Zgjohu shpirt dhe ndize zjarrin

Kultura

Zgjohu shpirt dhe ndize zjarrin

Nga: KALOSH ÇELIKU Më: 6 korrik 2015 Në ora: 09:43

(Varg nuk kam ta shkrep armën)

Moti kohë më pate thënë: Përgëzime!
Poezia është arma yte besnike.
Po, nëse ik Unë. E di se, do të çmendet vargu?!

Vite më vonë, kur ike Ti natën nga Shtëpia
Poezia u çmend. Herët, mori malet.
Imzot, si ta kthej në shtrat?! Ditën e Madhe.
Varg, kur nuk kam ta shkrep armën
Në mes të Pazarit ta vras hasmin e Babait…

(Varre e varre në Katundin
e flamurit kuqezi)

Gjithë jetën, tri herë u shpalla i vdekur
Herën e parë në Ulqin. Pastaj, në Korçë.
Varri, ende rri hapur rrëzë Çukës
Herën e fundit kërceva në Qafë Thanë.

Vite më vonë i vizitova të vdekurit:
Nënën e Babain. Vëllezërit. Gjakun.
Kaçakun e maleve: Emin Çeliku (Xhambazi)
Që, dikur mbi varr Babai i vuri pllakë të madhe
Guri. Që, e veçonte nga të tjerët katundarë.

Varre e varre, në Katundin e flamurit kuqezi
Përçudi: shumë pak përmendore të heronjëve…

(Marrëzi)

Marrëzi është sot t’i dorëzosh armët
Shtambat me verë t’i rrokullisësh nën Rrap.
Gjokun ta lidhën nën hije.
Edhe, kokë më kokë me Miken
Nateditë ta vajtosh Atdheun.

Heroizëm është sot: vargun kaçak
Nga brezi ta nxjerrësh në mes të Bit-Pazarit…

(Derë e atij varri)

Derë e atij varri nuk ka oxhak
E, as baxhë mbi çati.
Lejlekët ende i ka në çerdhe
Qiellin e ka Shtëpi.

Derë e atij varri, rrëzë Çukës
I pret miqtë që vdesin për Liri…

(Ditët që nuk vijnë më kurrë
në Bregliqe)

Moti kohë kanë ikur ditët e lumtura
Netët pa gjumë. Trokitjet te porta.

Zonja Vdekje, sot shëtitet nëpër Katund
Dhe, kërkon vullnetarë për Luftë…

(Përzënja nga mesi i varreve)

Xha Derallën, dikur e ndoqi policia serbe
Sot, e ndjekin “patriotët” kuqezi.
Përmëkeq, pasardhësit e tij “komandantë”
Që, përditë shpallin “dëshmorë” lufte.
Nesër, që nuk do t’i përmendi historia.

Xha Derallë, fli i qetë mes varreve
E di, se: Nesër këto “komandantë”.
Edhe të vdekurit, rrëzë Çukës
Njëzëri do t’i përzënë nga mesi i varreve…

(Largpamësi)

Im Atë, shpesh më rrëfente
Sesi, pas Lufte e ka bindur Imer Luma
Veten ta shpëtoj nga vërshimi.

Erdhi natën vonë pasmesnate
Edhe, më tha: A sheh se çka ka në Lëmë?
Jo, i thashë. E, unë shoh edhe në Lëmë
Prandaj, koha është ta shpëtosh Veten.
Familjen. Jetën ta vazhdojë Nesër.

Pasmesnate, im Atë pa në Lëmë
E shpëtoi Veten. Familjen.
Luftën, sot ta vazhdojmë me penë…

(Rrapi Nesër do lulëzojë
prej Rrufesë)

Patjetër, Nesër varri do lulëzojë prej rrufesë
Arsye: shiu do të bie me shtamba.
Çatitë t’i lajë nga bërlloku shekullor
Rrëzë Çukës të rritet bari mbi varre.

Nesër, do të zgjohen të vdekurit nga varret
Shkaku, se: Sot na mbytën të gjallët…

Dhe në fund
(Zgjohu shpirt dhe ndize zjarrin)

Zgjohu Shpirt! Dhe, ndize zjarrin
Derën mbylle me shul! Dritaret!
Oxhaku nuk ka derë mbi Çati
Qiellin e ka Shtëpi. Diellin fener
Kashtën e Kumtrit djeg në vatër.

Zgjohu Shpirt, ma shtro shtratin
Gjergj Elez Alisë jepi gji me dy shtamba.
Fuqi me nëntë plagë të çohet nga shtrati.

Plagën e dhjetë, Nesër e shëron varri…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat