Teatri hap dyert për studentët

Kultura

Teatri hap dyert për studentët

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 09:36

“Laborator Teatër ATK” përfshin 16 studentë në shfaqjen “Lideri”, që do të vihet në skenë me mbështetjen e UET

Studentë të apasionuar pas aktrimit kishin këtë javë mundësinë për ta realizuar ëndrrën e ngjitjes në skenën e vërtetë të teatrit. Kompania “Laborator Teatër ATK” në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës organizuan audicionin për studentët që duan të bëhen pjesë e teatrit, duke synuar përfshirjen e tyre në shfaqjen më të re që do vihet në skenë në bashkëpunim me UET-in. Nga studentët që aplikuan u përzgjodhën rreth 16 prej tyre për t’u bërë pjesë e shfaqjes “Lideri”, e cila ka nisur tashmë provat. Studentët që u përzgjodhën nga ky audicion do të ngjiten në skenë, ku do të luajnë krah emrave të njohur të teatrit shqiptar, si Bujar Asqeriu dhe Marjana Kondi. Drama që pritet të vihet në skenë këtë muaj është një nga dramat më të njohura të teatrit absurd “Lideri”, e autorit Eugène Ionesco.

Regjisori i kësaj shfaqjeje, Adonis Filipi tha për Mapo-n se “ky bashkëpunim me UET është një gjë shumë e mirë dhe një rrugë për të futur frymën e teatrit në universitet, si dhe për të eksperimentuar me teatrin bashkëkohor, një koncept i ri i teatrit”. Ai shton se përfshirja e të rinjve në këtë shfaqje do të realizohet duke i bërë ata pjesë integrale të shfaqjes. “Kjo shfaqje është një dramatizim skenik, mbështetur mbi veprën me të njëjtin titull të Ioneskut, ndërkohë që do të komunikohet përmes ritmit, lëvizjeve, muzikës, klounatës e formave të tjera të reja nga pikëpamja estetike”, thotë Filipi. Kjo shfaqje do të shfaqë premierën e saj për studentët e UET-it në ambientet e universitetit, për t’u bërë më pas pjesë e tureve brenda dhe jashtë vendit dhe për të marrë pjesë në kompeticione të ndryshme të teatrit.

Aktori Bujar Asqeriu thotë se ndihet mirë që po luan krahas të rinjve. “Jam i emocionuar për këtë shfaqje dhe doja të falenderoja UET-in që priti grupin tonë për të vënë në skenë maestron e Ioneskos. Mbi të gjitha ishte një dëshirë e brendshme e Adonisit, regjisorit, që vepra do të plotësohet shumë bukur me pjesëmarrjen e studentëve, me freskinë e moshës, me dëshirën e tyre për të luajtur bashkë me ne në këtë shfaqje, por që i bën mirë gjithë spektaklit tonë pjesëmarrja e tyre”, u shpreh Asqeriu për Mapo-n.

Lidhja e studentëve me artin

Ata studiojnë degë të ndryshme, por i bashkon një pasion i përbashkët, dëshira për aktrim. Kanë nxjerrë ëndrrën e fëmijërisë nga sirtari për ta bërë realitet në skenën e teatrit. Estela Xhafa sapo ka përfunduar fakultetin për Shkenca Politike dhe gjatë tri viteve të shkollës i ka bërë një pyetje vetes: “Pse nuk shkova në Akademinë e Arteve”, e bindur 100 për qind se ardhmja e saj është aktrimi. Ajo është një nga ato rastet kur njeriu beson aq fort tek talenti i tij, saqë ngulmoi të futej në prova para se të bëhej audicioni. Dhe besimi në talent iu shpërblye pasi regjisori pas disa provash e bëri direkt pjesë të trupës, duke i dhënë madje një nga rolet kryesore të shfaqjes si dublante, pikërisht rolin që luhet nga Marjana Kondi. “Më duket e pabesueshme, ende më dridhen gjunjët nga emocioni. Ky është një rast që e kam pritur me kohë. Është hera e parë që do të luaj në teatër, ndërsa e kam ëndërruar veten në një skenë teatri prej vitesh. Regjisori më komplimentoi për plastikën e fytyrës dhe zërin, tani mbetet në dorën time të jap rezultatet në prova që të mos e zhgënjej për besimin që më ka dhënë”, tha ajo për Mapo-n.

Estela do të luajë në skenë me partner Guljem Kotorin, një tjetër student i UET. Guljemi ka tashmë përvojë në aktrim, ka qenë aktor në disa filma kinematografikë, por dhe për të eksperienca e teatrit është pasion i hershëm dhe i dëshiruar. “E kam nisur karrierën time me teatrin amator, në pamundësi për të vazhduar më tej, jam angazhuar me kinemanë, shansi që po na jep kjo shfaqje në UET është një mundësi për të provuar veten përsëri në teatër. Teatri ka emocione më të forta se sa filmi dhe më ka munguar”, thotë Guljemi për Mapo-n.

Po çfarë i nxiti këta studentë të degëve të ndryshme që të vijnë të bëhen pjesë e kësaj shfaqjeje? Disa kanë pasur ëndërr aktrimin, ndërsa disa të tjerë janë thjesht dashamirës të teatrit. Një nga këta është Xhulio Ferzaj, student i vitit të parë master për Marrëdhënie Ndërkombëtare. “Unë jam një dashamirës i madh i teatrit, shoh shpesh shfaqje teatrale. Meqë e kam provuar emocionin nga karrigia e spektatorit doja të provoja dhe emocionin e skenës, një mundësi që na u dha nga UET”, thotë ai. Ai është angazhuar gjithmonë në teatrot e shkollave.

Egon Loli, student i vitit të tretë në degën Sociologji-Antropologji në UET, është i gjithëgjendshëm. Një nga studentët më aktivë në kampionatin e debatit, nuk mungoi as në audicionin për shfaqjen teatrale. “Arsyeja e parë pse vendosa të marr pjesë është vetë arti. Arti si ndjeshmëria më e lartë estetike që ekziston. Çdokush ka nevojë për një hapësirë të tillë në jetën e vetë. Arsyeja e dytë lidhet me pasione të miat jashtë fushës së studimit. Pasione, që për një ose disa arsye, nuk u verbalizuan dot ashtu si do të dëshiroja, por që gjithashtu, asnjëherë nuk u shuan. Projektin e regjisorit në bashkëpunim me UET-in e pashë si një far ndriçues në mes të detit, që më kujton një kohë nostalgjike. Më kujton kohën e kurseve të mia të pianos e të këndimit, kohë që e kam jetuar me një intensitet emocional të jashtëzakonshëm, e që e rigjej mundësinë për ta jetuar edhe njëherë”, thotë Loli për gazetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat