoqatës Botërore të Esperantistëve, ku do të diskutohet mbi vlerat në dialogun përmes kulturave. Sipas anëtarëve të kësaj shoqate, gjuha Esperanto shihet si një mjet për të arritur komunikim të drejtë e të barabartë. Në këtë kongres merr pjesë edhe delegatja shqiptare, Marta Oto.

Esperantistët e dinë se kur një grup kombësish të ndryshme përdor gjuhën asnjanëse, të përbashkët, cilësia e komunikimit është jashtëzakonisht e veçantë. Qëllim i fundit i Esperantos është përpjekja për paqe ndërmjet popujve, duke lehtësuar komunikimin dhe duke e bërë atë më të drejtë. Përdorimi i një gjuhe të përbashkët e shmang atë situatë, ku dy vetë që përdorin gjuhën e vet amtare, kanë një përparësi shumë të madhe përmbi të tjerët…

Është ky motivi që i bën bashkë esperantistët e botës në Kongresin e 100-të universal, i cili këtë vit zhvillohet në Lilë të Francës, nga 25 korriku deri më 1gusht.

Gjatë këtyre ditëve do të diskutohet rreth gjuhëve, arteve dhe vlerave në dialogun ndërmjet kulturave.

Në kongres do marrin pjesë më shumë se 2000 delegatë, të cilët nuk do të kenë nevojë për përkthyes, pasi secili delegat do flasë në gjuhën Esperanto. Shqipëria përfaqësohet me delegaten Marta Oto, anëtarja e Shoqatës Esperantiste Shqiptare.

Qyteti i kongresit ndodhet pranë Boulogne-sur-Mer, vendit ku është zhvilluar Kongresi i parë Universal i Esperantos më 1905-ën.

Për Shoqatën Botërore të Esperantistëve, të drejtat gjuhësore janë thelbësore për secilin popull, pavarësisht nga madhësia e anëtarësisë së tij. Kjo e drejtë duhet të mbrohet kryesisht për grupet e vogla. Shoqata Esperantiste Universale prej 100 vitesh mbështet gjuhët e pakicës.

Më 26 korrik të vitit 1887 doli libri i parë i gjuhës ndërkombëtare Esperanto. Gjuha ndërkombëtare Esperanto ka për qëllim të përdoret për lidhjet ndërmjet njerëzve me gjuhë të ndryshme, që do flisnin kaq asnjanësisht dhe komunikimi ndërmjet tyre do ishte i drejtë. Askush s’ka të drejtë ta ndjejë veten epror mbi tjetrin.

Sipas anëtarëve të shoqatës, Dita e Esperantos është dita e drejtësisë gjuhësore.

“Ne i sugjerojmë botës të adoptojë 26 korrikun si ditë e komunikimit të drejtë dhe si rrjedhojë, e marrëdhënieve të drejta ndërmjet etnive, kulturave, popujve. Një komunikim i drejtë është një situatë komunikimi ndërmjet njerëzve, ku të gjithë kanë mundësi të barabarta. Duke zgjedhur njërën ose disa gjuhë përmbi të tjerat, jepet një shenjë për më shumë rëndësi apo sundim atyre, për të cilët gjuhët e përdorura janë gjuhë amtare. Kjo zgjedhje bëhet një mjet për t’i përjashtuar njerëzit nga politika, edukimi, qasja në tregti dhe shumë aspekte të tjera të jetës. Kjo i forcon pabarazitë sociale ekonomike ndërmjet grupeve”.

Gjuha ndërkombëtare Esperanto ofron një mjet asnjanës për të siguruar të drejta njerëzore gjuhësore në nivel ndërkombëtar. “Nga të gjitha gjuhët e planizuara të botës, Esperanto është sot më e njohura dhe më e përdorura. Sipas meje, ajo do sjellë shumë përparësi, po qe se njerëzit do e marrin atë seriozisht…Esperanto ka nevojë për më pak kohë studimi sesa çdo gjuhë tjetër natyrore, sepse çdokush mund të krijojë lirisht fjalë të reja”, – kështu do të shprehej gjuhëtari i Tove Skutnabb- Kangas. Ajo, veç kësaj pengon hegjemonizmin e fuqive të mëdha të momentit. Këto fuqi tani janë vendet anglishtfolëse dhe prandaj anglishtja është bërë kaq e fuqishme nëpër botë. “Përforcimi i të drejtave të folësve të të gjitha gjuhëve është një çështje për të cilën Esperanto jep një ndihmesë të qenësishme”, – mendon një tjetër gjuhëtar, Robert Philipson.

Është koha të mos mendojmë të ndjekim më të fortët e kohës, por të nisim punën për krijimin e një situate barazie ndërmjet popujve të botës.

*Bardhyl Selimi, Shoqata Esperantiste shqiptare.

Të mësosh Esperanto

Esperanto është bërë publike në vitin 1887, falë Luigj Llazar Zamenhofit, në Bialistok (sot në Poloni), pikërisht me synimin për ta lehtësuar komunikimin, për të lejuar ndërkuptimin e folësve të gjuhëve të ndryshme, në bazë të drejtësisë gjuhësore.

Kjo gjuhë ndëretnike përdoret sot gjerësisht në të gjitha fushat e kulturës, shkencës dhe jetës shoqërore, në kontaktet ndërmjet vendasve të ndryshëm nga e gjithë bota. Ajo është e vetmja që realizon një komunikim të drejtë me respekt të ndërsjellë ndërmjet njerëzve, mundëson shanse komunikimi të barabartë për përdoruesit, duke mos qenë një gjuhë amtare, e veçantë për një etni.

Kështu të drejtat gjuhësore të bashkëbiseduesve respektohen në mënyrë të ndërsjellë; pakicat, popujt indigjenë, anëtarët e etnive të ndryshme nuk duhet t’i nënshtrohen përdorimit të gjuhës amtare të dikujt tjetër.

Mjetet e sotme teknike e kanë përshpejtuar përhapjen dhe përdorimin e Esperantos në gjithë botën. Interneti, mundësitë e ndryshme kompjuterike, telefonat e xhepit, kurset në rrjet kanë ndihmuar dukshëm në rritjen e numrit të folësve të esperantos, të kontakteve të tyre, të takimeve.

Përveç kurseve të shumta vendase (p.sh për shqiptarët ne faqenesperantoshqipria.weebly.com) ekziston rrjeti ndërkombëtarwww.lernu.net për të gjithë ata që duan ta mësojnë Esperanton, në më shumë se 40 gjuhë. Në çdo çast tingëllon nëpër botë kanali radiofonik rrjetor www.Muzaiko.info dhe dashamirësit e filmave mundet të shohin gjithashtu edhe kanalin rrjetor të televizionit në Esperanto: http://esperantotv.net

Google përkthen tani edhe në Esperanto. Wikipedia, enciklopedia rrjetore, përmban aktualisht 200’000 artikuj në Esperanto, duke qenë kështu Esperanto në grupin e dytë të gjuhëve që kanë për gjuhë më shumë se një mijë artikuj. Është për t’u vënë re një karakteristikë e kryekuvendit botëror të esperantistëve, pikërisht përgatitja mbarëbotërore e rezolucionit të kongresit. Lëvizja esperantiste i ka aktivizuar anëtarët e vet në të gjithë kontinentet: shoqatat vendore të Shoqatës Universale të Esperantos, grupet vendore studiojnë temën e kongresit: “Gjuhët, artet dhe vlerat në dialogun ndërmjet kulturave”, për të krijuar dhe dërguar ndihmesën e vet në hartimin e rezolucionit. Ky tekst gjatë debateve në Lilë do të marrë redaktimin e fundit.

Sipas mundësive të veta, secili anëtar i rrjetit botëror të folësve të esperantos do mund të marrë pjesë në këtë dialog kulturor, të shpërfaqë pikëpamjen e vet, dëshirën për cilësinë dhe format e shkëmbimeve ndërkulturore, ndëretnike, me qëllim për një ndër kuptim më të mirë, bashkëjetesë të qëndrueshme paqësore mbarënjerëzore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat