Agimi ishte luftëtar e piktor i madh i artit...

Kultura

Agimi ishte luftëtar e piktor i madh i artit...

Nga: Tefik Selimi Më: 6 korrik 2015 Në ora: 14:20

Gjilan, 6 korrik - Arti i takoi edhe Agim Ramadanit, i cili, krahas profesionit të tij si ushtarak, ai krijoi vepra më të ndryshme jete e pune. Krijoi për të mos vdekur kurrë. Krijoi për të mbetur gjallë për të “gjallët” e kësaj toke. Shkroi vargje, bëri piktura të ndryshme arti, vizatime të shumta. U bë artist i mirëfilltë dhe e jetoi jetën me arte. Jeta e tij ishte një “tjetër” jetë. Jetë prej ushtaraku, artsiti e prej një krijuesi... Por, ai ishte i tëri piktor. Piktor i një bote interesante arti. Pikturat e tij i kanë mahnitur artdashësit. Një botë e thellë arti, por joshëse dhe shumë domethënëse. Agimi e deshi artin piktural. Thonë, kohën “tjetër”, ai e kalonte duke pikturuar. Ishin ato piktura nga vendlindja, nga rreth familjar, por edhe nga ajo kohë e rëndë jete. Kur erdhi koha e luftës 1999, ai la brushën, vizatimet, vargjet, poemat, prozat e krijimet tjera të artit dhe niset në rrugën për ta shpëtuar atdheun – Kosovën. Motoja e tij ishte përherë: “Atdheu, mbi të gjitha”! Ai erdhi aty ku e kërkoi atdhetu. Ra në altarin e lirisë me shumë shokë të luftës, më 11 prill të vitit 1999 në Kosharën Legjendare, mu te Guri i Rrasës, në Jasiç. Ra dëshmor i kombit, ai i cili e deshi shumë Kosovën ta shehë të lirë. E deshi Kosovën, të cilës ia kushtoi një kohë duke i piktuar pejsazhe të bukura të natyrës. Këto krijime arti e bëjnë Agimin madhështor dhe shumë dimenzional. Sa herë kemi dashur të shkruajmë për këtë figurë, na është dridhur dora e na është ndalë mendimi se mos po ia hamë hakun këtij trimi e këtij artisti të kombit. Agimi i lirisë, e quan poeti. Ai ka një meritë të madhe, në radhë të parë, ushtarak, mandej poet e piktor. Piktura e tij është një art i veçantë i jetës. Bëri piktura të mahnitshme, të cilat reflektojnë ide të mëdha. Ai bëri vizatime, piktura, pejsazhe, kompozicione e të tjera, të cilat, sot, por edhe nesër, do të jenë art me vlerë. Pse jo? Ka bërë piktura me ngjyra të kombinuara, të cilat, në vete shënojnë një botë “poetike” e rrëfimtare në artin piktural. Ato (pikturat tij) janë “sende” që madhërojnë dhe i japin jetës kuptim. I japin jetës “tjetër” kuptimin e jetës që jetohet e adhurohet nga të gjithë. Këto piktura kanë imazh të bukur, jo vetëm kur ato “paraqesin” ngjyra e trajta, por edhe kur “qëndrojnë” si art i bukur kudo në jetë. Kjo botë e tij është madhore. Madhore dhe të bën për vete që ta adhurosh e t’mos ndahesh nga ato piktura, vijat, ngjyrat, trajtat dhe ato bukuri trë rralla të këtij trimi, poeti e artisti të rrallë të jetës sonë shqiptare. Pikturat e Agim Ramadanit, si janë: “Buqetë lulesh”, “Llava”, “Ëndër e papërfunduar”, “Kompozicioni”, “Horizont i imagjinuar”, “Fosilet”,”Lamtumirja” e shumë të tjera, janë një galeri arti, të cilat formësojnë botën e thellë të poetit e artistit të madh, i cili, artin e pati “zanat” e përkushtim jete e kohe, ndërsa strategjinë ushtarake e pati profesionin e tij të jetës. Kjo ishte madhështia e tij prej luftëtari dhe artisti. Në jetë ai bëri vepra të pavdekshme. Pas vdekjes iu botua libri me poezi “Një jetë tjetër”, libër ky shumë i pranuar nga kritika letrare, e cila në vete ngërthen personalitetin e njeriut dhe të luftëtarit të denjë për liri e pavarësi të vendit. Mirëpo, Agimi mbeti edhe si artist. Shih për këtë, sa ishte gjallë në Zvicër si i përndjekur, më 1992, ai bëri art. U dallua si student i rregullt i shkollës së artit. Në këtë kohë, ai pranohet anëtar i Shoqatës së Artistëve sigurativë shqiptarë në Zvicër me seli në kuadër të shkollës “Eti” në Martigny, Marc Morand nr. 8. Këtu merr pjesë me ekspozita të shumta të tij kolektive e vetjake. Krahas pikturës, Agim Ramadani njohu edhe skulplturën, grafikën. Ishte i tëri artist. Dhe, me 15 mars të vitit 2003, Agim Ramadani shpallet anëtar i nderit posmortum i Akademisë Evropiane të Arteve me seli në Belgjikë nga Kryesia e Komitetit Kombëtar Shqiptar. Kjo veprimtari e tij është një botë që lë gjurmë sa në artin e letërsisë, po aq në artin e pikturës, grafikës, skulpturës e ate luftarak. Nga koha kur ai shkoi në përjetësi, fillon pavdekësia e tij si dëshmor i kombit, i cili nuk ka “vdekur”, por na është i gjallë dhe na jeton gjithmonë në zemrat tona që fort e përkujtojmë djaloshin më të mirë të Karadakut e të Kosvovës. Ai djalosh, tash dëshmor, i par që theu kufirin shqiptaro-shqiptar në Kosharen Legjendare. Ishte ky Agim Ramadani, një figurë aq madhështore e kulturës shqiptare. Ishte trim, por edhe piktor e artist i kohës...Tefik Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat