Varka e shpëtimit, historia e arratisjes së familjes Fezollari

Kultura

Varka e shpëtimit, historia e arratisjes së familjes Fezollari

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:12

Imagjinoni vetëm për një moment një natë të errët buzë liqenit ku ju dhe familja juaj po prisni të ngjiteni në një varkë primitive të bërë me mushama, një udhëtim që do të zgjasë për orë të tëra deri në bregun tjetër…kthim pas nuk ka! Në varkë bashkë me burrat, gratë e fëmijët gjendet dhe një kuti me dinamit me fitilin gati për t’i vënë shkrepësen, për t’u bërë shkrumb e hi nëse rojet e kufirit ju pikasin. Jeni ju, fëmijët që flenë, frika në stomakun tuaj që rëndon më shumë se rrobat e lagura, hëna e fshehur pas një reje të zezë dhe jeta e varur mbi një fije shprese.

Me pak fjalë ky është peizazhi që mund të përshkruhet ajo natë e 3 korrikut në të gdhirë 4 korriku i vitit 1975 në liqenin e Pogradecit…këto ishin orët e gjata drejt lirisë, udhëtimi i patëdytë i familjes Fezollari. Ata kishin vënë bast me vdekjen. Për ta jeta nuk ishte më asgjë pa lirinë, ndaj ndërmorën këtë udhëtim, këtë arratisje, që do të merrte epitete nga më të ndryshmet në vazhdimësi, e denjë për një film për ‘Oscar’ sigurisht.

Tre vëllezër me gratë, fëmijët dhe nënën e tyre në një varkë Noe që vozisnin vetëm në dëshirën për liri, sfiduan vdekjen që ishte gati e sigurt, për t’iu dorëzuar fatit. Nuk e di se ç’forcë njerëzore duhet të ketë një prind që vendos të marrë fëmijët në atë barkë, ndoshta askush prej nesh që lexojmë këtë histori nuk do ta bënim këtë….por për tre djemtë e Haki Fezollarit kjo ishte përpjekja e fundit për t’i shpëtuar nga ajo jetë, që siç e përshkruan Ethem Fezollari; ishte veçse ferri çnjerëzor që zgjaste prej 26 vitesh.

Vuajtje, varfëri, uri, humbje e dinjitetit njerëzor, frikë për jetën, burgje, internime, të afërm që s’u flisnin me gojë, të afërm që i spiunonin pas krahëve, sigurimsa që i përgjonin, punë të rëndomta dhe frikë..frikë…frikë.

Në një ditë të bukur qershori ata vendosën të mos jetonin më me frikë, por të bënin një hap me guxim, një hap që do t’i çonte drejt vdekjes ose drejt jetës. Ndërtuan një varkë primitive me mushama, rrjeta dhe dy dërrasa dhe ngjitën mbi të fëmijët nga 16 vjeç deri 6- muajsh, nënën e tyre që i kishte rritur me vuajtje të mëdha e pa burrë në krah, gratë e tyre të cilat nuk pranuan të qëndronin në Shqipëri, dhe u nisën. U nisën në një mjet lundrues që kishte vetëm 5 cm mbi ujë, ndërsa dy lopatat e gdhendura keq u nxirrnin gjak në duar burrave që vozisnin.

Kur e ke përballë Ethem Fezollarin, sot 69 vjeç, nuk mund të mos të bëjnë përshtypje sytë e tij, janë kaq të qeshur dhe kaq të qetë. Historinë e tij e tregon sikur t’i kishte ndodhur dikujt tjetër, ashtu siç tregon pjesën e historisë së të atit që ia kanë treguar të tjerët. Me të ai u nda vetëm kur ishte 4 vjeç, për t’u bashkuar në Australi pas një gjysmë shekulli. Me përpikëri dhe ftohtësi tregon natën në liqen, natën që do të ndryshonte jetën e tyre përgjithmonë. Fati i tij desh që të mos pendohej kurrë për atë vendim, që të jetë krenar për netët e çuara në fshehtësi duke qepur rrjetën dhe mushamanë në ato pak dërrasa që do të bëheshin skeleti i varkës së shpëtimit. “Kur shtyja lopatat, këmbët shtypnin fundin e varkës që ishte prej mushamaje, poshtë mushamasë ishte uji, dhe mua më dukej sikur shtypja barkun e një njeriu, ndërsa në barkun tim ndjeja një ankth sa një liqen i tërë”, thotë ai duke folur për Mapo-n.

Sot në hollin e UET-it do të bëhet promovimi i librit të rij “Varka e Shpëtimit-Arratisja që tronditi diktaturën”, ku ai kërkon të ndajë me miq e shokë, me gazetarë e studentë historinë e tij, të familjes së tij, një histori pa të cilën s’do të mund të kuptonim komunizmin. Pa historinë e babait të tij, Hakiut, burri dy metra i gjatë, i cili kur luftonte partizan kishte thënë: “Një sy e një dorë të mos e kem, vetëm partia të fitojë”, ndërsa vetëm disa vite pas vendosjes së regjimit në vitin 1949, në gjyqin e tij do të deklaronte: “do të preferoja që të m’i nxirrnin dy sytë, vetëm kjo parti të shporret”.

Varka në muzeun e Shkupi

Varka primitive e bërë me mushama dhe disa dërrasa, ndodhet sot e kësaj dite në muzeun e Shkupit dhe ruhet aty si relike e veçantë. Ajo tregon për një nga arratisjet më të mëdha nga Shqipëria komuniste.

Intervista/ Ethem Fezollari tregon për vendimin për t’u arratisur dhe orët e tmerrit mbi liqen

8 orët e lundrimit drejt jetës ose vdekjes

Ethem Fezollari, autor i librit që tregon me detaje të qarta dhe të sakta jetën e tij, familjes së vet dhe arratisjen nga Shqipëria, duke folur për gazetën Mapo, tregon për ato orë të vështira kur ai dhe 15 anëtarët e tjerë të familjes së tij kaluan liqenin e Pogradecit me një varkë primitive. Ethemi është kthyer në Shqipëri pas vitit 1990, për të plotësuar amanetin e të atit për t’i sjellë eshtrat në vendlindje, më pas për t’u marrë me biznes e më pas me politikë, por tani jeton sërish në Australi.

Fezollari, a mund të ktheheni pas dhe të kujtoni si e morët vendimin për t’u arratisur?

Pas arratisjes së babait tim që më 1949-n, ne kemi përjetuar gjysmë shekulli kalvarin e vuajtjeve. Hoqëm vuajtje pa fund, burgje, persekutime, internime. Vëllai u dënua 13 vite burg, por kur doli nga burgu lufta e klasave bënte kërdinë, ajo ishte e padurueshme, e papërballueshme. Ne kërcënoheshim vazhdimisht të arrestoheshim. Vendosëm që ne, tre vëllezërit të iknim pa pjesëtarët e tjerë. Por fati i mirë i yni dhe i familjes ishte që mami e pikasi planin tonë, pasi na gjeti kamerdaren me të cilën do të iknim. Ajo filloi të qajë dhe na tha: ‘Nëse jeni burra, nuk do ikni t’i lini gratë t’ua përdhunojnë këta, pak hoqëm ne nga baba’. Kur sheh nënën duke qarë, sigurisht që tërhiqesh. Ajo në fakt na mbolli në tru një mendim, o të vdesim të gjithë, o të shpëtojmë të gjithë, rrugë të tretë nuk kishte.

Ndërkohë komunikonit me babain?

Jo, kishte 12 vite që ishte ndërprerë, nuk na vinte më asnjë letër prej tij, i grisnin.

Si e ndërtuat varkën?

Kur e morëm vendimin të tre për të bërë një varkë, me ndërtimin e saj u mora unë se më vinte doresh nga saldimi e këto gjëra. Mora lejen e zakonshme nga puna si kuzhinier që bëja dhe e kam bërë për tri ditë. Varka është bërë me mushama, pa gozhdë, sepse po t’i vinim gozhdë do duhej ta merrnim të përgatitur, të ndërtuar, deri në liqen dhe do na shihnin rrugës. Mënyra më e mirë ishte që ta bënim të montueshme, të çmontueshme dhe e çuam pjesë-pjesë në breg, e fshehëm.

Pak a shumë bëmë disa llogari me ligjin e Arkimedit, sa kubikë do varka që të zhvendoset uji duke llogaritur peshën e njerëzve.

Fillimisht menduam që unë dhe vëllai i vogël t’i lëmë fëmijët dhe gratë, por kjo nuk u realizua sepse vëllai në fund tha ‘unë nuk vij pa fëmijët’. Na rrezikoi shumë në fakt, sepse varka u rëndua dhe nga pesha mbeti vetëm pesë gisht mbi ujë.

Me kalimin e viteve njeriu mund t’i harrojë detajet e historisë, por mënyrën si është ndjerë nuk e harron dot kollaj, a mund ta kujtoni si jeni ndjerë atë natë?

Kam ndjerë pjesën më të vështirë të jetës sime, s’e kam parë më jetën time të më rëndojë kaq shumë. Kishim lënë këpucët kur hipëm nga frika mos dëmtonim mushamanë poshtë, kur e shkelje mushamanë që kishte poshtë ujin, sikur shkelje dikë në bark. Por për ne një gjë ishte e ngulitur, ishte më e ëmbël vdekja sesa të jetoje në ato kushte ku jetonim ne. Sot ndaj jam ulur e kam shkruar historinë e asaj arratisjeje dhe të familjes sonë, që të mos harrohet ajo çfarë ishte komunizmi.

Sa shkoi udhëtimi? Çfarë mendonit gjatë atyre orëve?

Udhëtimi zgjati 8 orë, u nisëm në orën 12:00 dhe në 8 të mëngjesit ishim në bregun maqedonas. Ne i kishim marrë masat tona, por rreziku ishte njëlloj, si të mbyteshim, si të na kapnim. Por ne kishim një kuti me tritol, i kishim vënë dhe fitilin dhe në çdo rast do t’i vinim shkrepësen të shpërthenim, sepse e dinim se çfarë na priste, më mirë vdisnim aty sesa si minj.

 

Pjesë nga libri

Vuajtja nga uria, nëna godet me gërshërë vajzën para zyrtarëve komunistë

“Kushtet e tmerrshme ekonomike sa filluan, po vdisnin njerëz nga uria, ndërsa nëna shpresën e fundit të shpëtimit të fëmijëve të saj e kërkonte dhe kishte vendosur të vrasë çupën, Myrvetin, e cila ishte vetëm 6 vjeçe në atë kohë. Pa i thënë askujt, merr një palë gërshërë dhe shkon drejt e në zyrën e triskave, ku nëpunës ishte kushëriri i babës, F.J. me dy të tjerë. Si e konsumoi edhe njëherë problemin e saj për punë ose triska për bukë,

përgjigjja ishte: ‘Gjej burrin të të ushqejë’. Nëna nxori gërshërët që i kishte fshehur nën fanellë e tha: “Në qafë i paçi ju fëmijët e mi, se unë do i vras si ata dhe veten time”, dhe e qëllon me gërshërë në bark. Motrën e kishte mbuluar gjaku. Me xhipin e Komitetit e çuan në spital, ndërsa nënën e arrestuan. Kjo solli një gjë të mirë, pasi që atë ditë ishte ngritur një komision për të verifikuar gjendjen në shtëpi. Kur erdhi në shtëpi ky komision që përbëhej nga kryetari i këshillit të lagjes, i plotfuqishmi dhe dy të tjerë nga Komiteti, panë që atje përveç shkarpave nuk kishte asgjë tjetër. Kishin mbajtur procesverbal mbi gjendjen ekonomike dhe strehimin në ahurin e lopëve. Menjëherë na sollën ca

batanije dhe një thes me ushqime, sheqer, oriz, miell, vaj. Ndërsa motra luftonte me jetën nga plaga që mori, nëna qëndronte në burg. Mbaj mend që gjyshja na zjeu makarona dhe qante për motrën duke thënë: “Këto të shkreta makarona janë të lyera me gjak”.

Mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat