Shumë kultura në Beratin e Festivalit

Kultura

Shumë kultura në Beratin e Festivalit

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 07:48

Organizatorët prezantojnë idetë dhe vizionin e edicionit të dytë të Festivalit Multikulturor Berat 2015.

Ndërgjegjësimi, angazhimi dhe shtimi i audiencës për të rinjtë në aktivitetet kulturore do të jenë tema kryesore që do të trajtohet në këtë takim.

Gjithashtu do të mirëpriten sugjerimet, punimet apo dhe angazhimet vullnetare nga pjesëmarrës, të cilët duan t’i bashkohen Festivalit Multikulturor që do të zhvillohet në datat 23, 24, 25 korrik 2015.

Festivali në idenë e organizatës “Njerëz dhe ide” vjen edhe si pjesë e kalendarit artistik veror që përgatiti disa muaj më parë Ministria e Kulturës, kalendar i cili është hartuar në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Kulturës dhe ka në vëmendje dhe qytete apo zona të ndryshme të vendit.

Për Beratin, organizatorët premtojnë jo vetëm promovim të vlerave të trashëgimisë kulturore, por dhe ato të traditës popullore, ndërsa në skena do të jenë emra të njohur artistësh nga Shqipëria dhe Kosova.

Nuk do të mungojë dhe organizimi i të tjera aktiviteteve artistike dhe panaireve në festivalin multikulturor për promovimin e qytetit të Beratit, vlerave kulturore etj. Festivali Multikulturor mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e qytetit të Beratit dhe DRKK-Berat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat