Hoti: Shkëmbimi kulturor mes Kosovës dhe Gjermanisë është i domosdoshëm

Kultura

Hoti: Shkëmbimi kulturor mes Kosovës dhe Gjermanisë është i domosdoshëm

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 18:37

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, po qëndron për një vizitë zyrtare në Berlin të Gjermanisë, ku do të zhvillojë takime të rëndësishme, në të cilat do të diskutohen një varg çështjesh që kanë të bëjnë me kulturën, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes Kosovës e Gjermanisë.

Në kuadër të kësaj vizite, zëvendësministri Hoti, i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu, sot u takuan me Andreas Gӧrgen, drejtor i Zyrës për Kulturë dhe Komunikim, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Hoti e falënderoi Gӧrgen për pritjen dhe i shprehu mirënjohjen në emër të Qeverisë së Kosovës për kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe po jep për shtetin e Kosovës.

Në takim u bisedua për intensifikim të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve, pasi veç tashmë ekziston marrëveshja për një gjë të tillë. Zëvendësministri theksoi se “diversiteti kulturor, diplomacia e trashëgimia kulturore, janë fushat konkrete në të cilat dy vendet kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat, përmes vizitave në Gjermani e Kosovë të ekspertëve në këto fusha.”

“Shkëmbimi i ekspertëve në këto pika, si dhe organizmi i punëtorive, trajnimeve, seminareve por edhe përkrahja në ngritjen e kapaciteteve do të ishte e mirëseardhur”, tha zëvendësministri Hoti.

Ndër të tjera, zëvendësministri, e njoftoi z. Gӧrgen për jetën dhe aktivitetet kulturore në Kosovë, për ndihmën dhe përkrahjen që jep MKRS-ja për institucionet e kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë, festivalet e ndryshme, ndër to Dokufestin, si një pikë të rëndësishme në hartën kulturore të regjionit të Ballkanit. Hoti, tha se Kosova konkretisht ka pasur bashkëpunim me Gjermaninë, në fushën e trashëgimisë kulturore, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore i MKRS-së ka realizuar një projekt të përbashkët me Muzeun e Minierave të Bochumit. Po ashtu, Hoti e informoi atë se Kosova është në procesin e anëtarësimit në UNESCO i cili është i rëndësishëm për konservimin e restaurimin e objekteve të trashëgimisë që ka Kosova.

Ndërkaq, z. Andreas Gӧrgen, e shprehu falënderimin e tij për njoftimin me kulturën e Kosovës nga ana e zëvendësministrit Hoti. Ai tha se zyra të cilën e udhëheq ai, zbaton politikat kulturore të cilat Ministri Frank-Walter Steinmeier i ka vënë si prioritete, hapjen drejt shoqërisë civile, bashkëpunimet kulturore me jashtë, module konkrete për të qenë më të pranishëm në fushën kulturore, sikurse Traduki, Instituti Gëte, programet rezidente kulturore, koproduksionet e ndryshme.

Gӧrgen solli përvojën e Gjermanisë, duke thënë se shteti i tij i përkrah institucionet e pavarura kulturore pasi janë një formë e mirë e punës së shpejtë dhe fleksibile. Një shembull i tillë, është Traduki, një rrjet evropian për letërsi, libra dhe autorët e rinj, dhe inkurajoi që edhe Kosova të bëhet zyrtarisht pjesë e këtij rrjeti përmes anëtarësimit.

Ai shprehu gatishmërinë që Kosova e Gjermania të thellojnë bashkëpunimin në projekte konkrete në fushat në të cilat ka hapësirë. Ai përmendi se Instituti i Arkeologjisë së Gjermanisë ka një përvojë dhe traditë, në kuadër të misionit të të cilit është edhe bashkëpunimi mbarë botëror dhe eksplorimi i arkeologjive të vendeve të ndryshme dhe në këtë drejtim dy vendet mund të zhvillojnë projekte të përbashkëta.

Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, z. Gӧrken shprehu qëndrimin se Gjermania është e gatshme të ofrojë bashkëpunimin e saj në këtë drejtim, por edhe në të gjitha fushat tjera që kanë të bëjnë me shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.

Edhe Ambasadori i Kosovës në Berlin, z. Xhakaliu, u fokusua në një dimension tjetër të bashkëpunimit kulturor, duke u shprehur se afërsia kulturore mes dy vendeve është e pranishme. Ai përmendi vlerësimin dhe aplikimin e kulturës dhe gjuhës gjermane e cila ka një rëndësi dhe vlerësohet në Kosovë dhe madje ajo mësohet edhe në shkolla, ndërsa nga ana tjetër bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në Gjermani japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Në vazhdën e takimeve të sotme, zëvendësministri Hoti ka vizituar edhe shtëpinë mediale botuese “Axel Springer Verlag”, ku ka takuar Shefin për Qëndrueshmëri të Korporatave dhe Çështje të Bashkimit Evropian, Florian Nehm, me të cilin foli mbi perspektivën e mediave të shkruara dhe elektronike. Z. Nehm, ia prezantoi zëvendësministrit “inkubutaorin” e ideve që ka të bëjë me novatorizmin nga ana e të rinjve, me theks në shpikjet në teknologji, të cilat 3-4 herë në vit prezantohen para biznesmenëve botëror dhe projektet më të mira fituese zbatohen në bizneset e korporatave të ndryshme botërore.

Gjithashtu, zëvendësministri Hoti, u takua me Antje Contius, menaxheren e fondacionit “S. Fisher”, dhe bashkëpuntorët e saj. Ky fondacion zbaton projektin “Traduki”, i cili është i rëndësishëm për shkrimtarët e rinj, po ashtu edhe në Kosovë ngase konkretisht nxit autorët kosovar për të shkruar. Zëvendësministri Hoti kërkoi që Kosova të anëtarësohet në “Traduki” ngase është një proces tepër i rëndësishëm në fushën e librit.

Kurse nga ana e saj, znj. Contius, tha se mbështet anëtarësimin e Kosovës dhe mirëpret fuqizimin e bashkëpunimit në këtë drejtim por që duhen paraprakisht të përmbushen disa kushte, të cilat zëvendësministri u zotua se MKRS-ja do t’i kryen të gjitha obligimet institucionale në këtë drejtim me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi deri në finalizimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat