​Ministri Shala premton përkrahje për arkeologët

Kultura

​Ministri Shala premton përkrahje për arkeologët

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 19:36

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka vizituar sot vendin ku muaj më parë, arkeologët kanë hasur në gjetjen e objekti të vjetër, që datojnë që nga shekulli IV, në Vrellë të Istogut. Aty mendohet të ketë edhe gjetje të tjera, kështu që arkeologët së shpejti do të rifillojnë gërmimet.

Shala gjatë vizitës lokalitetit arkeologjik premtoi mbështetje të vazhdueshme për arkeologët, nga Ministria që ai drejton.

Objekti që së fundmi është zbuluar nga gërmimet arkeologjike të Institutit Arkeologjik të Kosovës, në fshatin Vrellë të Istogut, thuhet të jetë bazilikë e arkitektit të vonë, diku prej shekullit IV e që mund të ketë mbijetuar deri në shekullin XI.

Tashmë është kryer konservimi i këtij lokaliteti.

Ministri Shala pasi vizitoi sot këtë pjesë, këtë zbulim, njësoj si zbulimet e tjera arkeologjike në Kosovë, e quajti si shumë të rëndësishëm.

“Për ne është e rëndësishme që ne të mbështesim institucionet tona që këto kërkime të vazhdojnë jo vetëm në këtë lokalitet por edhe në lokalitete tjera të rëndësishme të Kosovës. Ne do të jem i prapa institucioneve që të mbështesim në tërësi programin e tre të punës”, tha ai.

Shala tha se të gjitha kërkimet e Institutit Arkeologjik i mbështesin dhe financojnë qind për qind.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili shoqëroi ministrin gjatë vizitës, tha se në Vrellë duhet të investohet më shumë. Ai theksoi se ka kërkuar nga ministri që Instituti të ketë më shumë përkrahje.

“Puna intensive ka filluar në dhjetë vitet e fundit dhe me mundësitë e mia, edhe atëherë edhe tani, jam duke bërë përpjekje që të përkrahet instituti dhe këta njerëz që merren me zbulime, në mënyrë që kjo qendër e vjetër, qendër antike të jetë e vizituar edhe nga qytetarët, të shfrytëzohet edhe për vlera tona trashëgimore që i ka vendbanimi, Vrella, apo edhe Istogu, në mënyrë që t’i ruajmë këto tradita, t’i ruajmë këto vlera dhe vlen të investohet. Unë kërkova sot edhe nga ministri, Instituti të ketë më shumë përkrahje, unë jam duke u munduar që t’i përkrah”, tha ai.

Me gjithë synimet që ky vend të bëhet turistik, kjo pothuajse nuk është e mundur me gjendjen në të cilën ndodhet tani. Infrastruktura rrugore është e paprekur nga investimet.

Për këtë, Haki Rugova tha se do fillojnë të punojnë. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të ketë veprime konkrete në këtë drejtim.

Territori i Komunës së Istogut, njihet si i vendi me trashëgimi të pasur kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat