Mbrëmje xhazi në Durrës

Kultura

Mbrëmje xhazi në Durrës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 18:20

Këngëtarja Vikena Kamenica dhe instrumentisti arbëresh Pierpaolo Peta mbrëmjen e së hënës i gjallëruan mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit të Durrësit me një koncert të veçantë, ku mbizotëroi muzika xhaz.

Veprimtaria e programuar në kuadër të Festivalit të 10-të ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës mblodhi në muzeun e restauruar dhjetëra artdashës, të cilët duartrokitën gjatë interpretimet e artistëve të shoqëruar nga “Keli Band”.

Mexosopranoja Kamenica solli disa këngë të kompozitorëve Zef Çoba, Agim Krajka dhe Muharrem Qena, përpunuar nga formacioni muzikor që drejtohet nga Brikel Guga. Më pas ata interpretuan edhe pjesë të përzgjedhura nga muzika xhaz.

Ndërkohë fizarmonisti Pierpaolo Peta prezantoi në gjuhën shqipe disa nga veprat e kompozuara prej tij gjatë kohës që punonte si mësues në Piana degli Albanesi. Autor i disa pjesëve me tonalitete shqiptare, Peta fitoi admirimin e publikut edhe si shoqërues i këngëve të interpretuara nga Vikena Kamenica.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës nisi të shtunën në mbrëmje në Durrës dhe në dy koncertet e para interpretuan violonçelisti Joel Blido dhe violinisti Klajd Sahatçi, të shoqëruar përkatësisht nga Marin Gjollma dhe Merita Rexha Tërshana. Në program janë parashikuar edhe tre koncerte të tjera me muzikë nga autorët tanë dhe të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat