Presheva kthehet në luginë filmash

Kultura

Presheva kthehet në luginë filmash

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:49

Qyteti i Preshevës si dhe e tërë Lugina nga ky vit do të pasurohen me një festival të filmit me objektivin për të pasuruar jetën kulturore dhe artistike. Gjatë javës së fundit të muajit korrik do të organizohet edicioni i parë i “Presheva Film Fest” – PFF, i pari i këtij lloji në qytet.

Presheva Film Fest do të hapet në Preshevë, ditën e shtunë më 25 korrik 2015, në ambient të hapur në orët e mbrëmjes. Edicioni i parë do të zgjasë 7 ditë, duke përfunduar kështu më 31 korrik 2015. Për shkak se ky është edicioni i parë nuk do të ketë karakter garues, por do të organizohet për t’i ofruar një alternativë argëtimi publikut të interesuar.

Festivali PFF ka për qëllim që paralel me rritjen e tij nëpër vite të zgjerojë programin duke e pasuruar atë me përmbajtje rajonale, ballkanike e deri në atë ndërkombëtare, e që nga edicioni i dytë mendohet të marrë karakter garues.

Përveç pjesës artistiko-kulturore, “Presheva Film Fest” ka për objektiv futjen e Preshevës në axhendat e ndryshme kulturore në rajon dhe më gjerë, duke promovuar kështu vendin tonë përmes krijimit të lidhjeve dhe kontakteve me rajonin, krijimin e një bashkëpunimi kulturor dhe promovimin e artistëve të rinj vendas, si dhe një zhvillim socio-ekonomik përmes një programi që do të sillte vizitorë gjatë organizimit të festivalit. Është bërë e ditur nga stafi i PFF se po punohet për finalizimin e programit të edicionit të parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat